FactcheckPolitike

Zbulohet kryebashkiaku që u denoncua te “Fevziu”, flet Ilir Xhakolli: S’jam ndaluar kurrë nga Policia, emrin e ndryshova… se ma ngatërronin në shkollë (!)

Sipas denoncimit, në periudhën që ai ka punuar si doganier në vitin 1996 është ndaluar për kontrabandë, por ka mundur të fshihet, dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.
Featured image of article: Zbulohet kryebashkiaku që u denoncua te “Fevziu”, flet Ilir Xhakolli: S’jam ndaluar kurrë nga Policia, emrin e ndryshova… se ma ngatërronin në shkollë (!) Ilir Xhakolli dhe formulari ne KQZ

TIRANË- Blendi Fevziu lexoi live mbrëmë në “Opinion” denoncimin e një qytetari i cili akuzonte një kryebashkiak për fshehje të ndalimit në formularin e vetë-deklarimit. Dosja.al ka mundur të zbulojë se kryetari i bashkisë, që ishte subjekt i denoncimit është ish-deputeti socialist në Pogradec, sot kryetar bashkie në Pogradec, Ilir Xhakolli. Sipas denoncimit, në periudhën që ai ka punuar si doganier në vitin 1996 është ndaluar për kontrabandë, por ka mundur të fshihet, dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

Çfarë tha mbrëmë Fevziu: Zoti Fevziu ju përshëndes kam diçka me interes për kryetarin e Bashkisë… më jep dhe emrin…ka punuar doganier nga viti 1992deri në vitin 2005 në filan vend. Në nëntor-dhjetor 1996 është ndaluar nga policia për kontrabandë është ndaluar së bashku me filanin, doganier filanin kontrollor filanin, polic filanin dhe ky pesoni. Atëherë u fsheh dhe fizikisht nuk u ndalua. Dosjen e ka o në arkivin e prokurorisë o në polici. Në formularin e dekriminalizimit nuk e ka deklaruar, ka ndryshuar edhe emrin bashkë me mbiemrin nga filani e ka bërë filani… Dhe më ka çuar dhe formularin.

Dosja.al ka kontaktuar me zotin Ilir Xhakolli, i cili mohoi në mënyrë kategorike ndalimin nga policia, ndërkohë që edhe pse Fevziu nuk ia përmendi emrin, ai pohon se e ka vetë-kontaktuar për t’i kërkuar përgenjështrim. “Kam kontaktuar me Fevziun, e kam sqaruar. Ai duhet të bëjë përgënjeshtrim. Asgjë nga ato që ai tha nuk janë të vërteta.”-tha Xhakolli.

I pyetur se pse e ka ndryshuar emrin, Xhakolli tha nxitimthi: Emrin e kam ndryshuar dhe e pranoj, e kam deklaruar edhe në formularin e dekriminalizimit, nuk kam asgjë për të fshehur. Emrin e kisha Ilirjan Xhago, e kam Ilir Xhakolli, pasi ma ngatërronin në shkollë dhe në diplomat që kam marrë.

Është pak e vështirë për t’u kuptuar sesi mund të ngatërrohet emri nga Ilir në Ilirjan, apo mbiemrin nga Xhago në Xhakolli. (!), kur të përbashkët dy fjalët kanë vetëm rrënjën.

 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Dosja.al verifikoi edhe formularin që ish-deputeti i PS ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe rezulton se emri është ndryshuar, por Xhakolli nënshkruan se as nuk është ndaluar, as nuk ka qenë kurrë në kërkim, por pranon se ka qenë pjesë e sistemit të doganave siç pretendon edhe denoncuesi anonim për të.

Formulari i vetë-deklarimit në KQZ

 

Prej muajsh beteja për dekriminalizimin është rikthyer në fokus të debatit politik. Së fundmi, PD akuzon kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, se sipas demokratëve, ky i fundit ka fshehur një dënim në Greqi, akuza këto, të mohuara nga Ismailaj. Ndërkohë më herët, pas denoncimit të bërë nga selia blu, fituesi i zgjedhjeve të 30 qershorit në Shkodër, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen pasi u akuzua për fshehje të dënimit në Itali. Agim Kajmaku dha dorëheqjen nga drejtimi i Vorës, pasi kishte fshehur dënimin në Greqi në formularin e dekriminalizimit. Ndërkohë që akuzohet edhe kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani, por pavarësisht nga këmbëngulja e PD, Babani vijon i qetë  punën.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment