
DURRËS- Alvin Berisha, 11-vjeçari që shpëtoi kampit të ferrit në Siri, ka ardhur në Shqipëri. Bashkë me babain e tij, Afrim Berisha, ata kanë mbërritur në Durrës dhe mesa duket do të kalojnë disa ditë pushimi. Ka qenë babai i tij, ai i cili na ka dhënë lajmin, pasi ka publikuar disa foto në rrjetet sociale nga qyteti bregdetar.
Në foto 11-vjeçari shfaqet i veshur një bluzë kuqe, në të cilën është i stampuar flamuri shqiptar. Në fytyrën e tij nuk mungon buzëqeshja. Mesa duket ai është lumturuar që ka ardhur në atdhe.

Pak muaj më parë në emisionin investigativ “Le Ienne” u bë publike historia e 11-vjeçarit, i cili kishte ngelur në një kamp në Siri. Me ndihmën e gazetarëve, pas pesë vitesh kërkimesh në fund, i ati, Afrim Berisha, arriti të depërtonte në kampet e Sirisë dhe takoi të birin. Më pas, italianë, shqiptarë dhe njerëz anëmbanë botës bashkë me median ushtruan presion mbi qeverinë shqiptare dhe organet kompetente në mënyrë që 11-vjeçari të hidhej sërish në krahët e të atit. Rikthimi i tij u realizua. Pas publikimit të rastit dha dorëheqjen edhe ambasadori shqiptar në Turqi, Genti Gazheli. Po kështu 11-vjeçari mbeti i plagosur gjatë një atentati me bombë në Siri, ku fatkeqësisht humbi jetën nëna e tij. Gjatë atentatit ai u plagos në këmbë. Pas shpëtimit nga kampi Al Hol, ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë, në një spital të Italisë.
J.V/Dosja.al