Politike

INTERVISTA E PLOTË: Sonja Biserko qëndrim ndryshe: “Open Ballkan” nuk zgjat, Vuçiç duhet të njohë Kosovën. I pakënaqur kur u zëvëndësua Thaçi, Kurti është një fenomen i ri

Në intervistën e dhënë ajo ceku tema të ndryshme që kanë shkaktuar tensione së fundmi, përfshirë; Ballkanin e Hapur, dialogun në Bruksel dhe qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti gjatë negocitatave.
Featured image of article: INTERVISTA E PLOTË: Sonja Biserko qëndrim ndryshe: “Open Ballkan” nuk zgjat, Vuçiç duhet të njohë Kosovën. I pakënaqur kur u zëvëndësua Thaçi, Kurti është një fenomen i ri Sonja Biserko

TIRANË– Sonja Biserko, presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora e Betit” për gazetaren e moderatoren Beti Njuma. Në intervistën e dhënë ajo ceku tema të ndryshme që kanë shkaktuar tensione së fundmi, përfshirë; Ballkanin e Hapur, dialogun në Bruksel dhe qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti gjatë negocitatave.

Ajo u shpreh kundër nismës së ndërmarrë, “Open Ballkan”, duke u shtuar se mendonte që nuk do të mbijetonte si iniciativë, për shkak se nuk ishte në perspektivë të Bashkimit Europian. Po ashtu, ajo shtoi “Ballkani i hapur” është më shumë një lëvizje nul kundrejt BE-së që i kundërshti integrimit europian. Gjithashtu ajo shtoi se Beogradi zyrtar duhet ta ndryshojë pozicionin e vet dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke vlerësuar qëndrimet dhe posturën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk mendoj se do të mbijejtojë si iniciativë, sepse një iniciativë e vërtetë rajonale duhet të ketë perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe deri më tani nuk e shohim këtë. Po ashtu mendoj se presidenti Vuçiç ishte më i pakënaquri kur u zëvëndësua presidenti Thaçi, sepse kishte një lloj marrëveshjeje me të. Kurti është një fenomen i ri në skenën politike ballkanike – një i ri me etikë dhe idealet që kërkon të çojë përpara,”-tha ajo.

INTERVISTA E PLOTË:

Beti Njuma: Zonja Biserko faleminderit për kohën që na kushtuat për të diskutuar disa çështje të rëndësishme në Ballkan – trekëndëshin midis Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Së pari, çfarë mendoni për nismën “Mini Shengen”, të emërtuar “Open Balkan”? Vendet e rajonit, veçanërisht qeveria e Kosovës janë kundër.

Biserko: Kjo është një iniciativë e ndërmarrë nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama, por mendoj se nuk po kuptohet qartë se iniciativa e rëndësishme për Bashkimin Europian dhe veçanërisht për Gjermaninë është “Procesi i Berlinit”. Sepse Gjermania vijon me Procesin e saj të Berlinit, një projekt rajonal, që ka dhënë disa nga efektet e tij të rëndësishme, por nuk pati një rrugëtim të rregullt. Ndërsa “Ballkani i hapur” apo “mini Shengeni” është më shumë në nivelin e konceptit, nuk ka ndonjë gjë konkrete rreth tij, dhe kjo sepse nuk përshtatet me kriteret dhe ligjet e Bashkimit Europian, dhe kjo është arsyeja pse BE-ja dhe Gjermania nuk janë shumë të dhëna pas këtij projekti.

Beti Njuma: Nuk ka asgjë konkrete por liderët, Rama, Vuçiç dhe Zaev kanë folur për integrimin rajonal. çfarë integrimi rajonal do të ishte nëse Kosova Mali i Zi dhe Bosnje- Hercegovina nuk janë pjesë e nismës?

Biserko: Nuk mendoj se do të mbijejtojë si iniciativë, sepse një iniciativë e vërtetë rajonale duhet të ketë perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe deri më tani nuk e shohim këtë. “Ballkani i hapur” është më shumë një lëvizje nul kundrejt BE-së dhe që duket se po i bën kundërshti integrimit europian.

Beti Njuma: Si mendoni, kush po favorizohet nga kjo nismë? A po bëhet Serbia një lloj lideri në rajon, dhe, gjithashtu, “një fëmijë i llastuar” nga Europa, siç deklaroi presidentja Vjosa Osmani?

Biserko: Mendoj se është ambicje e Serbisë për t’u bërë një lider rajonal, dhe të gjitha iniciativat, përfshirë “Ballkanin e hapur” dhe veprimet e ndërmarra në Mal të Zi dhe në Bosnje mund të shihen në kontekstin ku Serbia mëton lidershipin. Mendoj se kjo reflekton ambiciet imperiale disadekadëshe të Serbisë, por kjo cënon integrimin euroatlantik të Ballkanit perëndimor, sepse mendoj që asnjë nga këto shtete nuk mund të bëhet lider, sepse shtetet e tjera që janë më të vegjël, e deri më tani të brishtë e të pakonsoliduar dhe me probleme me kufijtë, nuk do ta njohin Serbinë si lidere, sepse nuk i besojnë qëllimeve të saj. Kjo është e rëndësishme që të mbahet parasysh. Serbia duhet të përballet me realitetin në rajon dhe barazinë me të gjithë partnerët fqinjë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të avancuar kah integrimi europian.

Beti Njuma: A mundet “Ballkani i Hapur” të jetë nismë e suksesshme pa u bashkuar tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor?

Biserko: Sigurisht që bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe një ndër kriteret më të rëndësishme të BE-së në lidhje me Ballkanin perëndimor, por për shkak të turbullirave në kontekst ndërkombëtar, brenda Bashkimit Europian, në rajon e më gjerë, mendoj se vetëm ideja e integrimit europian është largpamëse për shumë arsye. Por, fatkeqësisht, BE-ja nuk e ka ndjekur politikën e saj të zgjerimit me Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë, që mendoj se nuk është e drejtë. Dhe Kosova nuk po bëhet pjesë e zonës Shengen. Shumë nga liderët rajonalë dhe qytetarët janë të zhgënjyer dhe mbështetja për BE-në po bie për shkak të propagandës, veçanërisht në Serbi që është shumë anti-europiane, ndërsa Serbia po luan tani një lojë mes gjithë këtyre aktorëve që janë të përfshirë në rajon: Rusia, Kina, Turqia, BE-ja, Amerika dhe Gjermania, si shteti më i fortë brenda BE-së, më i interesuari dhe i përfshiri në Ballkan. Pra, të gjitha këto iniciativa duhet të jenë në sinkron me kriteret e Bashkimit Europian, përndryshe nuk janë duke kontribuuar në procesin e integrimit europian dhe normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

Beti Njuma: Ju sapo thatë se shumë vende janë përfshirë në Ballkan. Çfarë mund të themi për Gjermaninë? Kancelarja gjermane vizitoi Serbinë dhe Shqipërinë?

Biserko: Gjermania është vendi më i rëndësishëm për Ballkanin perëndimor. Kjo vizitë e Merkelit në rajon duhet të shihet në prizmin e momentumit që ndodhet rajoni, që do të thotë se ka një rrezikshmëri të lartë dhe moment destabilizimi, veçanërisht sulmi serb në Mal të Zi dhe mungesa e ballafaqimit të Serbisë me realitetin në rajon. Mendoj se Merkeli po vjen për të konfirmuar trashëgiminë e saj, që nuk është e vogël. Së pari, ajo është një nga aktorët që kontribuuoi për marrëveshjen e Brukselit e më pas nisi procesin e Berlinit. Ajo ndaloi ndarjen e Kosovës, që është edhe gjëja më e rëndësishme, sepse do të sillte realitet të ri në Ballkan, e me shumë mundësi edhe konflikt. Ajo vjen edhe për të dhënë një mesazh në rajon kundër çdo ndarjeje apo ndryshimi kufinjsh. Gjithashtu do të largojë vëmendjen nga “Ballkani i hapur” për të përforcuar Procesin e Berlinit duke i bërë bashkë të gjitha vendet në këtë iniciativë.

Beti Njuma: Le të flasim për pozicionimin e Kosovës. Për kryeministrin Kurti është një nismë pa vizion. Ai ka bërë thirrje që rajoni të hyjë në një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian. A është kjo rruga e duhur?

Biserko: Albin Kurti për shumë arsye do të thoja se e sheh në mënyrë të përshtatshme dialogun me Beogradin, edhe pse nuk ka ndonjë progres në bisedime. Mendoj se Beogardi duhet ta ndryshojë pozicionin e vet dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse ky është një fakt i rëndësishëm për dinamikën e së ardhmes së rajonit dhe i shërben progresit të Ballkanit për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Mendoj se konteksti i formatit të dialogut, se marrëveshjet e Brukselit të nënshkruara më 2013-ën dhe 2015-ën, nuk kanë avancuar; ndërkohë që kishim edhe marrëveshjen për ndarje që u kundërshtua nga Gjermania, kancelarja Merkel më saktë. Pra, ai ka shumë të drejtë që kërkon një format të ri të dialogut.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Beti Njuma: Zonja Biserko Kryeministri Kurti tha gjithashtu se “Ballkani i hapur” tingëllon më shumë si “Ballkan i hapur për ndikimin nga Lindja, veçanërisht nga Rusia dhe Kina”. Edhe ju folët për këtë ndikim.

Biserko: Rusia sigurisht që po mundohet që të fitojë pikë në arenën ndërkombëtare, dhe Ballkani perëndimor është zona perfekte për të ushtruar ndikimin e saj në rajon, dhe për të konfrontohet me kohezionin e BE-së, NATO-s dhe Amerikës. Në rastin e Malit të Zi testuan për shembull përkrahjen e NATO-s për vendet e vogëla anëtare. Ka shumë gjëra në lojë në këto momente, dhe shumë lëvizje pas perdeve, qartësisht diçka po ndodh dhe vizita e Merkelit është tregues i kësaj.

Beti Njuma: Zonja Biserko, kryeministri Rama duke folur në një konferencë në Athinë deklaroi se gjërat kanë ndryshuar në drejtimin e gabuar për të gjithë ne. Ai paralajmëroi ministrat e BE -së për rritjen e nacionalizmit. A mendoni se ka rritje te navionalizmit? Ju keni shkruar një libër për shpërthimin e nacionalizmit Jougosllav, për nacionalizmin agresiv që vazhdon të jetë problem edhe sot.

Biserko: Po, kjo është e vërtetë. Por mendoj se koncepti i Jugosllavisë është i ndërlidhur me dy koncepte që po përballemi: koncepti serb i qendërzimit të Jugosllavisë, dhe decentralizimi apo një lloj aleance e shteteve. Për shembull, Serbia po vijon sistematikisht me integrimin ekonomik dhe kulturor të Republikës Srpska në hapësirën e Republikës Serbe. Dhe ka shumë veprime të tjera në këtë drejtim si hapësira kulturore serbe, dhe mund t’i shohësh këto në sjelljen e Dodikut dhe të të tjerëve në republikën Srpska dhe Serbi. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është propaganda e vazhdueshme që po mundohet t’i jap formë opinioneve të reja dhe një identiteti të ri për kombin serb.

Beti Njuma: Beogradi refuzon ta pranojë realitetin e ri. Kanë kaluar dy dekada nga lufta dhe Kosova ka ende çështje të pazgjidhura me Serbinë dhe refuzimi i saj për të njohur pavarësinë e Kosovës mbetet një pengesë e vazhdueshme për bashkëpunimin rajonal.

Biserko: Për sa kohë që dy çështje, Kosova dhe Bosnja, nuk po marrin zgjidhje, nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal. Sepse, së pari, është e rëndësishme që Serbia ta pranojë realitetin. Edhe pse e dëgjojmë presidentin Vuçiç të thotë se e njeh integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës, por në realitet nuk është ashtu. Sa i përket Kosovës, thonë se nuk do ta njohin kurrë atë. Mendoj se ky është edhe reflektim i situatës ndërkombëtare, siç e thashë edhe në fillim, sepse vendet e perëndimit që krijuan një arkitekturë të re euroatlantike për Ballkanin janë në tërheqje, po të marrim parasysh edhe largimin nga Afganistani. Beogradi mendon se tani Perëndimi është më i dobët dhe se tani ata mund të ndjekin një agjendë agresive, diçka që shihet qartë.

Beti Njuma: Zonja Biserko, po citoj – Ai më pyeti kur do ta njihja pavarësinë e Kosovës? Unë thashë kurrë, ” Këto janë fjalët që zoti Vuçiç u tha gazetarëve pas takimit me Kurtin, gjatë tryezës së dialogut të nivelit të lartë Beograd – Prishtinë. Cila do të jetë e ardhmja e këtij dialogu?

Biserko: Mendoj se presidenti Vuçiç ishte më i pakënaquri kur u zëvëndësua presidenti Thaçi, sepse kishte një lloj marrëveshjeje me të. Kurti është një fenomen i ri në skenën politike ballkanike – një i ri me etikë dhe idealet që kërkon të çojë përpara. Nuk e di se sa do t’ja mbërrijë, sepse varet nga rrethanat vendore, por sigurisht që është një kualitet i ri në skenën politike dhe Vuçiç nuk e kalon dot lehtë me të. Ka ende një lloj fshehjeje, sepse nëse Kosova do të ndahej, një agjendë ende prioritare e Beogradit karshi Kosovës, ata mendojnë se mund të marrin edhe gjysmën e Bosnjes. Kjo mbetet ende në tavolinën e Beogradit, edhe atë ndërkombëtare, dhe do të shohim se si do të shkojnë zhvillimet në BE, sepse deri më tani Beogardi po mbështetet te Rusia që ka interesat e saj për të qenë prezente këtu dhe të konfrontohet me Perëndimin, por nuk është në interesin specifik të Serbisë. Shumëçka do të varet nga gjërat që do të ndodhin në Europë.

Beti Njuma: Është shqetësuese që liderët serbë flasin sikur Kosova të ishte ende nën sovranitetin serb. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i kërkon Serbisë të sjellë para drejtësisë ata që urdhëruan gjenocidin në vitet 1998-1999, ndërkohë që ende kërkon viktimat e humbura të luftës.

Biserko: Mendoj se ligjërimi serb sa i përket Kosovës i përmbahet së drejtës ndërkombëtare, e cila është paksa e paqartë për të drejtën e vetëvendosjes, dhe në shumicën e rasteve është konteksti ndërkombëtar që duhet marrë parasysh për njohjen e shteteve të reja. Pra, janë pak të tendosur në këtë pikë, që po të flasim nga ana ligjore është si një lojë që e zgjat agoninë me Kosovën. E thashë edhe më herët se shumëçka varet se si komuniteti perëndimor do të sillet për çështjen e Kosovës, dhe gjykoj se ai do të vijojë të insistojë në pavarësinë e saj, që është një nga prioritetet e adminsitratës amerikane. Vuçiçi e di këtë dhe është i hapur për këtë.

Beti Njuma: Liderët kosovarë thonë se historia po harrohet, po harrojmë krimin dhe viktimat, shumë prej tyre janë të pagjetur, të fshehur në varre masive. Zoti Kurti thotë se Serbia sot ka në vitin 2021 presidentin, zëvendëskryeministrin dhe kryeparlamentarin që kanë qenë anëtarë të qeverisë së kriminelit Millosheviç.

Biserko: Kjo është e vërtetë. Qeveria aktuale ka qenë pjesë e projektit të Milosheviçit. Disa prej tyre kanë pasur pozicione mjaft të rëndësishme asokohe, dhe ka qenë propaganda dhe atmosfera që kanë luajtur një rol në krimet që janë kryer nga Serbia. Sigurisht që Serbia dhe qeveria akutuale nuk pranon asnjë përgjegjësi dhe i mohon të gjitha ato krime, dhe më duhet të them se nga viti 2012, në një farë mënyrë, ka riardhur atmosfera dhe narrativa e pafajsisë së Serbisë, ndërsa mohojnë çdo përgjegjësi, pavarësisht gjykimeve në gjykatat ndërkombëtare. Thonë gjithashtu se Serbia nuk ka shkuar në luftë dhe se serbët janë viktima përgjatë historisë së ish-Jugosllavisë. Kjo është mënyra se si ndërmorën veprimet në Mal të Zi, duke thënë se serbët atje janë në rrezik, siç bënë në Kroaci dhe në Bosnje, gjithashtu edhe në Kosovë. Pra, nuk mund të presim shumë nga qeveria aktuale që të ndryshojë qëndrim për të shkuarën dhe për krimet. Madje, qeveria ka heshtuar apo margjinalizuar shumë grupe në rajon që kishin qëndrime kritike dhe njohuri për çfarë ka ndodhur. Shumë organizata kanë mbledhur fakte, ka kaq shumë fakte për luftërat në ish-Jugosllavi, që është shumë e vështirë për t’i mohuar. Sa më shumë fakte pasqyrohen, aq më i madh është mohimi në Serbi. Problemi është se shumë nga brezi i ri janë formësuar nga kjo propagandë dhe nesër ata do të jenë në politikë. Serbia konsiderohet sot faktor kryesor stabiliteti dhe destabiliteti në Ballkan, por deri më tani e kanë siguruar këtë stabilitet pa u bazuar në demokraci dhe barazi në rajon. Mendoj se duhet të ketë një qasje të re të Perëndimit ndaj Serbisë dhe rajonit.

Beti Njuma: Kryeministri Kurti ka konfirmuar se Kosova do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e njohur edhe si Gjykata Botërore e OKB -së. Çfarë mendoni për këtë nismë?

Biserko: Nuk mendoj se do të jetë një ndërmarrje e suksesshme. Siç e dini edhe iniciativa boshnjake ishte e pasuksesshme. Jo vetëm pse komuniteti ndërkombëtar ishte në mbështetje të Serbisë, por mendoj se konteksti ndërkombëtar ka ndyshuar shumë dhe faktorë të tjerë do të jenë përpara gjykatës. Ajo që është e rëndësishme për Kosovën, duhet që të mbledhë faktet dhe të ndërtojë memoriale dhe institute që të merren me këto çështje. Së pari historianët e më pas edhe profesionistët e tjerë, të cilët do ta shkruajnë objektivisht historinë e Kosovës. Është e nevojshme një narrativë objektive që njerëzit të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Kjo është shumë e rëndësishme për Sërbinë së pari, sepse kreu 4 luftëra. Dhe për të krijuar një atmosferë në Ballkan do të ishte e nevojshme një narrativë objektive për të shpjeguar çfarë ka ndodhur në Ballkan gjatë shekullit të fundit.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment