Aktualitet

Administratori i Vllaznisë i shpëton atentatit me eksploziv. Lici: Krimi të rrijë larg sportit. Ademi akuza Ramës e Lleshajt (VD)

Administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë së Shkodrës i është vendosur poshtë makinës një sasi eksplozivi. Lënda plasëse është pikasur nga Suad Lici, i cili ka njoftuar menjëherë policinë. Fatmirësisht lënda plasëse nuk ka shpërthyer pasi autorëve iu ka dështuar plani. Lici: Nuk kam konflikte me njeri, kriminelët duhet të rrinë larg sportit. 
Featured image of article: Administratori i Vllaznisë i shpëton atentatit me eksploziv. Lici: Krimi të rrijë larg sportit. Ademi akuza Ramës e Lleshajt (VD) Suad Lici dhe lënda plasëse poshtë makinës

Shkodër- Dështon atentati me eksploziv kundër administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë, Suad Lici.  Burime për Dosja.al bëjnë me dije se një sasi tritoli i ishte vendosur mëngjesin e sotëm, makinës tip “Benz”  të administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë, Suad Lici, e cila ndodhej e parkuar në lagjen “Ahmet Haxhia” në Shkodër. Lici sapo doli nga banesa iu afrua mjetit, por menjëherë dalloi tritolin e vendosur poshtë makinës dhe njoftoi policinë. Fatmirësisht nuk shpërtheu lënda plasëse. Forcat xheniere bënë të mundur heqjen e tritolit nga makina dhe lënda plasëse është dërguar në laborator.Në Polici, Lici ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd. Ndërsa për mediet ai u shpreh se kriminelët duhet të rrinë larg sportit.

Si iu dështoi atentati autorëve?

Burime për Dosja.al nga grupi hetimor sqaruan se nga verifikimet e para, rezultoi se fitili përcjellës është ndezur në momentin që autorët kanë vendosur lëndën plasëse,  por është djegur vetëm një pjesë e tij, pasi është fikur. Kjo ka bërë që zjarri të mos depërtojë deri tek natribani ku ishte e mbështjellë lënda plasëse. Autorët e kishin planifikuar shpërthimin e makinës gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit kur familja Lici ishte në gjumë, por plani i tyre ka dështuar.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Lënda plasëse poshtë makinës

Në vendin e ngjarjes  sot ishin të pranishëm edhe drejtuesit e policisë së Shkodrës dhe kryebashkiakja Voltana Ademi. Suad Lici njihet edhe si biznesmen në Shkodër. Ai u emërua nga Voltana Ademi administrator i Vllaznisë në Shkodër në 23 korrik të vitit 2018. Nuk dihet nëse vendosja e eksplozivit lidhet me konflikte të mundshme në fushën e biznesit, punën te Vllaznia apo çështje të tjera. Duhet të themi se ai më herët është kërcënuar për shkak të postit të tij në krye të Vllaznisë.

Javët e fundit qyteti i Shkodrës është tronditur nga shpërthimet me tritol Më 6 shkurt iu vu tritol banesës së ish-basketbollistit, Nikolin Arra në  lagjen “Qafë Hardhi” të Shkodrës. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale, pasi familja Arra ndodhet në SHBA.

J.V/Dosja.al

  • 16:04

    Tritol poshtë makinës së administratorit të Vllaznisë, Voltana Ademi e ashpër me Ramën dhe Lleshajn: E kanë lënë Shkodrën zonë të lirë për krimin

    Voltana Ademi, kryetare në detyrë e Bashkisë Shkodër, ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Shkodër, ku iu vendos tritol administratorit të Vllaznisë. Në një reagim në Facebook, Ademi drejton gishtin nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj për situatën e krijuar me krimin në Shkodër. Ajo shkruan se Rama dhe Lleshaj e kanë lënë Shkodrën zonë të lirë për krimin dhe qytetarët ndihen të pasigurtë dhe shton se “sot ishte administratori i Vllaznisë Suad Lici, por nesër mund të jetë kushdo pre e krimit, që duket se në Shkodër i është lënë fushë e lirë veprimi”.

    Voltana Ademi, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj

    REAGIMI I PLOTË

    Shkodra u trondit sërish këtë të dielë! Ditën për diell krimi nuk ka frikë, duke i sjellë shkodranëve pasiguri, mungesë shprese për jetën, rendin dhe sigurinë në Shkodër. Fatmirësisht, lënda plasëse nuk shpërtheu, çka do ta bënte akoma më tragjike këtë të dielë, ndërkohë që për familjen e Administratorit të KF Vllaznia, orët e para të paradites të së dielës kanë qënë orë ankthi dhe pasigurie. Sot si Kryetare e qytetare e Shkodrës, si nënë, si grua, kërkoj nga të gjitha strukturat e shtetit, të gjitha organeve ligjzbatuese në vend: Reagoni me forcën e ligjit! Krimi në Shkodër po godet çdo ditë shkodranët. Sot ishte administratori i Vllaznisë Suad Lici, por nesër mund të jetë kushdo pre e krimit, që duket se në Shkodër i është lënë fushë e lirë veprimi. Kam shprehur gjithnjë mbështetjen ndaj forcave të Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe të gjithë organeve të zbatimit të ligjit. Kam ofruar gjithmonë bashkpunimin në luftën kundër krimit, sepse shkodranët nuk duhet të kenë frikë të ecin, të flenë apo të zgjohen në shtëpitë e tyre, në qytetin e tyre. Nuk duhet të jetojnë në panikun e tronditjes së tritolit, krismave të armëve në rrugët ku kalojnë çdo ditë.

    Sot, si çdo shkodran tjetër, jam pranë familjes Lici. Por sot Shkodra pyet se kush do ta ketë radhën nesër ?! Kjo, pasi fatkeqësisht është ngjarja e 4-ët e vendosjes së lëndëve plasësë në Shkodër në më pak se dy muaj, ndërkohë që asnjë nga këto ngjarje nuk është zbardhur. Shkodranët kanë nëvoje për siguri për jetën, për familjen, për bisnesin! Ata nuk kanë nevojë për shoë-n e rradhës dhe as për deklaratat boshe të cilat duket qartë se nuk trembin krimin, mesa duket të veshur me “pushtet” në Shkodër.  Ngjarja e sotme, ashtu si dhe të tjerat më përpara, janë këmbanë alarmi për Shkodrën dhe shkodranët, duhet të jetë këmbanë alarmi për këtë qeveri e cila, nga dita në ditë po jep prova se vetëm krimin nuk e lufton. Ngjarjet e rënda të njëpasnjëshme në Shkodër, tregojnë më së miri se askush nuk ka frikë nga shteti, sidomos krimi dhe eksponentët e tij. Ndërkohë që tek ata që kanë kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në Shkodër, çdo ditë është e mbushur me frikë, me ankth për të punuar, për të rritur fëmijët dhe për të jetuar në këtë qytet. Shkodra ka nevojë për siguri dhe rend. Strukturat shtetërore, agjensitë ligjzbatuese e kanë detyrë kushtetuese garantimin e tyre. Por mbi të gjitha, duhet treguar vullnet në përballjen me krimin e eksponentët e tij, vullnet që akoma nuk po ndihet në Shkodër. Si qytetare e parë e Shkodrës, kjo është thirrja ime drejtuar të gjitha institucioneve që duhet ta bëjnë këtë qytet të jetueshëm për banorët e saj.

  • 13:37

    Fati ndihmoi Suad Licin, si i shpëtoi atentatit me tritol, autorëve iu dështoi plani, u fiket fitili

    Suad Lici dhe tritoli i vendosur në makinën e tij

    Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja në Shkodër, ku makinës së Suad Licit, administratori i klubit të Vllaznisë, i vu tritol. Burime për Dosja.al nga grupi hetimor sqaruan se nga verifikimet e para rezultoi se fitili përcjellës është ndezur në momentin që autorët kanë vendosur lëndën plasëse, por është djegur vetëm një pjesë e tij, pasi është fikur fitili. Kjo ka bërë që zjarri të mos  depërtojë deri tek natribani ku ishte e mbështjellë lënda plasëse. Autorët e kishin planifikuar shpërthimin e makinës gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit kur familja Lici ishte në gjumë, por plani i tyre ka dështuar. Forcat xheniere mesditën e sotme hoqën tritolin nga makina dhe fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar.

  • 12:40

    ME FOTO/ Forcat xheniere heqin tritolin nga makina e Suad Licit në Shkodër

    Foto nga vendngjarja

    Forcat xheniere në Shkodër kanë hequr sasinë e tritolit të vendosur në makinën e Suad Licit, administrator i ekipit të futbollit të Vllaznisë. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka pasur persona të lënduar.

  • 11:32

    Tritol makinës së Suad Licit, Voltana Ademi: Sot jo politikë, presim hetimet, situata në Shkodër nuk është e qetë

    Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi për vendosjen e tritolit në makinën e Suad Licit,  ka deklaruar se sot nuk është momenti për deklarata politike dhe se më parë duhen pritur rezultatet e hetimeve. Ajo theksoi se situata e rendit në Shkodër nuk është aspak e qetë.

    Unë u lajmërova nga media në fakt dhe erdha menjëherë, kam qenë afër, kalova para nja një ore këtu. Unë besoj se duhet ti lëmë vendin grupeve të punës, forcave të RENEA-s, që janë nisur për të bërë një vlerësim të saktë, të një verifikimi paraprak që policia ka bërë dhe pastaj në varësi të asaj që do të verifikohet duhet të bëhen hetimet e duhura duke bërë të mundur nxjerrjen në dritë të së vërtetës. Shpresoj që të mos jetë dicka e tillë në emër të qytetit dhe sigurisë sonë, askush në qytetin tonë nuk do të ketë probleme kaq të rënda. T’i lëmë vendin forcave të policisë që të kryejnë detyrën, si qytetarë, shtetarë , si njeri që jeton cdo ditë këtu. Është e nevojshme që të gjithë të bëjmë detyrën për t’u gjetur e vërteta”Ajo që na shqetëson është situata që në qytetin e Shkodrës nuk është e qetë. Për ngjarjet që ndodhin ditë pas dite.”, u shpreh ajo. 

  • 10:56

    Suad Lici thirrje agresorëve: S’më trembin asnjë fije, kriminelët të rrinë larg sportit dhe Vllaznisë

    Suad Lici, administratori i ekipit të futbollit të Vllaznisë, makinës së të cilit iu vendos tritol mëngjesin e sotëm, ka deklaruar për mediet se nuk është trembur nga kjo ngjarje. Lici ka theksuar se kriminelët duhet të rrijnë larg sportit dhe ta lënë qytetin e Shkodrës të bëjë sportin.

    Intervista për mediet:

    Keni pasur konflikte apo presione?
    Absolutisht, nuk kam asnjë konflikt me asnjë njeri.

    Lidhet kjo ndoshta me detyrën tuaj te Vllaznia?
    Po, ndoshta me detyrën, nuk e di, le t’ia lëmë organeve kompetente. Unë nuk kam konflikte me asnjë njeri, jam njeri i lirë dhe do të vijoj që të jem njeri i lirë.

    Keni pasur kërcënime, presione apo mesazhe, pasi nga burimet që kemi e dimë që keni pasur, por nuk e di nëse i keni denoncuar?
    Jo, nuk kam pasur asnjë lloj problematike, kanë kërkuar njerëzit sqarime i kam sqaruar dhe kaq

    Për cfarë?
    Në lidhje me sportin. Se nuk kam asnjë problematikë tjetër

    Dyshoni se lidhet me aktivitetin e lojtarëve te Vllaznia?
    Nuk jam unë. Unë jam për mbarëvajtjen e punës. Formacionin e bën stafi teknik me drejtorin teknik, cdo gjë është bërë në bazë të strukturës te Vllaznia. Unë kam qenë i detyruar me plotësuar kërkesat e drejtuesve të klubit.

    A është presion për t’u larguar nga Vllaznia, ju tremb?

    Jo! Absolutisht! Do të vijoj që të bëj detyrën edhe sot do të jem në Durrës për ndeshjen në orën 17:00. Do të vijoj detyrën

    Keni një apel për drejtësinë?
    Unë mendoj që pa folur organet nuk kemi pse i vendosim një etiketë. Nëse është në marrëdhënie me sportin, mendoj që njerëzit kriminelët duhet të rrinë larg sportit, ta lënë qytetin e Shkodrës të bëjë sportin, jetën e vet sportive, se ky qytet ka nevojë për shumë gjëra.

    Ju tremb kjo ngjarje?
    Absolutisht jo! Do të vijoj jetën time të përditshme, aktivitetin privat të familjes sime, nuk më tremb asnjë fije, në Shkodër dhe në Tiranë më kanë përditë.

    Çfarë do të thotë kjo?
    Jam njeri i lirë edhe pas kësaj ngjarje.

  • 10:56

    Policia: Poshtë mjetit gjetëm një pako të mbështjellë me letër natriban, dyshohet për eksploviz

    Foto nga vendngjarja në Shkodër.

    Policia e Shkodrës ka dhënë detaje në lidhje me tritolin që iu vendos makinës së Suad Licit. Policia njofton se poshtë mjetit të tij tip Benz, është konstatuar një pako e mbështjellë me letër natriban, ku dyshohet se mund të ketë lëndë plasëse.

    Njoftimi i Policisë:

    Më datë 16.02.2020, rreth orës 08:56, shtetasi S. L. 46 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër ka njoftuar Sallën e Drejtimit në DVP Shkodër, se poshtë mjetit të tij tip Benz, ka konstatuar një pako të mbështjellë me letër natriban ku dyshohet se mund të ketë lëndë plasëse. Në vend ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Shto Koment