LIVE UPDATES
Aktualitet

INVESTIGIMI: Dhënia e laboratorëve me koncesion frenon betejën e Shqipërisë ndaj COVID-19

18 Dhjetor 2020, 23:15 Nga DOSJA
INVESTIGIMI: Dhënia e laboratorëve me koncesion frenon betejën e

Mjeku dhe akademiku Genc Sulçebe është themeluesi i Imunologjisë në Shqipëri dhe përgjatë 10 muajve të pandemisë, ai ka shërbyer si burim i rëndësishëm informacioni dhe reference në përballjen me virusin vdekjeprurës Sars-Cov-2.

Por përtej këshillave për pandeminë, Sulçebe është përfshirë muajin e fundit në një betejë brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, QSUNT, që ka për synim mbijetesën e shërbimit laboratorik universitar të Imunologjisë.

Laboratori i drejtuar prej vitesh nga Sulçebe është një nga tre shërbimet e para diagnostikuese që kaluan nën administrimin e kompanisë koncesionare “Laboratory Network” si pjesë e kontratës së katërt të partneritetit publik privat në sektorin e shëndetësisë.

Por kur koncesionari nisi punën në fillim të nëntorit, Sulçebe e gjeti veten në një kthinë prej 50 metrash katrorë–e pamjaftueshme për të kryer diagnostikime dhe për të shërbyer njëherazi si qendër e kërkimit shkencor në fushën e Imunologjisë.

Sipas koncesionarit, kjo hapësirë është e mjaftueshme për aparaturat e teknologjisë së fundit për testet imunologjike. Por Sulçebe i tha BIRN se mungesa e hapësirës cenonte zinxhirin e funksionimit të laboratorit dhe planet e tij për të zgjeruar studimet mbi përhapjen e COVID-19 në Shqipëri.

“Ta zemë se merremi me manipulimin e ADN-së dhe kjo procedurë do hapësirë. Unë nuk mund ta bëj në një dhomë 35 metra katrorë,” u ankua ai.

Kontrata e partneritetit publik privat për shërbimin laboratorik të vendit u firmos nga qeveria shqiptare në prill 2019, pavarësisht protestave të dhjetra mjekëve dhe laborantëve. Ajo parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë mbi 13 miliardë lekë ose rreth 104 milionë euro për dhjetë vitet e ardhshme.

Kontrata u fitua nga konsorciumi i kompanive Labopharma dhe AB Laboratory Solution B.V me përfitues fundor biznesmenin Janis Karathano si dhe kompania franceze Exalab –të cilat zotërojnësë bashku kompaninë koncesionare Laboratory Network.

Por zbatimi i koncesionit në kohën kur vendi gjendet i mbërthyer nga pandemia e COVID-19 ka vështirësuar rritjen e kapaciteteve testuese ndaj COVID-19.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se laboratori i dytë i testimeve të COVID-19 u hap pas një raundi negociatash dhe një kontrate të shkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë koncesionare; ku përcaktohej kryerja e një numri të caktuar testesh brenda një periudhe 4-mujore, që parashikohej fillimisht të përfundonte në fund të dhjetorit.

Megjithatë, testimet ecën me ritëm të ngadaltë dhe laboratori u detyrua të punonte me staf të patrajnuar gjatë muajit nëntor, pasi laborantët e specializuar për testimet PCR u punësuan nga kompania koncesionare.

Përveç problemeve me pandeminë, mjekë dhe pedagogë të intervistuar nga BIRN thanë se lista e analizave që do të kryhet nga kompania koncesionare është e cunguar dhe rrezikon të sjellë probleme afatgjata në diagnostikimin e popullatës si dhe rritje të dyfishtë të kostove; si nga buxheti i shtetit ashtu edhe nga xhepat e qytetarëve.

Ata shprehën gjithashtu shqetësimin se “privatizimi” i laboratorëve mund të cenojë kërkimin shkencor në fushën e mjekësisë si dhe statusin e QSUT-së si qendra e vetme universitare në vend.

E pyetur nga BIRN, kompania koncesionare “Laboratory Network” tha se ‘po transformonte’ të gjithë procesin e diagnostikimit në vend, përmes rehabilitimit të laboratëve, futjes së aparaturave moderne dhe protokollit të ri të punës, që nga marrja e mostrave dhe deri te kompjuterizimi i çdo të dhëne.

Ndërsa përfituesi fundor i koncesionit, Janis Karathano mohoi që kompania e tij të ishte bërë pengesë për hapjen e laboratorit COVID, ndonëse pranoi se ‘nuk e kishte bërë me dëshirë’.

“Nuk është se e kam bërë me qejf të madh, pasi edhe unë vetë mund të bëja analizat e COVID, por kur bëhet fjalë për një gjë kaq të rëndësishme dhe për një marrëdhënie kaq afatgjatë që kemi me Ministrinë e Shëndetësisë, sigurisht që është gjetur pika e bashkëpunimit dhe unë nuk jam aspak pengesë,” tha ai.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Beteja për laboratorin e COVID

Shqipëria u përfshi zyrtarisht në listën e vendeve të prekura nga pandemia e COVID-19 në muajin mars dhe prej asaj kohe, janë kryer gati 229 mijë testime; numri më i ulët i testimeve në Europë për 1 milion banorë.

Deri më 16 dhjetor, pandemia preku mbi 50 mijë shqiptarë dhe u mori jetën 1040 qytetarëve.

Barra kryesore e testimeve është mbajtur nga Instituti i Shëndetit Publik, por kapacitetet e ulëta janë bërë shpesh objekt debati mbi mënyrën se si po menaxhohet pandemia nga autoritetet shqiptare.

Në kundërpërgjigje, Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 17 korrik hapjen e një laboratori të dytë të testimeve kundër COVID-19, ndërsa ministrja Ogerta Manastirliu e konsideroi këtë një investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare për rritjen e kapaciteteve të testimit.

Megjithatë, BIRN mësoi se hapja e laboratorit nuk ishte një proces i thjeshtë, në kushtet kur të drejtat për operimin e laboratorëve testues të vendit po i kalonin kompanisë koncesionare “Laboratory Network”.

Në muajin gusht, koncesionari mori nën administrim tre laboratorët kyçë të QSUNT-së; laboratorin Mikrobiologjik, atë të Imunologjisë si dhe shërbimin Klinik-Biokimik, të cilat iu nënshtruan rikonstruksionit. Ndërsa laboratori i COVID u vendos brenda ambienteve të shërbimit laboratorik të Mikrobiologjisë.

Sipas marrëveshjes së shkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë koncesionare, laboratori do të realizonte 12 mijë teste PCR për pacientët e shtruar në spitalet e dedikuara për kurimin e COVID-19 si dhe teste serologjike për grupin më të rrezikuar të mjekëve dhe infermierëve gjatë periudhës shtator-dhjetor.

Marrëveshja parashikonte gjithashtu që kitet dhe reagentët do të vendoseshin në dispozicion nga QSUNT dhe do të realizoheshin nga personeli i spitalit, ndërkohë që koncensionari do të vendoste në dispozicion ambientet.

Megjithatë, laboratori u përball me vonesa në sigurimin e testeve dhe deri në fillim të dhjetorit kishte kryer rreth 4 mijë teste PCR nga 12 mijë të parashikuarat.

Shefi i shërbimit të Mikrobiologjisë, Andi Koraqi i tha BIRN se njëra nga vështirësitë ishte stafi i patrajnuar, pasi një mjek dhe 6 laborantë të trajnuar për testimet PCR që prej muajit prill u detyruan të punësohen nga kompania koncesionare, pas ndërprerjes së kontratës nga QSUT.

Në fillim të nëntorit, Koraqi i tha BIRN se laboratori COVID ishte provizor dhe në këto rrethana, ai nuk mund të ofronte garanci për stafin.

“Koncensionari nuk priste derisa të mbaronte kontrata disa mujore… Dhe normalisht ata zgjodhën të ruajnë vendin e punës e të lidhin kontratë të re me koncensionarin, por ne jemi të penalizuar,” tha Koraqi.

Me 8 mijë teste të pakonsumuara dhe me numra të lartë të të infektuarve ditorë, palët u takuan sërish më 11 dhjetor dhe e rinegociuan marrëveshjen.

Në një bisedë të dytë me Koraqin në mesin e dhjetorit, BIRN mësoi se ishte vendosur që laboratori COVID të vazhdonte punën deri në dhjetor 2021.

“Nuk ka një kontratë të shkruar, por është një marrëdhënie mirëbesimi dhe laboratorit të COVID i është zgjatur afati deri në dhjetor të 2021,” tha Koraqi.

Ndryshe nga ai, kompania koncesionare i tha BIRN se afati mund të ndryshojë me miratimin e përbashkët me shkrim të palëve pas përfundimit të sasisë së testeve të përcaktuara në kontratë.

“Koncensionari ka vendosur në dispozicion të QSUNT infrastrukturën e nevojshme për realizimin e testeve dhe mbulon gjithashtu edhe shpenzimet operative, që lidhen me energjinë elektrike, ujin, ventilimin,” tha administratori i kompanisë, Sokol Ramizi.

“Në parim ky afat mund të ndryshojë me miratimin e përbashkët me shkrim të palëve,” shtoi Ramizi.

Negociatat e Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë koncesionare për të mbajtur hapur laboratorin e COVID nuk duartrokiten nga të gjithë. Mjeku dhe eksperti i shëndetësisë, Erion Dasho e konsideroi këtë një absurditet.

“Në kushte të tilla të jashtëzakonshme, siç është kjo pandemi me të cilën po përballemi, qeveria mund të marrë masa edhe të tipit që të përdorë prona të privatit,” tha Dasho duke iu referuar ligjit të shëndetit publik.

“Ndërkohë që ne jemi në situatën kur shteti i kërkon leje privatit që të përdorë një ambient që është i shtetit. Epo ky nuk është shtet!” shtoi ai.

Lista e cunguar e analizave

Dhënia me koncesion e shërbimit laboratorik të vendit u motivua nga Ministria e Shëndetësisë me rritjen e gamës së analizave dhe certifikimin e laboratorëve në standardet e Bashkimit Europian.

Sipas kontratës që BIRN e disponon, kompania koncesionare, Laboratory Network do të kryejë 164 lloje analizash me një tavan prej 6 milionë analizash në vit, ku peshën kryesore e mban QSUNT me 2.5 milionë.

Megjithatë, mjekë dhe laborantë i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se lista e analizave që do të realizohen nga koncesionari është më e vogël nga sa arrinin të bënin laboratorët publikë dhe larg nevojave reale për diagnostikë.

“Diagnostikimi i një sëmundje është 70-80%  diagnozë laboratorike, pra analiza, ekzaminime, ndërsa 20% është kontakti i drejtëpërdrejtë me pacientin. Dhe ti këtë shërbim kaq jetësor shkon e jep me koncension?” tha njëri prej mjekëve.

“Pra unë tani, për të vendos se çfarë analizash apo ekzaminimesh më duhen për një diagnozë të qartë më duhet të mendohem e bën apo jo privati, është apo jo në listë? Kjo është në kufijtë e absurditetit,” shtoi ai.

Një tjetër mjek mori si shembull analizën D-Dimer; e realizuar më parë në QSUT dhe e domosdoshme për një pjesë të pacientëve të infektuar me COVID, por që nuk gjendet në listën e koncesionarit për analizat mikrobiologjike.

“Tek lista e ekzaminimeve që ka sjellë koncensionari dhe që do të kryejë laboratori Mikrobiologjik mungon analiza e D-Dimer, që në këto kohë që po kalojmë, jo vetëm është thelbësore për të kuptuar nëse je i prekur nga COVID apo jo, por është një analizë që nuk ka laborator që nuk e kryen. Dhe ky nuk është një ekzaminim i ri si tamponi, ky është një tregues që është bërë më parë,” tha ai.

Ndryshe pretendon kompania koncesionare, e cila thotë se D-Dimer do të kryhet nga laboratori Klinik-Biokimik.

BIRN disponon listën e ekzaminimeve që do të realizojë kompania koncesionare në dy prej laboratorëve ku ka filluar punën dhe konstatoi se ka një reduktim të dukshëm në llojet e analizave.

Lista përban 37 lloje analizash për laboratorët e Imunologjisë dhe Mikrobiologjisë, ndërkohë që vetëm shërbimi laboratorik i Imunologjisë nën administrim publik mund të kryente deri në 74 lloje të ndryshme analizash.

Prej 2 nëntorit, laboratori i Imunologjisë mund të realizojë vetëm 11 ekzaminime imunologjike, ndërkohë që 6 analiza të tjera janë futur te Mikrobiologjia.

E njëjta skemë reduktimi ka ndodhur edhe me laboratorin Mikrobiologjik. Nëse më parë ata realizonin mbi 60 lloje të ndryshme ekzaminimesh, sipas listës që u ka dërguar koncensionari do të realizojnë vetëm 27 ekzaminime mikrobiologjike, plus 6 të tjera që janë ekzaminime  imunologjike.

Mjekët i thanë BIRN se laboratorët e tyre kishin kapacitete të mëdha testuese, por buxhetet ishin të limituara, ndaj ata zgjidhnin të kryenin analizat më të domosdoshme.

“Nëse do të kishte kite dhe reagentë, ne sigurisht kishim mundësi të kryenim shumë më shumë. Por njeherë mungonin kitet për x analizë, njëherë për një analizë tjetër e normal që punonim me kapacitet të reduktuar,” tha një prej laborantëve.

Mjeku Erion Dasho u bie këmbanave të alarmit se lista e cunguar e analizave do të rëndojë shëndetin e popullatës dhe xhepat e tyre –duke i detyruar ata të shkojnë drejt laboratorëve privatë.

“Fakti që numri i testeve është kaq i limituar, atëherë do të thotë që për testet jashtë kësaj pakete, xhepat e qytetarit do të rëndohen edhe më,” paralajmëroi Dasho.

Sipas Dashos, kjo do të dëmtojë më shumë shtresat e varfra dhe grupet vulnerabël, të cilët nuk kanë para për t’u testuar në spitalet private.

“Kjo është shumë e rrezikshme, pasi jo vetëm cenon cilësinë e kujdesit shëndetësor, por kjo mund të rrezikojë edhe shëndetin dhe jetën e pacientit,” shtoi ai.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se lista e ekzaminimeve mund të shtohet apo modifikohet me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtuesit e QSUNT thanë gjithashtu se të gjitha analizat e kryera nga laboratorët publikë në vitin e fundit do vazhdojnë të realizohen pa pagesë nga koncesionari, me materialet e vendosura në dispozicion nga spitali.

“Ju bëjmë me dije se për të gjitha analizat e kryera vitin e fundit nga QSUNT, të cilat nuk përfshihen në listën e analizave të miratuara sipas Kontratës PPP, sipas një marrëveshjeje nga autoriteti me konçensionarin, këto analiza do të realizohen pa pagese prej këtij të fundit duke i vënë QSUNT në dispozicion kitet dhe reagentët,”tha QSNUT.

Kompania koncesionare “Laboratory Network” dha një version të ndryshëm nga QSUT për ekzaminimet jashtë listës së kontratës, të cilat do të kryhen pa pagesë.

“Kontrata e partneritetit publik-privat ka përcaktuar listën e testeve që do të realizohen nga koncensionari. Kjo listë përfshin 164 teste. Kontrata parashikon  mundësinë e shtimit te testeve të reja si dhe procedurën që duhet të ndiqet në këto raste,” tha administratori i kompanisë.

“Deri në dorëzimin e laboratorit të fundit, pas 6 muajsh, koncensionari ka rënë dakord me QSUNT që të kryejë çdo lloj analize që ajo ka nevojë pa kosto shtesë, me kushtin që QSUNT të sigurojë kitet dhe reagentët,” shtoi ai.

I pyetur për listën e cunguar të analizave, Karathano u përgjigj se përgjegjësinë “duhet ta kërkojmë tjetërkund”.

“Unë jam privat dhe kryej vetëm ato analiza që më janë kërkuar. Nëse nesër do më kërkojnë 500 lloje analizash, unë jam i gatshëm t’i ofroj, pasi infrastruktura është ngritur,” tha Karathano.

Kërkimi shkencor në pikëpyetje

Në fillim të nëntorit, shefi i shërbimit laboratorik të Imunologjisë, Genc Sulçebe refuzoi të punonte për kompaninë koncesionare –ai është në kërkim të një strehe të re për laboratorin e Imunologjisë.

BIRN mësoi se ai mund të kalojë nën varësinë e Akademisë së Shkencave, për të vazhduar misionin e tij me studimet mbi COVID-19 në Shqipëri.

Largimi i Sulçebe përfaqëson një frakturë të dukshme mes laboratorëve të administruar tashmë nga koncesionari dhe statusit universitar të tyre –që nënkupton praktikën nga studentët e mjekësisë dhe zhvillimin e kërkimit shkencor.

Akademiku Sulçebe nuk është i vetmi pedagog dhe shef shërbimi që nuk ka pranuar të lidhë kontratë me kompaninë koncesionare –duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si këto shërbime do të funksionojnë në të ardhmen.

Edhe shefi i laboratorit

Mikrobiologjik, Andi Koraqi ka vendosur të qëndrojë në QSUNT, ndërsa roli i tij i ri do të jetë monitorimi i punës që bëhet në laborator dhe i cilësisë së ekzaminimeve, të cilat do t’ia raportojë drejtorisë e QSUNT.

“Unë do të jem në rolin e monitoruesit të laboratorit,” tha Koraqi. “Ndërsa si shef shërbimi nuk besoj se asnjë prej nesh rrezikohet, pasi ne jemi të zgjedhur dhe kemi qëndruar si pjesë e strukturës së QSUNT dhe jo e koncensionarit” shtoi ai.

Sipas ligjit “Për shërbimin Spitalor” të vitit 2003 dhe atij për “Kërkimin Shkencor” të vitit 2015, spitale terciare quhen spitalet me organizim teknik, pajisje mjekësore dhe me shërbime, që janë në gjendje të sigurojnë: ndihmë mjekësore të nivelit të lartë; punë kërkimore-shkencore, në bashkëpunim me departamentet e mësimdhënies: përgatitje profesionale dhe shkolla për kualifikimin e personelit ndihmës dhe teknik.

Kalimi i një hallke kyçe si laboratorët nën administrim privat i ndan mjekët në qëndrime sa i përket së ardhshmes së kërkimit shkencor.

Një pedagog që foli me BIRN në kushtet e anonimatit, ishte kritik dhe i drejtpërdrejtë.

“Aktualisht ne i kemi vënë kazmën kërkimit shkencor.E para nuk bën dot kërkim shkencor në laboratorët e privatit, pasi ai është kontraktuar vetëm për një numër strikt analizash,” tha ai.

“Kini parasysh që mjekësia ecën me hapa gjigandë dhe ekzaminimet laboratorike ndryshojnë nga viti në vit. Ne nuk do të mund të ecim me hapin e shkencës në këtë rast, pasi ne ia kemi dhënë privatit,” shtoi ai.

Por profesori Mentor Petrela, shefi i Neurokirurgjisë në QSUT mendon se evolucioni i laboratorëve në QSUNT në këto 30 vite nuk ndoqi nevojat në rritje të shërbimeve, ndaj e konsideron koncesionin si zgjidhjen më të mirë.

“Kalimi me koncesion është alternativa për të arritur standardet dhe garantuar rezultatet kur ky sektor nuk shkon mirë. A duhej bërë në bllok ose pjesë-pjesë, këtë nuk mund ta them,” tha Petrela.

Profesor Petrela mendon gjithashtu se orientimi drejt kostifikimit të shërbimeve do të ndryshojë mentalitetin publik të analizave pafund, dhe jo sipas taxonomisë.

“Rreziku i vetëm mbetet gjithnjë në PPP, që publiku nuk është aq i përgatitur dhe duhet të ketë kapacitete tekniko- financiare kompetente për të ndjekur kostot dhe konsumin, që nuk është gjithnjë e mundshme,”shtoi ai.

Drejtoria e QSUNT i tha BIRN se mjekët pedagogë do të vazhdojnë të realizojnë funksione kërkimore – shkencore, monitoruese dhe raportuese, duke përdorur infrastrukturën si dhe informacionin e vënë në dispozicion nga koncensionari.

“QSUNT ka për mision të shërbejë si bazë kërkimore – shkencore në fushën e shëndetësisë, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë Tiranës dhe struktura te tjera kërkimore shkencore dhe kjo nuk ndryshon me nënshkrimin e kontratës,” tha QSUNT, duke shtuar se pedagogët, studentët dhe specializantët do të kenë të drejtë të hyjnë në ambientet e laboratorëve.

Pronari i kompanisë koncesionare, Karathano i tha BIRN se pas refuzimit të shefave të shërbimeve, ata kanë punësuar dy drejtuese të reja teknike, të cilat plotësojnë statusin universitar që i duhet këtij laboratori.

Ai shtoi gjithashtu se kompania do të ishte e lumtur nëse studentët dhe profesorët do të realizonin edhe kërkim shkencor –që sipas tij do t’ia rriste vlerën laboratorit. Megjithatë, ai pranon se jo gjithçka ka shkuar siç duhet.

“Është absurde të mendosh se nuk do të lejoj të realizohet kërkimi-shkencor. Çdo profesor që do të bëjë një gjë të tillë është i mirëpritur, por deri tani askush nuk ka shkelur në derën e laboratorit,” tha Karathano.

“Do të isha i lumtur t’i mbështesja, por ata janë mësuar që të kenë secili laboratorin e vet,” përfundoi ai.

Marrë nga Reporter.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet laboratoret ne shqiperi laboratoret ne shqiperi

Sondazh

Poll
Aktualitet 18 Dhjetor 2020, 20:28

TIRANË- Mes lotësh, babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha, ka vendosur të dhurojë të gjitha paratë që i janë mbledhur pas vdekjes së të bir...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni