Rajoni

Ende s’është formuar qeveria e re/ Ish-ambasadori Walker me dy porosi pas takimit me Albin Kurtin

Gjatë takimit me Albin Kurtin mësohet se ish-ambasadori William Walker ka dhënë dy mesazhe lidhur me qeverinë e re që pritet të krijohet mes LVV-së dhe LDK-së.
Featured image of article: Ende s’është formuar qeveria e re/ Ish-ambasadori Walker me dy porosi pas takimit me Albin Kurtin Albin Kurti dhe William Walker

KOSOVË– Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Në takimin me Kurtin mësohet se Walker ka dhënë dy mesazhe lidhur me qeverinë e re që pritet të krijohet mes LVV-së dhe LDK-së. Mësohet se Walker i ka kërkuar kreut të LVV-së krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

Më tej ai ka shtuar se ndarja e posteve nuk duhet të jetë një pengesë për arritjen e një koalicioni, pasi ndarja e karrigeve i takon sistemit të vjetër të të bërit politikë.

Ditën e djeshme, ish-ambasadori ka qënë gjithashtu edhe në zyrën e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Para tij, selia e LDK-së u vizitua edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, duke dhënë edhe ata mesazhin e tyre për qeverinë e re. 

Disa javë më parë u themelua dhe legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës, por ende nuk është formuar qeveria e re. Negociatat deri më sot kanë dështuar, pasi LDK ka kërkuar që të marrë kreun e Kuvendit, Presidentin dhe 5 ministri, pra gjysmën e kabinetit. Pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar Kuvendi, LDK u tërhoq nga marrja e këtij posti dhe shprehu gatishmërinë për një marrëveshje të re, duke kërkuar sërish 5 ministri dhe Presidentin. Ndërsa Albin Kurti ka hequr dorë nga ministri i Brendshëm. Ditët e fundit Kurti ka zhvilluar takime të përditshme me Isa Mustafën, ndërsa zëdhënësit e tyre kanë deklaruar se negociatat po shkojnë mirë dhe se ka lëvizje nga të dyja palët. 

(k.m/dosja.al)

Shto Koment