Rajoni

INVESTIGIMI: Shtrirja e mediave hungareze në Ballkan rrit shqetësimet, por i mungon impakti

Komisioni Europian u përgjigjet pyetjeve në lidhje me blerjet e mediave në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut nga investitorë hungarezë, BIRN zbulon se edhe pse kompanitë mediatike të lidhura me partinë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban kanë parë rritje të të ardhurave në rajon, ato po gjenerojnë më pak angazhim sesa konkurrentët vendas.
Featured image of article: INVESTIGIMI: Shtrirja e mediave hungareze në Ballkan rrit shqetësimet, por i mungon impakti Foto ilustruese

Kur investitorët hungarezë përfunduan blerjen e TV Planet të kontrolluar nga shteti slloven për rreth 5 milionë euro në tetor, kjo ishte media e fundit nga një grup të tillash në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut që merreshin nga biznesmenë hungarezë.

Blerësi i TV Planet, TV2 Média Csoport Zrt, thuhet se ishte në bashkëpronësi të Jozsef Vida, një nga hungarezët më të pasur, i përshkruar si një anëtar i rrethit të biznesit rreth partisë hungareze në pushtet Fidesz.

Zgjerimi hungarez filloi në vitin 2017, kur tre kompani nga Budapesti – Ridikul, Ripost dhe Modern Media Group – blenë Nova24 TV të Sllovenisë. Në vitin 2018, Ripost dhe Modern Media Group u larguan nga Nova24 TV kur dy kompani, Hespereia dhe Okeanis, u bënë pronarët e rinj të aksioneve të tyre. Të dy kompanitë u krijuan në të njëjtën ditë në nëntor 2018, nga i njëjti avokat.

Midis pronarëve të kompanive hungareze ishin Peter Schatz dhe Agnes Adamik, të cilët më vonë e ndryshuan emrin e saj në Agnes Kovacs. Ata të dy më parë kanë punuar për transmetuesin shtetëror hungarez. I përfshirë ishte edhe Arpad Habony, si bashkëpronar i Modern Media Group të Hungarisë.

Nova24 TV është në bashkëpronësi të anëtarëve të Partisë Demokratike Sllovene (SDS), e cila drejtohet nga kryeministri aktual, Janez Jansa, një nga aleatët kryesorë të kryeministrit hungarez Orban në BE. Investimi thuhet se u mbështet nga Karoly Varga në 2016, një miliarder kompanitë e ndërtimit të të cilit kanë qenë ndër fituesit më të mëdhenj të kontratave publike të dhëna nga qeveria hungareze në vitet e fundit.

Pas kësaj marrëveshjeje, R-post-R e Peter Schatz fitoi një shumicë aksionesh në Nova obzorja, botuesi i Demokracija, një e përjavshme politike në bashëpronësi nga SDS.

Ashtu si blerja e medieve nga ana e tyre në Slloveni është fokusuar te mediat pranë Jansës, investimet e Schatz dhe Adamik në Maqedoninë e Veriut janë fokusuar te ato që janë pranë një tjetër aleati politik të Orbanit, ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Që nga viti 2017, interesat hungareze kanë qenë për faqet e internetit kurir.mk, denesen.mk dhe vistina.mk; First Republika Dooel Shkup, e cila ka portalin republika.mk; dhe LD Press Shkup, e cila ka portalin netpress.com.mk.

Lëvizjet nga këta investitorë hungarezë që janë afër partisë Fidesz, e cila është armiqësore me mediat e pavarura në vendin e saj dhe ka orkestruar bashkëpunimin ose shuarjen e zërave të medieve kritike atje, ka shkaktuar në mënyrë të pashmangshme shqetësim në mesin e disa vëzhguesve.

Katër anëtarë të Parlamentit Europian – Kati Piri, Tanja Fajon, Tonino Picula dhe Andreas Schieder – i paraqitën një listë pyetjesh Komisionit Europian në fillim të këtij viti në lidhje me këto investime të mediave hungareze dhe nëse ato përbëjnë një ndërhyrje hungareze në procesin demokratik në Ballkan.

Më 25 nëntor, Parlamenti Europian organizoi një debat plenar, “Ndërhyrja hungareze në mediat në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut”, ku Vera Jourova, nënkryetare e Komisionit Europian, adresoi pyetjet.

“Në lidhje me Maqedoninë e Veriut”, tha Jourova, “Komisioni dhe delegacioni i BE-së po ndjekin nga afër zhvillimet në sektorin e mediave në vend. Komisioni raporton për këto çështje në paketat e tij të rregullta të zgjerimit, përfshirë raportin e tij të fundit për vitin 2020 për Maqedoninë e Veriut. Ky raport vlerësoi se kërkohet një transparencë më e madhe mbi pronësinë e mediave dhe përqendrimin e mundshëm ilegal të mediave.”

Kati Piri, një politikane dhe eurodeputete holandeze e lindur në Hungari, shkoi më tej, duke pretenduar se nuk ishte habi që liderët hungarezë, me ndihmën e Sllovenisë, kanë organizuar një operacion ndërhyrjeje ndërkombëtare që ka derdhur miliona euro në organizatat mediatike pro-Jansa dhe pro-Gruevski. “Të gjithë e dimë shumë mirë se përpjekjet e jashtëzakonshme propagandistike të Orbanit në Maqedoninë e Veriut dhe në Slloveni janë vetëm maja e ajsbergut. Qoftë në Bruksel, Lubjanë apo Shkup, Orban ka vetëm një qëllim: minimin e Bashkimit Europian për përfitimet e tij personale”, deklaroi ajo.

Megjithatë Balazs Hidveghi, një eurodeputet për partinë qeverisëse të Hungarisë Fidesz, e kundërshtoi këtë, duke argumentuar se këto kompani kanë investuar kapital në mediat e vendeve të tjera anëtare thjesht për fitim, në përputhje me një nga parimet më themelore të BE-së – lëvizjen e lirë të kapitali “E njëjta gjë është e vërtetë për Maqedoninë e Veriut: investimet janë çështje biznesi privat për kompanitë mediatike dhe ato nuk kanë asnjë lidhje me politikën”, këmbënguli Hidveghi.

Redaktori i revistës hungareze Demokracija në Slloveni, Joze Biscak, e mbështet këtë pikëpamje, duke i thënë BIRN se investitorët hungarezë janë “këtu thjesht për para”.

Në fakt, një investigim i BIRN tregon se ndërsa konkurrenca është e madhe, mediat në pronësi hungareze në rajon po lulëzojnë. Të ardhurat e tyre të kombinuara në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2018 ishin më shumë se 10 milionë euro, sipas të dhënave të marra nga BIRN.

Megjithatë, hulumtimet e BIRN tregojnë se investimet hungareze nuk po ndikojnë shumë.

BIRN caktoi Bakamo për të analizuar përmbajtjen e mediave të lidhura me Hungarinë në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut dhe për ta krahasuar atë me media të tjera.

Ajo zbuloi se mediat e lidhura me Hungarinë gjenerojnë më pak angazhim sesa homologët e tyre lokalë në tema si BE-ja, Rusia, Kina dhe vetë Orbani. Dy temat e vetme ku audienca në Maqedoninë e Veriut u angazhua pak më shumë me mediat e lidhura me Hungarinë kishin të bënin me histori në lidhje me emigracionin dhe komunitetet LGBT.

Për tre muaj, studiuesit në Bakamo vëzhguan përmbajtjet në faqe internetit të lidhura me media në pronësi hungareze, duke i identifikuar ato si “media Orban” (në krahasim me “media jo-Orban”). Mediat Orban përfshinin gjashtë media me pronësi hungareze në Maqedoninë e Veriut dhe tre në Slloveni. Në mënyrë që të krijonte një pamje më të plotë, Bakamo përfshiu 18 media shtesë në Slloveni të themeluara dhe të operuara nga anëtarë të SDS-së që shpesh ndajnë përmbajtjen e tyre me mediat në pronësi të Hungarisë.

“Lexuesit e mediave jo-Orban janë më aktivë në rrjetet sociale dhe merren me përmbajtjen me një shkallë më të lartë sesa lexuesit e mediave Orban”, përfundoi analiza.

Sipas hulumtimit, kjo do të thotë që njerëzit në Slloveni dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe në Hungari, janë më pak të prekur nga ato që po u tregojnë atyre mediat e lidhura me Orbanin. “Angazhimi më i lartë do të thotë që artikujt e mediave jo-Orban marrin më shumë pëlqime dhe shpërndahen në platformat e rrjeteve sociale”, tha analiza.

Megjithatë, nuk është për mungesë përpjekjeje. “Mediat Orban prodhojnë më shumë përmbajtje sesa ato jo Orban. Ato veprojnë pothuajse si spam në një përpjekje për të krijuar shtrirje”, tregoi studimi.

Studiuesit u përqendruan në gjashtë tema kryesore: emigrimi, BE-ja, Rusia, komunitetet LGBT, Kina dhe Orban. Pothuajse në të gjitha temat, organet e mediave Orban ishin nën performancë sa i përket drejtimit të një diskursi, krahasuar me mediat që nuk janë të lidhura me Orbanin. Dy temat ku mediat e lidhura me Orbanin e tejkaluan konkurrencën e tyre në Maqedoninë e Veriut ishin emigracioni dhe LGBT.

Në Slloveni, nga ana tjetër, ndërsa shkakton më pak angazhim, mediat në pronësi të Hungarisë kanë realizuar biseda më të nxehta. “Lexuesit e mediave të lidhura me Orbanin janë më të ngarkuara emocionalisht”, përfundoi studimi.

Bilance të mira

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski dhe kryeministri hungarez Viktor Orban. Foto: Flickr.

Pavarësisht nga mungesa e dukshme e ndikimit, mediat në pronësi hungareze ende po gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në vitin 2018, sipas të dhënave në dispozicion, në Maqedoninë e Veriut, kompanitë mediatike në pronësi të hungarezëve patën më shumë se 3 milion euro të ardhura, ndërsa në Slloveni kjo shumë ishte rreth 7.3 milion euro.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Shërbimeve të Mediave Audio dhe Audiovizive, fitimet e TV Alfa në vitin 2017 ishin rreth 27,400 euro. Në 2018, kjo ishte rritur në pothuajse 485,000 euro dhe në 2019 në gati 640,000 euro. Fitimet e TV Sitel – stacioni më i shikuar në Maqedoninë e Veriut – ranë nga 770,000 euro në 2017 në rreth 462,600 euro në 2019.

Situata është e ngjashme me portalet maqedonase në internet që janë në pronësi të investitorëve hungarezë: kurir.mk, denesen.mk dhe vistina.mk. Të ardhurat e kompanisë mëmë EM Media pothuajse u trefishuan në vitin 2018 nga 2017.

Hungarezët gjithashtu përmirësuan rezultatet financiare të kompanive mediatike sllovene. Të ardhurat e NTV24 janë dyfishuar nga rreth 778,000 euro në 2017, në 1,76 milion euro në 2019. Për krahasim, Planet TV, i cili në atë kohë ishte ende në pronësi sllovene me shumë më shumë shikues sesa Nova24TV, pati miliona humbje në vitin 2018.

Në mënyrë të ngjashme, të ardhurat e Nova obzorja, botuesi i Demokracija, në 2018 arritën nivelin e tyre më të lartë në historinë e saj 20-vjeçare që kur Peter Schatz bleu shumicën e aksioneve në 2017.

Joze Biscak, redaktor i Demokracija, i tha BIRN se këto fitime janë e vetmja gjë që u intereson investitorëve hungarezë. “Nëse bilancet janë të mira, ata janë të lumtur. Nëse ato janë me humbje, ata nuk janë të lumtur”, deklaroi Biscak.

Ai gjithashtu mbrojti vendimet e tij editoriale anti-emigracion, anti-mysliman dhe kundër të majtëve që krijojnë diskutime të nxehta që Bakamo i identifikoi thjesht si një mjet “për të shitur gazeta dhe për të marrë klikime”.

Si të ecni para në fushën e reklamave

Megjithatë, burimet e parave që i mbajnë të mira këto bilance, të paktën në Maqedoninë e Veriut, mbeten të diskutueshme.

Sipas një raportimi të mëparshëm të BIRN, reklamuesit kryesorë në mediat në pronësi hungareze në Maqedoninë e Veriut përfshinin kompani të vogla hungareze si Olivery, e cila shet vaj ulliri; Bonyart, i cili shet dekorime shtëpie; dhe Skin Delight, një kompani kozmetike. Askush prej tyre nuk shet asgjë nëpër dyqane në Maqedoninë e Veriut.

Kontratat e reklamave që kanë rezultuar në fitime të jashtëzakonshme financiare në një periudhë kaq të shkurtër tani po tërheqin vëmendjen e policisë si në Slloveni ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

Policia sllovene konfirmoi se hapi një hetim për financimin e “kompanive të caktuara mediatike” në 2018.

Përveç kësaj, qeveria e mëparshme sllovene caktoi një komision të posaçëm parlamentar për të hetuar pretendimet për financim të paligjshëm hungarez të SDS-së dhe financim të paligjshëm të huaj të fushatës zgjedhore parlamentare të SDS-së në 2018. Këto hetime pritej të sillnin disa përgjigje mbi mënyrën se si po transferoheshin paratë hungareze për mediat sllovene dhe maqedonase, dhe si po përdoreshin ato për të financuar makinerinë propagandistike partiake.

Megjithatë, qeveria e re sllovene që mori detyrën në mars – një koalicion i SDS-së së Jansës me Partinë Qendra Moderne, Sllovenia e Re dhe Partia Demokratike e Pensionistëve të Sllovenisë – e zëvendësoi kryetarin e komisionit parlamentar, i cili për pasojë nuk ka qenë aktiv vit.

Policia sllovene konfirmoi për BIRN më 23 nëntor se investigim i tyre është në vazhdim, por u shpreh se nuk mund të komentonte më tej.

Akuza maqedonase kundër hungarezëve

Policia financiare e Maqedonisë së Veriut ka ngritur akuza kundër Peter Schatz për evazion fiskal, ka mësuar BIRN.

Policia financiare i tha BIRN se Schatz ka bërë fitime të paligjshme për vete dhe kompaninë e tij CHS Invest Group, e cila është një pronare e shumicës së aksioneve të Alfa TV.

“Schatz nuk raportoi të ardhura në shumën totale prej 11,959,475 dinarë (rreth 190,000 euro)”, tha policia.

Sipas policisë, Schatz i shkaktoi buxhetit të Maqedonisë së Veriut që dëm prej rreth 19,000 eurosh.

Hetimi për pastrim parash kundër Schatz është ende në vazhdim. Në gusht të vitit të kaluar, policia financiare i kërkoi Zyrës së Prokurorit Publik të ngrinte paratë e një tjetër kompanie të Schatz, Target Media Shkup, për shkak të dyshimit se ajo po përdorej për transferimin e parave të mundshme të pista nga Sllovenia dhe Hungaria.

Përkundër atyre dyshimeve dhe një kërkese zyrtare, paratë nuk u “ngrinë”.

“Subjekti juridik Target Media përdoret vetëm me qëllim transferimin e fondeve direkt nga personat e huaj juridikë tek Alfa TV”, tha policia financiare.

Sipas policisë, kompanitë që u përdorën për transferime parash ishin Ripost Zaloznistvo nga Ljubljana dhe Ripost Media në Hungari.

“Ata nuk kanë asnjë punonjës, financimi i tyre vjen nga burime me origjinë të dyshimtë. Pra, ekziston dyshimi për një krim, shfrytëzim posti dhe autoritetit zyrtar, dhe fondet e transferuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga këto subjekte të huaja kryhen me qëllim fshehjen e origjinës nga ato vijnë nga një krim i mundshëm, duke përdorur fatura për shërbime të dyshimta marketingu”, shtoi policia financiare.

Peter Schatz nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.

Marrë nga Reporter.al

Shto Koment