PolitikeRajoni

Intervista e Ramës në TV serb e porositur? Mediat serbe ndezin polemikë: Gazetarja, ish-gruaja e Vuçiç, i shërben ende presidentit

  • Gazetarja serbe rrëfen si reagoi Rama kur i tregoi tre gishtat
  • Rama flet në mediat serbe, për “Shqipërinë e Madhe”: Jemi vëllezër
  • Intervista e Ramës në televizionin serb ndez polemikë në mediat e Beogradit. Shkak, gazetarja që intervistoi shefin e qeverisë shqiptare. Ksenija Vuçiç ose tanimë, Jankoviç, është ish-gruaja e presidentit Vuçiç. Mediat serbe shkruajnë se ajo i shërben ende Vuçiç.
    Featured image of article: Intervista e Ramës në TV serb e porositur? Mediat serbe ndezin polemikë: Gazetarja, ish-gruaja e Vuçiç, i shërben ende presidentit Kryeministri Edi Rama, gazetarja që e intervistoi dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç

    Intervista e Edi Ramës në Televizionin serb Pink, bëri bujë në Serbi dhe Shqipëri.

    Në mediat shqiptare gjeti jehonë thirrja e përsëritur e Ramës që Serbia të njohë Kosovën, justifikimi i tarifës speciale për produktet serbe dhe mbrojtja që i bëri bukëpjekësit shqiptar, duke përfituar nga rasti për të bërë shenjën e shqiponjës.

    Ndërsa në Serbi, mbi të gjitha bëri jehonë fakti se gazetarja ia hodhi poshtë argumentin e bukëpjekësit duke i thënë se ai vazhdon të jetojë në Beograd dhe mbi të gjitha, për 3 gishtat që i tregoi Ramës.

    Duke i bërë shenjën e 3 gishtave që përdoret ende nga grupimet politike apo parapolitike të shovinistëve serbë, gazetarja duket se nxori lajmin më të madh nga intervista.

    Këto u thanë, mbeti pa u thënë se gazetarja Ksenija Vuçiç është ish – bashkëshotrja e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe ka 2 fëmijë me të.

    Ajo është divorcuar me presidentin serb, por mbajnë marrëdhënie shumë të mira, aq sa ajo nuk i është kthyer mbiemrit të vajzërisë Jankoviç pas divorcit, por ka mbajtur atë të ish – bashkëshortit.

    Gazetarja ka një emision të rëndësishëm në televizionin Pink, pronari i të cilit është mik i afërt i Aleksandar Vuçiç.

    Madje siç mund ta shihni në këtë artikull në gazetën serbe Espreso, ajo vazhdon të mbështesë ish – bashkëshortin dhe e përdor emisionin në favor të tij.

    “Ksenija Vuçiq është shumë aktive në Tëitter, por për ata që nuk e dinë se kush është nëna e fëmijëve të Vuçiqit, djali Danilo dhe vajza Milica, është mundësia ta bëjë këtë tani”, thuhet në artikullin e Espreso, që titullohet “E dini si duket dhe si tingëllon gruaja e Vuçiç?”.

    Nëntitulli thotë pak më shumë:

    “Gazetarja Ksenija Vuçiç në TV Pink është duke udhëhequr shfaqjen Pravac (Drejtimi), në të cilën ajo mbron autoritetin e Vuçiçit”.

    Më pas, gazeta jep detaje nga jeta private e Presidentit që e quan të dhimbshme, për shkak të divorcit që pati në 2013 me Ksenijan për t’u martuar po atë vit në dhjetor me Tamara Gjukanoviç, një punonjëse e Ministrisë së Jashtme serbe.

    Disa muaj para martesës, ai u kap nga paparacët, siç mund ta shihni në foto, në një restorant me të dashurën që u bë gruaja e dytë dhe që mesa duket shkaktoi divorcin.

    Megjithatë ndarja nuk e prishi marrëdhënien e ngushtë politike mes Aleksandrit dhe Ksenijas.

    Ata vazhdojnë t’i shërbejnë njëri- tjetrit, ai nga politika në mendia, ajo nga media në politikë.

    Për gazetarët serbë, edhe intervista me Kryeministrin e Shqipërisë ishte një shërbim i nevojshëm për Presidentin serb, ndërsa premtimi që Rama do kujdesej për Ksenijan në Tiranë, nëse ajo ngrinte 3 gishtat, ishte një premtim miqësor që në fakt i bëhej Aleksandër Vuçiçit.

    Shto Koment