Aktualitet

Humbën jetën nga shpërthimi i minës, qeveria u jep 10 mln lekë familjeve ushtarakëve të vrarë në Letoni

Qeveria i ka akorduar 10 mln lekë familjeve të ushtarëve të vrarë në Letoni. Nëntetare Zarife Hasanaj dhe major Klodian Tanushi humbën jetën më 6 maj gjatë një shpërthimi të ndodhur në Letoni.
Featured image of article: Humbën jetën nga shpërthimi i minës, qeveria u jep 10 mln lekë familjeve ushtarakëve të vrarë në Letoni Klodian Tanushi dhe Zarife Hasanaj

TIRANË– Këshilli i Ministrave ka vendosur sot të kompensojë familjet e ushtarakëve të vrarë gjatë misionit të NATO-s në Letoni, efektivëve të FA-ve,  Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi.

Në vendimin e publikuar ditën e sotme, të dyja familjet janë kompensuat me nga 10 mln lekë për humbjen e të afërmve.

                                                                         VENDIM

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES, PËR KOMPENSIMIN E VEÇANTË TË FAMILJEVE TË USHTARAKËVE TË RËNË NË KRYE TË DETYRËS, GJATË PËRMBUSHJES SË MISIONIT USHTARAK, JASHTË VENDIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për kompensimin e veçantë të familjeve të ushtarakëve nëntetar Zarife Muharrem Hasanaj dhe major Klodian Nikolla Tanushi, të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës, në mision ushtarak, jashtë vendit.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2019.

3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Më 6 maj në kampin e NATO-s në Letoni gjatë një seancë stërvitore shpërtheu një minë. Si pasojë e shpërthimit humbi jetën në vend nëntetarja Zarife Hasanajdhe u plagos rëndë major Klodian Tanushi. I plagosur mbeti edhe nëntetari Julian Kapaj. 

Katër ditë më pas, humbi jetën edhe major Tanushi, i cili nuk i mbijetoi dot plagëve të marrë.  Dy ushtarakët e vrarë u nderuan me titullin “Dëshmor i atdheut”.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment