Politike

Raporti i Freedom House/ Ilir Meta: Përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë kërkon reflektim nga të gjithë

Sipas tij përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë kërkon një reflektim dhe përgjigje nga të gjithë.
Featured image of article: Raporti i Freedom House/ Ilir Meta: Përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë kërkon reflektim nga të gjithë Ilir Meta

Tiranë-  Presidenti i vendit Ilir Meta është shprehur së fundmi se është thellësisht i shqetësuar për konkluzionet e raportit të organizatës “Freedom House”, në të cilën theksohet se Shqipëria ka pësuar një rënie sa i përket qeverisjes demokratike. Sipas tij përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë kërkon një reflektim dhe përgjigje nga të gjithë.

Reagimi i plotë:

Thellësisht i shqetësuar nga konkluzionet e raportit të organizatës “Freedom House”. Përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë, rënia ne qeverisje dhe proces zgjedhor kërkon një reflektim dhe përgjigje nga të gjithë. Konkluzioni në raport se: “Nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet” është një këmbanë e fortë alarmi. Është koha për një ringritje të menjëhershme dhe për një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, me qëllim integrimin e plotë të vendit pa zvarritje të mëtejshme.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në raportin e “Freedom House” shkruhet se Shqipëria edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, duke shënuar një rënie në qeverisjen demokratike dhe procesin zgjedhor. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria merr vetëm 3.82 pikë. Reagime për raportin ka pasur edhe nga politika shqiptare, përfshirë kryeministrin Rama, presidenti Meta dhe opozita.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment