DiasporaRajoni

Ish-krerët e UÇK-së do të takojnë familjarët e tyre pas 8 muajsh në Hagë, Gjykata Speciale jep detaje rreth lejimit të vizitave

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle ka bërë të ditur se vizitat kanë filluar të lejohen pas fushatës së suksesshme të vaksinimit. Gjithashtu, Doyle bëri të ditur se vizitat me anëtarët e tjerë të familjes do të rinisin në gusht-shtator.
Featured image of article: Ish-krerët e UÇK-së do të takojnë familjarët e tyre pas 8 muajsh në Hagë, Gjykata Speciale jep detaje rreth lejimit të vizitave Hashim Thaci, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi

HAGË– Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale e Hagës prej 8 muajsh më në fund kanë patur mundësi të takojnë familjarët e tyre.

I pari që ka patur mundësi të takojë familjarët e tij ka qenë Jakup Krasniqi, i cili më 15 Korrik u lejua që të kishte vizita.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle ka bërë të ditur se vizitat kanë filluar të lejohen pas fushatës së suksesshme të vaksinimit. Gjithashtu, Doyle bëri të ditur se vizitat me anëtarët e tjerë të familjes do të rinisin në gusht-shtator.

Të gjithë të paraburgosurve u sigurohen ‘mënyra të arsyeshme’ për të mbajtur marrëdhënie personale, përfshirë edhe vizitat nga anëtarët e familjes. Në përputhje me këshillat mjekësore dhe pas një fushate të suksesshme vaksinimi në Qendrat e Paraburgimit, masat COVID-19 të aplikuara në Qendrat e Paraburgimit po hiqen gradualisht dhe në mënyrë progresive. Vizitat familjare personale për bashkëshortët ose partnerët, prindërit, fëmijët dhe vëllezërit e motrat e të burgosurve kanë qenë të mundshme duke filluar nga 15 korrik 2021. Vizitat me anëtarët e tjerë të familjes pritet të rinisin në gusht-shtator, nëse vlerësimi i fazës së parë, bazuar në azhurnimet mjekësore ditore është pozitiv”, ka thënë Doyle për Telegrafin.

Gjithashtu ai informoi se familjarët e ish-krerëve të UÇK-së kanë marrë udhëzimet e duhura dhe detajet mbi takimet që do zhvillohen por kjo për çështje privatësie nuk do të jetë një informacion i zbuluar për publikun.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas përkufizimit në Rregulloren e Paraburgimit, në persona të ngushtë përfshihen bashkëshortja/bashkëshorti, partnerja/partneri, prindërit, fëmija, nipi/mbesa, vëllai, motra, gjyshërit, dhëndri dhe nusja.

Takimet do të zhvillohen në një ambjent privat në paraburgim ku nuk do të ketë roje apo vëzhgime nga kamera dhe do të lejohet kontakti fizik. Ndërkohë nuk është e përcaktuar konkretisht se sa do të jetë afati apo zgjatja e takimit pasi kjo do të vlerësohet nga rrethanat dhe plani ditor i punës.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

(d.a/dosja.al)

Shto Koment