LIVE UPDATES
Aktualitet

INVESTGIMI/ Kullat e përkulura të Durrësit: Banorët përballen me ndërtuesit për cilësinë e punimeve

28 Prill 2020, 15:05 Nga DOSJA
INVESTGIMI/ Kullat e përkulura të Durrësit: Banorët

DURRËS- Në vitin 2014, Roland Marku dhe bashkëshortja e tij kontaktuan me Shefqet Kastratin – pronari i konglomeratit Kastrati Group, për blerjen e një apartamenti në qytetin e Durrësit, falë marrëdhënies shoqërore që kishte me të. “Na ka pritur shumë mirë dhe na ka thënë se ka pallat tek Currilat dhe tek Ujësjellësi,” kujton Marku. “Tha zgjidhni ku të doni dhe na priti aq mirë, sa tha vendoseni vetë çmimin, se kishim njohje,” shtoi ai.

Marku bleu një apartament 130 metra katrorë në rrugën “Dalip Peza” në Durrës, afër ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe pranë një lulishteje në hyrje të qytetit bregdetar. Kur mori çelësat e shtëpisë, ai vuri re se dy pllakat e dushit ishin të thyera dhe se nuk punonte asnjë prizë elektrike, por nuk u ankua. “Nuk e bëra problem se thashë ‘më ka qëlluar mua’. Më mbrapa e mora vesh që ishte i gjithë pallati,” kujton babai i katër fëmijëve. “Erdha këtu se thashë ka lulishte, janë të vegjël, të rriten siç jam rritur unë dhe të luajnë në lulishte,” shtoi ai.

Megjithë problemet që kishte apartamenti, shtëpia ishte e ngrohtë dhe Marku ishte i kënaqur. Por në mesin e vitit 2019, ai mëson nga një i njohur se pallati ‘kishte çeduar, ishte inklinuar.” Fillimisht Marku nuk donte ta besonte, por miku i tij i tha se problemi nuk ishte i ri dhe qe konstatuar që në kohën e vendosjes së ashensorëve të pallatit.

“Nuk ka mundësi i thashë – të ketë ikur pallati. Ka ikur më tha dhe qenka histori e vjetër. Që kur janë vendosur ashensorët, pallati ka qenë 28 centimetra i shtrembër,” kujtoi ai. I alarmuar, Marku e nxorri shtëpinë për shitje në treg, por përpara se ta blinte dikush, goditi tërmeti i 26 nëntorit dhe përkulja e kullës 12-katëshe gati u trefishua.

“Kur ra tërmeti, në orën 4 pa 10 [minuta] shkova të tërheq kalamajtë. Në momentin që sa i tërhoqa, kanë rënë të dy muret sipër krevatit,” tregon Marku. “Besoj në Zot nga tani e tutje, për arsye se Zoti na shpëtoi se po të kishte rënë 1 sekondë më përpara, fëmijët e mi i kishte mbytur,” shton 55-vjeçari. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se pallati i firmës “Kastrati” pranë Ujësjellësit nuk është i vetmi ndërtim që dyshohet se ka çeduar dhe është përkulur në Durrës. Të paktën dy ndërtesa të tjera shumëkatëshe – njëra nga të cilat me leje ndërtimi nga firma “Ndregjoni” por e ndërtuar sërish nga Kastrati dhe tjetra nga kompania Jedas, kanë shfaqur probleme të ngjashme strukturore.

Sipas dëshmive të banorëve, problemet strukturore të këtyre ndërtesave dhe cilësia e dobët e ndërtimit ishin konstatuar edhe më herët se tërmeti i 26 nëntorit, por autoritetet bënë një sy qorr ndaj ankesave dhe kallëzimeve të tyre. Banorët kundërshtojnë me forcë përpjekjet e ndërtuesve për t’i meremetuar pallatet, duke nënvizuar se kullat kanë pasur probleme përpara tërmetit. Disa insistojnë që ndërtesat të shemben dhe të ndërtohen të reja, ndërsa të tjerë kërkojnë garanci që do të riparohen siç duhet. Prokuroria e Durrësit i tha BIRN se ka regjistruar dy procedime penale në lidhje me pallatet e ndërtuara nga firmat Jedas dhe Kastrati. Prokuroria njoftoi se për pallatin e ndërtuar nga “Kastrati” po hetohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mashtrim me pasoja të rënda, i kryer në bashkëpunim”, ndërsa për pallatin e ndërtuar nga kompania “Jedas”, po hetohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.

I pyetur nga BIRN, administratori i firmës Ndregjoni, deklaroi se pallatin e përkulur e ka ndërtuar firma Kastrati. “Thjesht kemi marrë lejen,” shpjegoi Xhetan Ndregjoni. “E ka ndërtuar Kastrati,” shtoi ai. Ndërkohë, një administrator i Kastrati Group in tha BIRN se kompania nuk ishte më përgjegjëse për pallatet e dëmtuara pasi ato janë shitur. “Nuk kemi se për çfarë të shprehemi se ne nuk kemi pallate, jeni keqinformuar,” tha Bibil Kastrati.  “Se pallatet janë të banorëve, Kastrati i ka ndërtua por ato nuk janë më të Kastratit,” shtoi ai.

Ndërkohë, Bujar Doda – administrator i “Jedas’ Sh.p.k i tha BIRN se prokuroria po e hetonte çështjen, por nënvizoi se kur bashkia të jepte lejen do bëheshin riparimet dhe do ndërtesa do kthehej ashtu siç ishte. “E kam unë informacionin, analizat e betonit, hekurit, vertikaliteti i kolonave, kështu që pallati ka dëmtime vetëm në tulla, ato 3-4 kate që janë nuk kanë dalë për prishje,” tha Doda. “Kur të jepet leja nga bashkia do të bëhen këto riparimet dhe do kthehet në identitet sepse për fat të mirë unë aty banoj edhe vetë, tek ai pallat,” shtoi ai.

Tërmeti nxjerr në dritë problemet strukturore

Tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë e Mesme me 26 nëntor i mori jetën 51 viktimave dhe plagosi qindra të tjerë. Vala shkatërrimtare e goditjes u ndje në mënyrë të veçantë në Durrës, ku qindra ndërtesa u dëmtuan dhe u shpallën të pabanueshme, duke lënë të pastrehë disa mijëra banorë. Mes godinave shumëkatëshe të dëmtuara rëndë dhe të shpallura si të pabanueshme është edhe pallati i firmës Kastrati në rrugën “Dalip Peza” në lagjen 17 të Durrësit, pranë ndërmarrjes së Ujësjellësit; si dhe një pallat 12-katësh me leje ndërtimi nga kompania Ndregjoni në bashkëpunim me kompaninë Kastrati në rrugën “Stefan Dhima” në lagjen 17, tek ish Uzina Elektro-Mekanike, UEM.

Gjithashtu, i dëmtuar rëndë nga tërmeti mbeti dhe “Kompleksi Rezidencial Jedas” – i përbërë nga 3 kulla 12-katëshe dhe 270 apartamente. Në aktin e konstatimit për dëmet e tërmetit që mban datën 2 dhjetor 2019, Instituti i Ndërtimit e klasifikoi kompleksin Jedas të kategorisë “DS4” – shkalla e dëmit ‘dëmtim i rëndë’. “Në konstruksion ka plasaritje në kolona dhe muratura të rëna,” evidenton raporti.

Ndërsa pallati i ndërtuar nga kompania “Kastrati” u evidentua nga Instituti me shkallën e dëmtimit “DS3”, shkalla e dëmit ‘mesatare -dëmtime serioze’. Ndërkohë, pallati i firmës ‘Ndregjoni’ ka marrë një vlerësim DS2 – shkalla e dëmit mesatare deri në dëmtime serioze, ku vetëm apartamentet në pjesën perëndimore të ndërtesës janë cilësuar të pabanueshme. Megjithatë, edhe për këtë pallat është kërkuar një inspektim gjeologjik për shkak të cedimit. Lulzim Gjergji, ish-banor i kompleksit Jedas tregon se cilësinë e dobët të ndërtimit të pallatit e kishin kuptuar edhe përpara tërmetit, por nuk kishin pasur ku të ankoheshin.

“E kuptuam që kur vendosëm perdet, nuk gjetëm një shtresë betoni që të futej vida, vetëm shpo me trapano bira kot,” tha ai.  “Këtu është bërë një punim skandaloz, jo se ra tërmeti, por shtëpia ime për shembull nuk kishe ku të vendosje një gozhdë dhe cilësinë e nxori në pah tërmeti,” shtoi 50-vjeçari që jetonte me gruan dhe 2 fëmijët në katin e tretë të njërit prej 3 seksioneve të kompleksit rezidencial Jedas. I ngritur mbi truallin e ish-Uzinës së Mjeteve Bujqësore, kompleksi Jedas është ndërtuar 6 vite më parë nga firma me të njëjtin emër. Pas rënies së regjimit komunist, Gjergji bleu rrugën hyrëse të Uzinës dhe ndërtoi një shtëpi 2-katëshe dhe garazh, të cilën “e dha për pallat”. Në shkëmbim mori dy apartamente për vete dhe dy i mori xhaxhai i tij.

Kur ra tërmeti i parë në orën 3 të mëngjesit më 26 nëntor, Gjergji kujton se doli nga shtëpia dhe u ul në një kafe përballë pallatit për të qetësuar nervat. Por kur ra i dyti në orën 4, ai thotë se:  “u bëra sa një grusht, lemeri, tmerr”. “Kur nisi tërmeti, u çova se kisha familjen sipër dhe nga lokali deri në mes të rrugës u bllokova se u bë asfalti me dallgë,” tregon ai, duke shtuar se “pallati lëvizte nga njëra anë në tjetrën”. “Lemeri, zhurmë e llahtarshme. Ja bëja atij shokut që kishte hapur lokalin, u këput, u këput,” kujton Gjergji.  “Ajo ditë mos ardhtë kurrë, sepse u bë rruga në ngjyrë hiri,” shtoi ai.

Më 21 dhjetor, kur kryeministria Edi Rama vizitoi Durrësin së bashku me homologët Zoran Zaev nga Maqedonia e Veriut dhe Aleksandër Vuçiç nga Serbia, ata ndaluan për të parë dëmet edhe në kompleksin Jedas. “Erdhi dhe Rama, Vuçiçi e Zaevi këtu, e i thamë, o zotëri neve na kanë vjedhur,” tregon Gjergji. “Janë shembur muret komplet tek shtëpia,” shtoi ai. Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar i tha BIRN se nuk ka kryer një studim gjeologjik për pallatet e ndërtuara nga kompanitë Jedas dhe Kastrati në Durrës, “pasi nuk ka patur ndonjë kërkesë për studim të detajuar gjeologo – inxhinierik të sheshit të ndërtimit, nga asnjëri prej subjekteve para ndërtimit të këtyre objekteve.”

Megjithatë, me kërkesë nga nënkryetari i Bashkisë Durrës dhe me urdhër të Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës në kuadër të verifikimit të dëmtimeve të ndërtesave nga tërmëti i 26 nëntorit, një grup ekspertësh të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ka kryer vrojtime në terren në periudhën 17-24 dhjetor 2019. Për kompleksin e ndërtuar nga firma Jedas, grupi ka rekomanduar kryerjen e matjeve horizontale topografike në katin -1, në katin 0 dhe në katin e sipërm dhe matje topografike vertikale të kolonave, për të verifikuar inklinimin e pallatit. Vrojtime gjeologjike janë kryer edhe në pallatin e ndërtuar nga Kastrati.

“Në faqen lindore (nga mbrapa objektit) pranë pallatit “Kastrati ’’dhe në gjithë gjatësinë e objektit, si dhe nga faqja jugore, vërehen deformime të shkallëve, trotuareve dhe bordurave, jashtë themelit të objektit, të vendosura mbi mbushje dherash të pangjeshura,” shkruhet në raportin e përpiluar nga inxhinierët Pranvera Dokle dhe Olgert Jaupaj.  “Pretendohet që pallati ka çedim, pasi në faqen ballore, fugat mes seksioneve kanë ndryshuar distancën në pjesën e sipërme, thuajse e kanë zeruar, duke shkaktuar dëmtime në apartamentet përkatëse, por me sy të lirë, në sipërfaqen e tokës nuk duken elementë që të ketë ndryshuar marrëdhënien objekt-bazament,” shtojnë ata. Në këqyrjen e dëmeve të pallatit të ndërtuar nga firma Kastrati, dy inxhinierët ka vërejtur cedime, por nuk kanë rekomanduar verifikime të mëtejshme.

“Në faqet me orientim nga veriu dhe perëndimi, duken çedime të trotuarit dhe bordurave, të cilat mbështeten mbi mbushje dherash të pangjeshura mirë, dhe ndodhen jashtë themelit të objektit,” shkruhet në raportin e tyre. “Dhe në platformën jugore, nga hyrjet në objekt, vërehen deformime të horizontalitetit, por që nuk kanë lidhje me marrëdhënien objekt – bazament,” përfundojnë ekspertët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Sipas Lulzim Gjergjit, cilësia e punimeve në kompleksin Jedas ka qenë e keqe dhe e ardhmja e ndërtesës është e paqartë. “Për mendimin tim, nuk është bërë punë e mirë, se sot pallati duket që është anuar,” tha ai.  “Thonë presim analizat e betonit, të tokës, jo po do e marri turku, serbi, ky e ai dhe do përforcojë kolonat e do të bëjnë muret, se kanë rënë deri në kat të pestë,” shtoi ai.

Gjergji tha se ishte dakord që pallati të rikonstruktohej “deri sa thonë që është i riparueshëm”, por theksoi se në atë ndërtesë nuk do të ndjehej kurrë i sigurt. “Ne kërkojmë të bëhet si ka qenë, të riparohet, përderisa këta thojnë se është i riparueshëm,” tha ai. “Garanci nuk ka! Edhe një tërmet si puna e atij të bjerë ne na zë brenda, se është liruar i gjithi si pallat,” përfundoi ai.

Administratori i kompanisë ‘Jedas’ i tha BIRN se pallati do të rikonstruktohej sepse struktura ka dalë brenda parametrave. “Unë kam marrë analizat e Institutit të Ndërtimit që i ka bërë analizat me specialistët e vet, ku kanë dashur ata i kanë marrë analizat, kanë bërë edhe skanerin e hekurit dhe këto kanë dalë brenda parametrave, kushteve teknike që janë,” tha Bujar Doda. “E them me shumë përgjegjësi që pallati nuk do të prishet dhe do të kthehet në gjendjen që ka qenë,” shtoi ai.

Pallati pa pilota

Ndryshe nga inxhinierët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, banorët e pallatit të ndërtuar nga Kastrati nuk kanë ndenjur duarkryq. Përmes matjes me instrumentin e plumbçes dhe matjes së kryer nga një topograf, ata kanë konstatuar se pallati është anuar në anën veriore 62 centimetra. “Pasi ra tërmeti, pas 2 ditësh mora një inxhinier privat dhe më doli nga inxhinieri çedimi me 62 centimetra dhe nuk e bëra publike, se thashë me sa e njoh unë kompaninë, isha i sigurt 100% që do e bënte pallatin,” tha Roland Marku. Në fillim të muajit dhjetor, kompania “Kastrati” ngjiti në hyrjen e pallatit në lagjen 17 një njoftim që u drejtohej banorëve për të zbrazur apartamentet brenda datës 20 dhjetor, sepse do të niste rikonstruksioni i pallatit. Megjithatë, ky lajmërim në dukje i parakohshëm, në vend që ta qetësonte Markun, e shqetësoi edhe më shumë atë. Ai pyeti administratorin e pallatit, i cili e informoi se kërkesa kishte ardhur nga Bilbil Kastrati.

Marku, i cili banon tashmë në një shtëpi me qira në fshatin Arapaj, mori një takim tjetër me Shefqet Kastratin dhe ai kujton t’i ketë thënë se nëse nuk do e rikonstruktonte firma e tij pallatin, do i kalonte shtetit si përgjegjësi, por 55-vjeçari nuk ishte i bindur. “Si mund t’i kalojë shtetit kjo, kur ka lëvizur që kur ishte karabina; si mund t’i kalojë shtetit kur ky pallat nga A-ja tek Zh-ja ka qenë gabim,” pyet ai. “Unë aty pra pësova një zhgënjim tjetër, se thashë ky e di dhe po tallet përsëri me ne,” shtoi Marku. Më 22 janar, kompania Kastrati dërgoi në një mbledhje me banorët në sheshin përpara pallatit përfaqësues të kompanisë dhe inxhinierin konstruktor Dhimitri Papa, i cili kishte përgatitur projektin për rikonstruksionin e ndërtesës.

Papa u tha banorëve se kishin bërë në çdo kat të pallatit testet dhe kontrollin e kolonave të betonit dhe dëme strukturore nuk kishte, por kufizoheshin në muraturat e tullës. Sipas Papës, defektet e objektit konsistojnë te fakti që kafazi i ashensorit nuk ishte me beton si dhe te fuga ku objekti ndahet në mes. “Nga ekzistenca e kësaj fuge që nuk ishte në gjerësinë e duhur – se ajo duhej të ishte 40 centimetra që të mos përplaseshin objektet, fuga është gati 10 centimetra, ka ardhur dhe përplasja e objekteve gjatë tërmetit. Nga kjo përplasje nuk janë shkaktuar dëme në trarë dhe kolona,” u tha Papa banorëve.

Ndërkohë, Papa pranoi se përkulja e pallatit nuk ka ardhur si pasojë e tërmetit, por gjatë ndërtimit. “Inklinimi i objektit, kur më kanë sjellë matjet e para, që janë 48 centimetra në veri dhe 20 centimetra në anën tjetër, thashë kjo nuk është nga tërmeti, ka ardhur gjatë ndërtimit,” shtoi ai në takimin me banorët. “Përgjegjësia është e [inxhinierit] konstruktorit të objektit,” nënvizoi Papa.

Sipas Papës, kompania kishte eksploruar mundësinë e drejtimit të pallatit, por diçka e tillë sipas tij ishte teknikisht e pamundur. Ai u tha banorëve se varianti i parë i konsultuar me kompani turke dhe maqedonase, kërkonte kriko 2 mijë tonëshe. “Jemi ulur dhe na thanë, ne me kriko nuk e drejtojmë dot, se nuk kemi ku të mbështesim krikon. Do një pallat tjetër ngjitur të fortë, ose një makineri tjetër që të ushtrohet kriko dhe të shkojë në vend pallati,” tha Papa, duke shtuar se u përjashtua projekti me kriko.

Sipas inxhinierit të kontraktuar nga kompania Kastrati, varianti i dytë i ndërhyrjes për ndërtimin e pallatit ishte me blloqe betoni çerek metër kubshe, të cilat kapnin një peshë të përllogaritur prej 7500 ton, por shtoi se edhe ky variant nuk jepte asnjë garanci. “Projekti ka qenë pa pilota, e ke të miratuar në bashki, shko shihe,” ka thënë Papa. “Nëse ju keni një kompani, një UFO që i del për zot ta drejtojë pallatin, ne e përqafojmë që nesër,” përfundoi ai.

Ndryshe nga se pretendoi inxhinieri Dhimitri Papa gjatë takimit, në projektin konstruktiv që BIRN mori nga banorët, rezulton që në themelin e pallatit ishin të parashikuara 832 pilota nën themel. Megjithatë, sipas një relacioni tekniko-ligjor të përpiluar për llogari të banorëve, pilotat nuk ishin ndërtuar përpara hedhjes së themeleve. “Nuk është respektuar rekomandimi Nr. 5 i gjeologut, për të zbatuar themelin si pllakë betonarme e kombinuar pilota,” thuhet në relacionin tekniko-ligjor të përgatitur për llogari të banorëve më 18 shkurt 2020.

Roland Marku e konsideron të papranueshëm propozimin e kompanisë për të riparuar pallatin pa pilota. “Pallati ka çeduar, ka ikur dhe mbrapa dhe anash, nuk bëhet më gjë aty se është pa pilota,” tha ai. “Për ato lekë që kam dhënë, se kjo shtëpi nuk ka asnjë vlerë, sepse nesër fëmijët e mi aty, duke ditur që po rregullohen muret kur pallati ka ikur shtrembër, nuk pranojnë të futen,” përfundoi ai.

Ndërkohë, Bibil Kastrati i tha BIRN që zgjidhjen për pallatin duhet ta japë shteti, sepse banorët nuk ka pranuar që të bëhen riparime nga kompania. “Banorët kanë mbi 5 vjet që banojë dhe kanë marrë edhe tapitë,” tha ai. “Kështu ngelet për tu marr shteti se banorët nuk kanë pranuar t’i mbyllim ne si dëme që janë dëmtuar,” shtoi Bilbil Kastrati.

Symbyllur ndaj kallëzimeve

Bashkim Xhika e bleu apartamentin e tij prej 86 metrash katrorë në pallatin e firmës Ndregjoni në rrugën “Stefan Dhima” në Durrës me sterlina. Me origjinë nga fshati Fushë Çidhën në Dibër, Xhika ka punuar për 17 vjet si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar dhe për shkak të një sëmundjeje profesionale, ka dalë në pension të parakohshëm. “Punoja në një frigorifer -20 gradë Celsius dhe për 2 vite qëndrova në spital, operova shpatullat,” rrëfen 60-vjeçari.

Pallati ku ai banonte u ndërtua përmes një lejeje ndërtimi të lëshuar në vitin 2011 nga Bashkia e Durrësit për një godinë me 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Por ndërtesa u realizua me 2 kate shtesë nga ndërtuesi. Pallati ka 42 apartamente dhe para tërmetit të 26 nëntorit jetonin 40 familje. Sipas Bashkimit, edhe pse leja e ndërtimit është marrë nga firma Ndregjoni, pallati është ndërtuar sërish nga firma Kastrati. “Këtu ka vetëm 1 emër, por që të mos dilte në skenë Kastrati, në tabelë u vendos emri i kompanisë Ndergjoni,” tha Xhika. “Në atë kohë që kishte shumë biznese e merr si leje “Ndergjoni” dhe ia ka blerë me noteri “Kastrati”, pa filluar punë fare,” nënvizoi ai, duke shtuar se ai vetë ia kishte blerë apartamentin Kastratit me noteri.

Xhika i tha BIRN se e ka blerë apartamentin në ndërtim e sipër nga sipërmarrësi Bilbil Kastrati. Ai kishte dhënë kaparin edhe për një dyqan, por kur u kthye nga emigrimi në mars 2018, vuri re se pallati kishte çeduar, ishte anuar në njërën anë dhe bëri kallëzim në polici. “Kur shkova në polici, më ndihmuan edhe banorët,” kujton Xhika. “Bëra denoncimin me pretendimin se pallati ka çeduar në njërin krah dhe unë nuk lejoj të bëhet asnjë punim këtu,” shpjegoi ai, ndërsa shtoi se “nuk di të ketë nisur hetim prokuroria në atë kohë.”

Si shumë ndërtesa në Durrës, pas tërmetit të 26 nëntorit pallati ka mure të plasaritura, por nuk janë plasaritjet ato që e shqetësojnë Bashkim Xhikën. Sipas disa matjeve topografike që Xhika pretendon se janë bërë nga bashkia e Durrësit pas tërmetit, ndërtesa ka çeduar – në veri me 40 centimetra deri në 7 kate, ndërkohë me 53 centimetra ka çeduar për të gjitha katet. “Kanë plasur muret, por kjo është e arsyeshme. I paarsyeshëm është çedimi i pallatit, që do të thotë se plateja e tij ka lëvizur,” shpjegoi Xhika. “Mospilotimi dhe mbingarkesa janë dy gjërat kryesore pse ka ikur pallati me një krah edhe tani e kupton se hapet dera vetë, se është dishezë,” shtoi ai.

Dy ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, Xhika i është drejtuar përsëri policisë për të bërë kallëzim ndaj firmës ndërtuese, po e përzunë duke i thënë se nuk lejohen denoncimet. Ai thotë se në Prokurorinë e Durrësit nuk e futën as brenda në ndërtesë. Xhika kujton se iu ankua një gazetari të RTSH-së, se nuk i merrnin denoncimin dhe ai foli me kryeprokuroren, e cila i tha të rikthehej dhe të bënte denoncimin në organin e akuzës.

“U detyruan ta marrin denoncimin, kallëzimin për çedimin – është referuar në prokurori,” tha Xhika. Megjithatë, edhe pse arriti ta bënte kallëzimin, Xhika u dëshpërua kur pa që oficerja e policisë gjyqësore, Emiljana Mema – e ngarkuar të bënte hetimet, kishte një marrëdhënie të ngushtë me punonjësit e firmës së ndërtimit të pallatit. Duke e vënë re këtë marrëdhënie, Xhika iu ankua Memës, por ajo ia preu shkurt dhe sipas tij – shkoi të pinte kafe me punonjësit e kompanisë.

“Mos përhapni panik tha – se pallati është një nga më të mirët në Durrës,” kujton Xhika t’i ketë thënë oficerja e policisë gjyqësore. “Ajo na bën presion psikologjik, ekonomik dhe fizik që ne të ndryshojmë drejtimin, që të tërheqim denoncimin,” shtoi ai. Xhika ankohet se edhe prokurorja e çështjes nuk ka shprehur ndonjë interes për hetimin.

“Ata vijnë për të tërhequr denoncimin, jo për të bërë veprimet ndaj pallatit,” tha 60-vjeçari. “Tani edhe prokurorja e çështjes po mundohet ta largojë problemin,” shtoi ai. Xhika pretendon se oferta dhe kërkesa për të tërhequr denoncimin ka marrë nga shumë njerëz, përfshi juristin e kompanisë “Kastrati” dhe nga vetë Bilbil Kastrati. “Mua m’i kanë ofruar lekët e mia, por unë nuk kam si t’ia bëj komshinjve,” tha ai. “Që të tërhiqja denoncimin, 16 vetë më kanë ardhur,” shtoi Xhika.

Prokuroria e Durrësit nuk i përgjigj një kërkese për koment mbi akuzat e Z. Bashkim Xhika. Sot 60-vjeçari jeton me qira, pasi apartamenti i tij është dëmtuar rëndë gjatë tërmetit. “Të gjitha mobiljet, vetëm dhoma ime ka shpëtuar, të tjerat janë dëmtuar të gjitha. Plus asaj, edhe dritarja ka pas ngelur e varur dhe e kam hequr vetë, që të mos i bjeri ndonjërit në kokë dhe të mos krijojë ndonjë aksident,” tregon ai. “Gjithçka ka rënë në tokë, se i kam pas montuar nga dyshemeja në tavan, që të mos i lëviz më kurrë. Por erdhi puna që këto u lëvizën,” shtoi ai.

Sipas Bashkim Xhikës, kompania është ofruar të meremetojë muraturat e plasaritura, por jo çedimin e pallatit, që sipas tij “ka ikur në plate, ka çeduar dhe nuk ka rregullim në asnjë vend të botës.” “Kompania tha mos përhapni panik, do rregullojmë tullat,” kujton Xhika, por shton se banorët e hodhën poshtë ofertën. “Ne kërkojmë të prishet pallati dhe të ndërtohet po këtu me pilota, se shtëpinë e blemë këtu,” përfundoi ai.

(Marrë nga Reporter.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet ndertuesit ne durres termeti ne durres ndertuesit ne durres termeti ne durres

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni