Sociale

Infeksionet/ Mungesa e ujit në Tiranë, 280 pacientë të shtruar në QSUT

Kështu vetëm gjatë ditës së djeshme në urgjencën e Infektivit në QSUT janë paraqitur 280 qytetarë me simptoma të ndryshme.
Featured image of article: Infeksionet/ Mungesa e ujit në Tiranë, 280 pacientë të shtruar në QSUT Foto ilustruese

TIRANË-  Gjatë muajit gusht disa lagje  të Tiranës vuanin nga mungesa e ujit të pijshëm, çka solli pasoja për qytetarët, duke shjkatuar probleme shëndetësore.

Kështu vetëm gjatë ditës së djeshme në urgjencën e Infektivit në QSUT janë paraqitur 280 qytetarë me simptoma të ndryshme.

Dyshohet se po përhapet një virozë për shkak të mungesës së ujit.

Autoritetet hedhin dyshime tek uji ndërkohë që janë marrë mostra të ujit të autoboteve që tregtojnë ujë nëpër Tiranë. Por nga ana tjetër qytetarët kanë denoncuar edhe ujin e ndotur që u ka mbërritur në rubinetat e çezmave të tyre nga ujësjellësi.

Gjithsesi për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë mjekët të infektivit bëjnë thirrje qytetarëve të cilat nuk kanë nevojë për shërbim urgjence të paraqiten më parë tek mjeku i familjes pasi ka shumë raste të cilët mund të menaxhohen edhe në kushte shtëpie me qëllim që t’i shërbehet siç duhet rasteve që në fakt janë urgjenca.

Janë tre poliklinika që qëndrojnë të hapura 24 orë në Tiranë, ajo me numër 10 që ndodhet pranë Oxhakut në Kinostudio, qendra shëndetësore nr.8 në zonën e ish-Bllokut dhe qendra nr.7 në Laprakë.

Theksojmë  se një javë më parë, mjekë të shërbimit të infektivit, gjatë një dalje për mediet, folën për fluksin e shtuar si dhe u  bënë thirrje  qytetarëve që fillimisht të drejtohen tek mjeku i familjes dhe jo direkt në urgjencë, kjo për ti dhënë mundësi pacientëve që kanë vërtet nevojë për ndihmë  më të specializuar.

Marrë nga Top Channel

(a.m/dosja.al)

Shto Koment