Aktualitet

Shok me Viktor Markun, arrestohet personi i katërt për ekzekutimin e Hekuran Billës, doli huq në atentatin ndaj djalit të xhaxhait të Luan Harushës

Policia ka arrestuar 25-vjeçarin Gjekson Pusi, si të përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës. Pusi ishte shok me Viktor Markun dhe dyshohet se ka drejtuar makinën nga ku dolën plumbat. Gjithashtu Pusi është autor i atentatit ndaj Fatjon Harushës, djalit të xhaxhait të deputetit socialist, Luan Harusha.
Featured image of article: Shok me Viktor Markun, arrestohet personi i katërt për ekzekutimin e Hekuran Billës, doli huq në atentatin ndaj djalit të xhaxhait të Luan Harushës Hekuran Billa
Përditësuar:

TIRANË- Policia ka arrestuar në Shkodër personin e katërt të përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës. Mësohet se i arrestuari i radhës është 25 vjeçari Gjekson Pusi. Ky i fundit është shok me autorin kryesor të vrasjes, Viktor Markun. Dyshohet se Pusi drejtoi makinën nga e cila dolën plumbat që i morën jetën Hekuran Billës.

Ndërkohë Gjekson Pusi është po ashtu autori i atentatit ndaj Fatjon Harushës, djalit të xhaxhait të deputetit socialist Luan Harusha. Fatjon Harusha u qëllua me armë zjarri në fshatin Vukatan të Shkodrës, ndërsa ndodhej në mjetin e tij tip “Hyundai”, por arriti që t’i shpëtonte atentatit.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit . Shkon në katër numri i personave të arrestuar për vrasjen e shtetasit H. B. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore që po kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B, një tjetër person ka rënë në prangat e Policisë. Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe DVP Tiranë është vënë në pranga drejtuesi i mjetit që transportonte shtetasin V. M., i dyshuar si autori kryesor i vrasjes së shtetasit H. B. Vihet në pranga shtetasi GJ. P., 33 vjeç, i cili u kap dhe u arrestua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pasi dyshohet se është autor i ngjarjes së ndodhur në fshatin Vukatanë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit në pronësi të DPSHTRR, që drejtohej nga shtetasi F. H., 30 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër. Shtetasi Gj. P. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi“, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu, gjatë paradites së sotme, falë veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë ka rezultuar se ky shtetas është i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit H. B.

Të arrestuarit e deritanishëm për vrasjen e Hekuran Billës, janë Viktor Marku, Sebastian Mali dhe Adiola Lakra. Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, i cili është vrarë nga Hekuran Billa në vitin 2006 në Londër. Ai u arrestua në Mal të Zi, ndërsa u la vetëm pak ditë më parë në burg. Marku dyshohet se është personi që ka qëlluar në drejtim të Billës, mbremjen e atentatit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në burg është lënë edhe Adiola Lakra, vajza e cila dyshohet se u përdor si karrem për vrasjen e Billës. Lakra ishte në një lidhje intime me Billën, por ka dyshime se u përdor nga Sebastian Mali dhe Viktor Marku, për të nxjerrë në pritë viktimën. Në sallën e gjyqit ajo ka mohuar akuzat, ndërsa edhe avokati i saj mbrojtës ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Lakra është personi i fundit me të cilin bisedoi Billa. Ajo u vu në përgjim nga policia pas zbardhjes së tabulateve telefonike.

Gjykata ka vendosur “Arrest me burg” edhe për Sebastian Malin, nipin e Viktor Markut. Ky i fundit dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit të Viktimës. Gjithashtu ai ka pasur një lidhje intime me Lakrën, të cilën e ka përdorur për të arritur tek Hekuran Billa.

Hekuran Billa u ekzekutua më 12 qershor pranë “Qendrës Kristal” në Tiranë, ku kishte shkruar për të takuar motrën e tij që punonte në këtë qendër tregtare. Në orën 21:48 të së enjtes, biznesmenit iu pre rruga teksa udhëtonte me mjetin e tij, të llojit ‘BMW X6”, nga ekzekutori, i cili dyshohet se është vëllai i Prel Markut, Viktori. Ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të tij, dhe iu deshën vetëm 3 sekonda për të vrarë biznesmenin.

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment