Dikur

Historia e rrallë, kur mbreti Zog kundërshtonte zgjedhjet e 1945 e kërkonte të kthehej në Shqipëri

Një gazetari të “Daily Express”-it i tha: “Jam në ankth për t’u kthyer në Shqipëri, qoftë edhe si qytetar privat në republikë dhe të jap ndihmën time për shqiptarët.
Featured image of article: Historia e rrallë, kur mbreti Zog kundërshtonte zgjedhjet e 1945 e kërkonte të kthehej në Shqipëri Mbreti Ahmet Zogu

TIRANË- Komunistët e shpallën Shqipërinë Republikë Socialiste Popullore, duke rrëzuar de jure Mbretin Zog. Më herët, Zogu lëshoi një deklaratë, duke i cilësuar zgjedhjet e dhjetorit 1945 jo të lira dhe, si të tilla, s’mund ta rrëzonin monarkinë. Ai nuk kishte abdikuar, por edhe vetë e kuptonte se teoria e legalitetit nuk mund të vlente në këtë rast, pasi vetë e rrëzoi në 1925-ën Princin Vid nga froni përmes shpalljes së republikës.

Por Zogu nuk e fshihte dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri. Një gazetari të “Daily Express”-it i tha: “Jam në ankth për t’u kthyer në Shqipëri, qoftë edhe si qytetar privat në republikë dhe të jap ndihmën time për shqiptarët. E gjithë shpresa ime është të kthehem. Të jesh Mbret në këto kohë është e vështirë, më e vështirë se para lufte, por gjatë këtyre viteve në Britani kam mësuar mjaft mbi qeverisjen”.

Mbret Zog e humbi luftën për të rifituar fronin, por jo atë pak sens humori që kishte. Një gazetar i “Daily Sketch” e vizitoi në vilë pak ditë pasi komunistët shqiptarë kishin deklaruar fitoren në zgjedhjet e dhjetorit 1945. Shqipëria do të rikthehej në republikë. Gazetari e pyeti Zogun se si ndihej tani që humbi gjithçka dhe që nuk do të kthehej më në Shqipëri.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në pritje të ndonjë proteste nga Zogu, gazetari mori një përgjigje që nuk e priste. “Unë kam qenë gjithnjë republikani i parë i Shqipërisë. Kur u bëra Mbret, isha i vetmi që protestova”, – i tha Zogu me tonin e tij të zakonshëm e të butë. Kjo ishte përgjigjja e një monarku që e kishte fituar fronin e tij përmes rënies dhe ringritjes. Kurdoherë i gatshëm të sfidonte politikisht. Në fund të fundit, ishte Presidenti që u bë Mbret.

*(Marrë nga Facebook i Erald Kaprit)

Shto Koment