
TIRANË– Gjykata e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar ka nisur gjykimin e Blendi Tetës, të vetmit të arrestuar nga skuadra prej nëntë personash për vrasjen e ish-efektivit Santiago Malkos. Dosja.al mëson se Teta do të gjykohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Tashmë gjykata e ka ndarë dosjen për ekzekutimin e Malkos, ngjarje e ndodhur më 27 gusht të vitit 2019, dhe Teta do të gjykohet veçmas nga tetë anëtarët e tjerë të ‘Klanit Duka’, që janë të gjithë të shpallur në kërkim.
SPAK mbylli hetimet për Blendi Tetën më 2 tetor 2020 dhe dërgoi në gjykatë dosjen me akuzën e “vrasjes me paramendim” kryer nga grupi i strukturuar kriminal. Ai është nga pjesëmarrësit në vrasjen e ish-policit, gjë që e ka pranuar edhe vetë në dëshminë e dhënë, pork a shtuar se është larguar sapo e ka kuptuar planin e krimit.
Vrasja e Santiago Malkos
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Dosja.al zbuloi skandalin, se Malko ka qenë pjesë e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ka qenë i shpallur në kërkim. Për vrasjen e Malkos, prokuroria akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.
(f.m/dosja.al)