
SHBA- Kryeministri Avdullah Hoti ka folur nga Uashingtoni për procesin e dialogut me Serbinë, por dhe situatën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në një intervistë në Klan Kosova, Hoti u shpreh se Kosova ka momentin më të mirë se asnjëherë më parë për të përmbyllur formimin e shtetësisë së saj.
Në lidhje me këtë, kreu i qeverisë ripërsëriti kërkesën e tij për ta mbështetur këtë proces edhe partitë opozitare, pa votën e së cilës nuk mund të ratifikohet marrëveshja në rast se arrihet, njofton Klan Kosova.
“I ftoj të gjithë edhe Vetëvendosjen edhe opozitën që të jemi të bashkuar në këtë çështje në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kemi mjaft tema që mund të bëjmë garë politike. Dialogu është temë strategjike, është momentum i jashtëzakonshëm për ta përmbyllur pasi kemi mbështetje të madhe të miqve kryesorë. S’është pasqyrë e mirë kur për çështje të tilla të zhvillohet rivalitet politik”, u shpreh Hoti.
Më tej ai tha se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke, Hoti tha se nuk ka pasë asnjë hezitim nga miqtë perëndimorë për këtë. “Dialogu përfundon me njohje reciproke dhe është i kufizuar në kohë brenda javësh dhe muajsh dhe jo një dialog që s’ka fund. Mbi këto parime kam pasë asnjë hezitim nga miqtë”, shtoi ai.
(A.B. Dosja.al)