Ekonomi

Impiantet fotovoltaikë, aplikuan 75 subjekte, vetëm 11 lidhën kontratë për çmimin 100 euro/MW

Nuk kishte javë përgjatë vitit 2017 dhe fillim të vitit 2018 që në MIE të mos dorëzohej një shprehje interesi dhe kjo edhe për faktin që çmimi me të cilën do të lidheshin kontratat ishte 100 euro/MW për impiantet fotovoltaike dhe 76 euro për MW për eolikët
Featured image of article: Impiantet fotovoltaikë, aplikuan 75 subjekte, vetëm 11 lidhën kontratë për çmimin 100 euro/MW Impiant fotovoltaik
TIRANË- Në vitin 2017 kur u miratua ligji për burimet e rinovueshme të energjisë pati një bum të aplikimeve për ndërtimin e impianteve fotovoltaike me kapacitet të instaluar deri në 2MW. Kjo u nxit edhe nga një vendim qeverie që konsideronte këto impiante si koncesione atipike dhe miratimin ia linte në dorë Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE). E njëjta lehtësi vlente edhe për parqet eolike veçse në këtë rast kapaciteti kufizohej në 3 MW. 

Nuk kishte javë përgjatë vitit 2017 dhe fillim të vitit 2018 që në MIE të mos dorëzohej një shprehje interesi dhe kjo edhe për faktin që çmimi me të cilën do të lidheshin kontratat ishte 100 euro/MW për impiantet fotovoltaike dhe 76 euro për MW për eolikët. Jo rastësisht çmimet u vendosen në këtë limit duke shërbyer si një nxitje për investimet e kësaj natyre.

“Gjatë  fundit të  vitit 2017 deri  në dhjetor 2018 pati   shumë aplikime për skemat promovuese  deri në 2 MW, për impiantet Foto-Voltaike  (PV) dhe 3 MW për impiantet Eolike. Kërkesat u mbështetën në kapacitetet e propozuara në PKVBRE 2018–2020. Me qëllim përcaktimin e një çmimi promovues për blerjen e energjisë, MIE propozoi “Metodologjinë e përcaktimin e çmimit të  blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme (dielli dhe era)” e cila u miratua me VKM-në nr. 369, datë 26.4.2017.

Tre muaj më vonë, në 27.7.2017, ERE miratoi këtë metodologji  e cila përcaktoi tarifën promovuese 100 €/ MWh për impiantet PV dhe 76 €/MWh për impiantet  Eolike deri në 3 MW të instaluara. Deri në 31 dhjetor 2018, në MIE janë paraqitur të paktën 75 aplikime për impiante PV deri në 2 MW ,  dhe 11 prej tyre janë pajisur me “Miratimin përfundimtar” dhe kanë nënshkruar kontratën me MEI/MIE për ndërtimin e impianteve me energji diellore  për 100 EUR/ MWh tarife Feed-In-Tariff (FiT)” thuhet në një dokument të qeverisë.

I njëjti nënvizon se për shkak të boshllëkut ligjor, bie në sy se rreth 18 MW instalime PV janë dhënë me çmimet 100  EUR/MWh brenda vitit 2017 dhe thuajse në të njëjtën zonë (Sheq Marinëz, Topojë Fier).

Një tjetër rast që sillet në vëmendje është ai i ankandit në Akërni të Vlorës për kontraktimin e një kapaciteti 50 MW dhe me një shtesë prej 24 MW në vazhdim çka e çon në total sasinë e dhënë 74MW. Në këtë formë koncesioni qeveria ka vendosur të japë 120 MW impiante diellore ku diferenca e mbetur tashmë për garë është 48MW.

(Marrë nga Monitor.al)

Shto Koment