Blog

Historia! Dilte çdo ditë me të nga parku Rinia, si e refuzoi kushërira propozimin për martesë

Vjola, kushërira ime e kishte kthyer mbrapsh Lilon kur ai kishte shkuar të kérkonte dorën e saj. Lilo ishte kryeinxhinieri i ushqimores dhe qe ëndërra e vajzave të qytetit. Të të gjithave.
Featured image of article: Historia! Dilte çdo ditë me të nga parku Rinia, si e refuzoi kushërira propozimin për martesë Foto ilustruese

(Tregimi i së dielës.)

Mamaja më tha çudinë e ditës. Vjola, kushërira ime e kishte kthyer mbrapsh Lilon kur ai kishte shkuar të kérkonte dorën e saj. Lilo ishte kryeinxhinieri i ushqimores dhe qe ëndërra e vajzave të qytetit. Të të gjithave. E shihja në xhiron e darkës te bulevardi. Çupkat guxonin ta kthenin kokën drejt tij edhe kur ishin shoqëruar me prindérit. Ai,edhe nga që luante basketboll, ishte afér dy metër i gjatë,elegant,me sy blu,flokë të zinj dhe me ecje artisti. Calja për të shprehej: “Edhe ne çunave na pëlqen ky djalosh,jo më gocave.”

Vjola sa kishte mbaruar për arkitekturë. E bukur yll,e gjatë ndonja një pëllëmbë më lart se babai i saj. Sytë larushë dhe flokët gështenjë. Trupin si sorkadhe,thoshte nëna ime.

Ajo u njoh me Lilon në një mbledhje bordi të qytetit ku u diskutua për ndértesën e bibliotekës që e projektoi Vjola. Lilo e lavdëroi se e pëlqeu vërtet, por Vjolës i erdhën mirë në vesh ato fjalë dhe rreth dy orë të aktivitetit ndenjën bashkë. Pastaj nisën të shihen më dendur deri sa një ditë dolën shëtitje nga parku Rinia. Një xhiro andej ishte tamam sikur shpallje fejesën. Kështu ishte tradita e krijuar ndér breza dhe që ende nuk qe thyer.

Por ja që paska një herë të parë pér çdo gjë. Kur Lilo fluturonte në qiellin e shtatë dhe kur në kokë po endte pëlhurën e planeve,Vjola e kthen duarthatë.

Ishte mbasdite maji kur Lilo trokiti te porta e Vjolës, te vila pérpjetë kodrës. Derën ia hapi nena e saj. Qeshi dhe e ftoi me ngut brenda. Te veranda rrinte babai me një filxhan kafe në dorë. E sa u bënë pérshëndetjet e para nga kati i dytë zbriti Vjola. Me një fustan basme që e tregonte si sorkadhe ,por nga ato më lozonjaret. Në çast ajo u tremb dhe gati do pyeste Lilon,por ai e sqaroi:
-E di që më the mos nxitohem,por dashuria është aventurë,nuk pyet për rregulla.
E në çast iu drejtua babait të Vjolës:
-Dua bekimin tuaj për t’u fejuar me Vjolën.

Fytyra e babait ndriti. Nëna sa nuk mori fluturimin. Por të dy kthyhen kokat nga Vjola. Ajo rrinte si e ngurosur. Foli veç një fjalë:
-Jo.

Dhe u ngjit lart prapë si sorkadhe që i fshihet shigjetës së gjahtarit.

Lajmi mori dhenë. Askush nuk e besoi në fillim. U muar si një thashethem. Por një fakt shtuar mbi ngjarjen e bëri atë dramatike. Vjolën nga parku Rinia e kishin parë para ca ditësh me Golen,skenaristin e teatrit.

Nisën lidhjet e shkurtra të fjalëve. Ca thoshin se Vjola qe bishtdredhur, ca se nuk ishte serioze, ca se ajo s’qe lidhur fare me Lilon e me jetën e saj mund të bënte ç’të donte.

Qyteti i vogël po mbytej në vorbullën e thashethemeve.

Golja nuk ishte i gjatë sa Lilo, nuk kishte sy blu, as flokët sterrë të zinj, nuk luante basketboll e gocat s’para shihnin ëndërra me të. Ai ishte pakëz më i shkurtër se Vjola, ca vite më i madh dhe pakëz topolak. Ah, kishte dhe syze që e bënin më të moshuar. Por ja që ishte parë xhiro me Vjolën. Dhe ku?

Andej nga parku, nga vendi i dashurisë, siç quhej.

Kaluan ditë e ngjarja nuk u harrua. Lilo u mbyll në shtëpi. Si i ofenduarnga vajza që pandehte se e kishte të dashur. Edhe Vjola u mbyll te dhoma e saj. Veç Golja vazhdonte ritualin. Nga puna jo në shtëpi,por në teatër, stadium, xhiro. Si për t’i thënë botës se prisni ca ditë e kështu singël s’do më shihni më..

Babai i Vjolës nuk po merrte mundimin të sqarohej me vajzën. Kishin një ftohtësi të kuptueshme. Kështu deri pas një jave. Nëna nuk duroi e shkoi te dhoma. Ia rreshtoi asaj tëk e tëk e tëk gjithë gjërat që humbi.

-Harroje të gjesh burrë si Lilo,aq të pashëm,me punë të mirë,aq të zotin,aq të mençur,aq të urtë,aq të matur.

Ndërsa e bija po heshtte ajo u nervozua:

-Ç’i pëlqeve këtij gjysylykes,Gole? Hë,më thuaj? Ç’të pëlqen te ai?

-Më pëlqen,më pëlqen…-ia nisi ajo dhe fjala po i rrotullohej në gojë si një karamele e fortë.-Po,ja,ai më bën për të qeshur. Nuk është pak. Ma bën orën dhe ditën gazmore. Kur jam me të kam qejf të flas e të dëgjoj. Shihemi në sy e nuk na rreshtin pyetjet,pérgjigjet,gazi,e qeshura. Asnjëherë nuk rrimë me gojë mbyllur. Veç bisedojmë e bisedojmë. Pak të duket? Unë kështu e mendoj dashurinë.

Si dy duar lidhur bashkë e ku lëvizja e gishtave komandohet njëkohësisht nga dy mendje që vendosin të jetojnë bashkë.

Nëna heshti. I ngeli në mendje shprehja “Golja më bën pér të qeshur” Iu kujtua se dashuria e saj lindi te fidanishtja “Buzëqeshja” që e ngriti babai i Vjolës dhe që e vaditën të dy gjithë jetën me gaz e qeshje të sinqerta.

Donte t’ja tregonte të shoqit,por mendoi se Vjola do ia thoshte më bukur. Se këta të rinjtë e sotëm të japin ujë me bishtin e lugës,qeshi ajo…

Shto Koment