Sport

I përdorën fytyrën në video-lojën, Ibrahimovic shpërthen ndaj FIFA-s dhe EA Sports: Kush ju dha leje të bëni para me fytyrën time?

Suedezi ka vendosur në shënjestër FIFA dhe FIFPro (Unioni botëror i lojtarëve) për përdorimin e emrit dhe fytyrës së tij në video-lojën FIFA.
Featured image of article: I përdorën fytyrën në video-lojën, Ibrahimovic shpërthen ndaj FIFA-s dhe EA Sports: Kush ju dha leje të bëni para me fytyrën time? Zlatan Ibrahimovic

MILANO-Zlatan Ibrahimovic, sulmuesi i Milanit është gjithmonë protagonist edhe jashtë fushe. Suedezi ka vendosur në shënjestër FIFA dhe FIFPro (Unioni botëror i lojtarëve) për përdorimin e emrit dhe fytyrës së tij në video-lojën FIFA. Me një mesazh në Twitter, sulmuesi suedez pyet. “Kush e autorizoi FIFA EA Sport të përdorë emrin dhe fytyrën time? Nuk më thanë që isha anëtar i FIFPro dhe, nëse jam, u regjistrova pa u informuar në të vërtetë, në një mënyrë të dyshimtë.

 

Dhe një gjë është e sigurtë, unë kurrë nuk kam lejuar FIFA ose FIFPro të fitojnë para me mua. Dikush ka fituar me emrin dhe fytyrën time pa asnjë marrëveshje gjatë këtyre viteve. Koha për të hetuar”, ishte postimi i Zlatan Ibrahimovic.

Versioni 2020 i videolojës Fifa ka tërhequr gati 35 milionë lojtarë, sipas numrave të shpërndarë nga editori amerikan në fillim të këtij muaji. Versioni 2021 është hedhur në treg pak javë më parë.

E.Ç (Dosja.al)

Shto Koment