Blog

Historia e rrogës time të parë

Mbaj mend që rroga e parë e vogël më mbushi me lumturi. Aq shumë sa në mijëra e mijëra rroga nuk e kam ndjerë atë gëzim e ngazëllim të asaj të shtune plot diell...
Featured image of article: Historia e rrogës time të parë Foto ilustruese

Në fakt nuk e mbaj mend rrogën e parë. Për këtë që do të shkruaj mund të ketë qënë e pesta a e gjashta. Por ngaqë më kujtohet mirë, them se nuk do bezdiseni nga leximi.

Babai qysh sa mbarova klasën e tetë i tha mamasë që djali të punojë gjatë verës, mos sorollatet poshtë e lart Korçës. Ai sigurisht që e bënte për mua, se donte të më jepte përgjegjësi e vullnet, por mbaj mend që dhe ekonomikisht ishim hollë si familje. Mbase donte që ndonjë rrobë a ndonjë libër ta blija vetë. Atë vit u zgjata brenda orës, thoshte gjyshja. Ia kalova nënës dhe iu afrova tim eti. Kjo rritje më bëri që të thoja po, sapo më erdhi propozimi.

Te pallati kishim komshi Pandin, një njeri i urtë, i sjellshëm, i pafjalë dhe financier i zoti. Punonte në bonifikim e ai mori përsipër që të më gjente punë.

Një mbasdite isha prapa te bashta e Lëndinës së Lotëve kur erdhi Pandi e më tha se të nesërmen qysh në mëngjes, në ora 6 e gjysëm të isha te rruga e Voskopit. Atje do takoja ca punëtorë, mes tyre Bedriun, brigadierin dhe i do i jepja një pusullë që ma la Pandi në dorë dhe iku. Në fakt mu pre humori. Isha mirë mes shokëve e gallatave. Se ditët e pushimeve për pushime janë. Por kujtova fjalën e dhënë dhe të nesërmen që sa u gdhi dëgjoja:

-Çohu bir, do nisësh punë sot.

Qe gjyshja, ishte gati të lotonte. Nga që i dukesha kërthi e jo për punë. U çova vrik dhe mora në dorë një fetë bukë me vaj e kripë. Vrap se më duhej një orë deri atje. Nga larg pashë një grumbull burrash.

-Dua Bedriun,-u thashë.

Mu afrua një rom i gjatë. Mori letrën e u tha të tjerëve:

-Çuni do punojë dy muaj në brigadën tonë.

Heshtje. Foli veç një i shkurtër:
-Ka këllqe ky për të nxjerrë baltën e kanalit?
Hypëm në një makinë mbushur me çimento e pas një çerek ore ndaluam buzë një are.
-S’paske çizme,-tha Bedriu.-Puno zbathur sot!

Hymë në kanalin anash lumit. Qe mbushur me lloj e lloj mbetjesh. Lluca gati më rrëmbeu deri mbi gju. U tremba, por e mbajta veten. Gërmonim me lopata dhe baltën me plehrat e hidhnim anash. Dukej sikur ishim zhutyr në katakombet e Parisit të mbetura në kujtesën time nga leximi i Hygoit.

-Duhet t’ja dalim sot deri te ai bunkeri,-tha Bedriu e nisi punën si ne.

Pas dhjetë minutash ndalova. Duhej të ecja para se atë zonë e pastrova. Sa nxorra këmbën pashë plot krimba varur në të. Të zinj të gjithë. Siç duket fytyra ime do kishta marrë pamje tmerri se erdhi Bedriu e më tha:

-Mos u tremb. Nuk janë krimba, janë piavica. Pijnë gjak, ama veç të keqin.

Bëra gjoja sikur u qetësova, por lodhja dhe frika më mundën. Nuk do vij nesër, thashë.

Mbasdite hipëm në makinë e më lanë atje ku u takuam në mëngjes. Eca dhe një orë e në shtëpi rashë i zalisur mbi minder të kuzhinës. As darkën nuk prita se më mbërtheu gjumi.

Në mëngjes më zgjoi gjyshja dhe vrap te puna. Por u gëzova kur pashë Bedriun me çizme në duar.

-Janë për ty,-më tha.

Lopata mu duk më e lehtë. Dora më dhembte pak, më ishin krijuar ca flluska. I lidha me shami, sipas këshillave të punëtorëve. Kur arrita në shtëpi më hyri zilia. Vëllai, një vit më i vogël, luante futboll para shtëpisë. Ai në gjatësi jepte përshtypjen si pesë vjet më i vogël. Edhe këmbën unë e kisha nr 40-të, ai 37-të. Ama qe talent. Mëngjarash i hidhët. E bënte golin pa kuptuar. E pashë që po luante zbathur.

-Ku i ke këpucët ?

-Janë të rënda, nuk vrapoj dot.

Qesha se u kujtova që ai këto ditë po vishte këpucë të mamasë. I preu babai takat dhe i tha që deri në shtator me këto do rrish. Por dukej si Çaplini se majat i rrinin lart, sikur i kërkonin muhabet.

Nuk fola për punën se e dija që mamaja nuk do më linte të shkoja më. Babai më pyeti:
-Ç’do blesh me rrogën e parë?
-Një këmishë dhe një palë çorape me lule.

Çorapet me lule ishin në modë atëherë. Të gjithë ata që kishin të tilla herë pas here ngrinin pantallonat, gjoja sikur ato u rrëshqisnin.

Kur mora rrogën, mbaj mend që ishte e shtunë mbasdite, se atëhere kjo ditë qe punë, shtrëngova zarfin dhe pashë që ishin 640 lekë.

-Rrogën tjetër ke të plotë,-tha Bedriu.

Në fakt dhe babai kështu më sqaroi, nga që punën e fillova pasi muaji kishte hyrë me një javë.

Nuk po ndjeja lodhje. Hyra me vrap te Mapo e madhe dhe po shikoja për këmishë e për çorape. Atëhere veç ngjyra e bardhë gjendej në rafte. Doja një këmishë blu. Kur po lëvizja nga reparti në repart syri më kapi atlete të bardha me vijë të kuqe poshtë. Prej cope, me gomë të fortë, prodhoheshin në Durrës.

-Sa kushtojnë?

-560,-më tha shitësja.

-Dua një palë.
-Çfarë numri?
-37.

I paketoi jo në kuti, por mbështjellë me gazetë. Nga andej dola përballë te pastiçeria dhe me lekët që mbetën bleva pasta, një mollë me sheqer për motrën 9-vjeçare dhe një akullore për veten që e kullufita në çast. Nuk duronte deri në shtëpi.

Në kuzhinë po më prisnin të gjithë. Motra gati e rrëmbeu, e kuptoi nga ngjyra e kuqe.

Hapa pastat dhe nëna u lumturua kur pa atletet. Sportist i mamit, tha dhe më puthi.

-Prit, prit, -tha babai. – T’i ka dhënë shitësja gabim. Shihe nr, e ke 37.
-Shko dhe ndërroji, -tha gjyshja.
-Nuk janë gabim. 37 e kam numrin, – ngula këmbë.
-Hahaha, të qenka zvogëluar nga pjavicat e kanalit, -qeshi babai.
-Ia bleva vëllait, – thashë.
Nga poshtë pallatit u dëgjua goool. Sikur vëllai ta kishte kuptuar, edhe zbathur ai ta çan rrjetën.

Babai dhe nëna nuk folën. Motra lëpinte sheqerin e kuq mbi mollë. Gjyshja më fërkonte flokët dhe dëgjoja:

-Floriri im, floriri im…

Mbaj mend që rroga e parë e vogël më mbushi me lumturi. Aq shumë sa në mijëra e mijëra rroga nuk e kam ndjerë atë gëzim e ngazëllim të asaj të shtune plot diell…

(k.m/dosja.al)

Shto Koment