DikurPolitike

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi kujton qeverinë e parë demokratike: Buxhet kisha vetëm 2.5 mln dollarë

19 prilli shënon 27-vjetorin e formimit të qeverisë së parë demokratike në Shqipëri. Kryeministri i parë Aleksandër Meksi, kujton se sfida kryesore e qeverisë së drejtuar prej tij ishte rimëkëmbja ekonomike dhe se kishte gjetur në buxhetin e shtetit vetëm 2.5 milionë dollarë.
Featured image of article: Ish-kryeministri Aleksandër Meksi kujton qeverinë e parë demokratike: Buxhet kisha vetëm 2.5 mln dollarë Ish-kryeministri Aleksandër Meksi

19 prilli shënon 27-vjetorin e formimit të qeverisë së parë demokratike në Shqipëri pas rrëzimit të sistemit komunist. Në një intervistë për Televizionin TemA, kryeministri i parë i sistemit pluralist në Shqipëri, Aleksandër Meksi, kujton se sfida kryesore e qeverisë së drejtuar prej tij ishte rimëkëmbja ekonomike.

Meksi shprehet se kur mori drejtimin e qeverisë së re në vitin ‘92, e gjeti buxhetin e shtetit me vetëm 2.5 milionë dollarë.

Gjendja në të cilën e morëm vendin ishte katastrofike. Kjo gjë dihet. Qe një katastrofë 50-vjeçare, por qe edhe një vit e ca në të cilin nuk u gjetën mënyra për të nxitur një përparim të shpejtë të Shqipërisë apo shërim të plagëve. Mjafton të them, për të ilustruar gjendjen, që në arkën e shtetit nuk kishte më shumë se 2 milionë e gjysmë dollarë. Pra, detyra e qeverisë ishte të mund të kapërcente këtë prapambetje të madhe ekonomike, të mund të bllokonte inflacionin që kishte shkuar në 250 dhe të mundësonte ndërtimin e një shteti të ri”, shprehet Meksi.

Sipas Meksit, kapërcimi i kësaj vështirësie nga shteti shqiptar nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Amerikës.

Qe ndihma e jashtëzakonshme e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ofruan atë ndihmë që sot ne bëjmë sikur nuk e dimë, po që pa të nuk do t’ia kishim dalë mbanë, jo ne po nuk ia del as ndonjë vend tjetër. Mjafton të them se u siguruan për 2 vjet ushqimet e përditshme, derisa filloi bujqësia shqiptare të prodhonte”, kujton ish-kryeministri.

Meksi pranon se 4 vitet e para të qeverisjes kanë qenë të vështira, edhe për shkak të gjendjes së brendshme politike. Por duke iu referuar situatës politike aktuale, ai lë të nënkuptohet se opozita e asaj kohe ka qenë më e mirëkuptueshme.

Nuk ka qenë e lehtë edhe në aspektin e brendshëm, për shkak të kundërshtimit, por pati edhe mirëkuptim. Marrëdhëniet qenë pak më normale, Parlamenti i atëhershëm qe me të tjerë njerëz”, thotë ai.

Ulja e inflacionit ishte një nga sfidat e kapërcyera nga qeveria e parë që doli nga zgjedhjet demokratike në Shqipëri, por z. Meksi tregon disa nga objektivat që do të donte t’i kishte realizuar.

Menduam që do të mundnim më shpejt të likuidonim problemin e pronës, se mundeshim më shpejt të zgjidhnim çështjen e lustracionit, se mund të zgjidhnim më shpejt çështjet e ruajtjes së tokës bujqësore dhe të dyndjes së njerëzve nga periferia pas 50 vitesh izolim. Në fakt këto nuk arritën të realizohen dhe për mendimin tim, ndokujt mund të mos i pëlqejë, një nga arsyet që ndodhi ’97-a, veç mundësisë që u dha nëpërmjet mosmbylljes së fajdeve, ishte të ndërpritej procesi i demokratizimit të Shqipërisë, procesi i privatizimit, i lustracionit, i kompesimit të pronës”, thotë Meksi.

E dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit, qeveria e 19 prillit 1992 ishte një strukturë me 23 pozicione, ku përveç kryeministrit, kishte edhe 2 zv.kryeministra, të cilët mbanin njëkohësisht edhe poste ministrore, një sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, 16 ministra dhe 3 kryetarë komitetesh.

Marrë nga Tema

Një Koment në “Ish-kryeministri Aleksandër Meksi kujton qeverinë e parë demokratike: Buxhet kisha vetëm 2.5 mln dollarë

  1. O Meksi hape ate te shkrete goje,fol per krimet e Berishes qe ska oqean qe ti laje,fol ore derdimen se ty sala te ka incizuar dhe pordhet qe beje ne zyre e ne shtepi.Je mjeran frikacak

Shto Koment