Politike

“Heshtje e sforcuar artificialisht”- VOA për nisjen e sesionit të ri parlamentar: Kryefjalë do të jenë zgjedhjet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi 25 prillin si datën e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa vëzhgues të pavarur pohojnë që, më shumë e rëndësishme se sa data, është përgatitja e një procesi zgjedhor të besueshëm nga palët.
Featured image of article: “Heshtje e sforcuar artificialisht”- VOA për nisjen e sesionit të ri parlamentar: Kryefjalë do të jenë zgjedhjet Deputetet e Kuvendit Shqiptar

Në Tiranë nisi sot sezoni i ri parlamentar, sfida kryesore e të cilit mbetet përgatitja sa më e mirë e zgjedhjeve të përgjigjithshme.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi 25 prillin si datën e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa vëzhgues të pavarur pohojnë që, më shumë e rëndësishme se sa data, është përgatitja e një procesi zgjedhor të besueshëm nga palët. Parlamenti u mblodh sërish sot në Tiranë disa javë pas ndryshimeve kushtetuese, që kishin të bënin me procesin zgjedhor.

Edhe këtë sezon vlerësohet se sfida e tij më e vështirë mbetet përmbyllja e reformës zgjedhore dhe ndërtimi i administratës së re zgjedhore.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njoftoi dje dekretimin e 25 prillit si data kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare, por deri atëherë një mori me punë mbeten për t’u bërë, që nga përmbyllja e reformës zgjedhore e deri te transparenca me sistemin zgjedhor etj.

“Kemi një premtim në parim se listat do të hapen, por ne nuk e dimë ende se si do të hapen listat. A do të hapen listat për qytetarët apo do të jetë një lojë e politikës, ku përsëri kryetarët e partive, majtas dhe djathtas, do të kenë gjithë ekskluzivitetin për t’i zgjedhur kandidatët për deputetë” – thotë drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta.

Kjo organizatë ka një përvojë afro 3 dekada në vëzhgimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri, qysh nga fillimi i viteve 90 me rrëzimin e regjimit komunist.

18 shtatori është afati i fundit për propozimet, sipas marrëveshjes së qershorit, mbi emërimin e drejtuesve dhe përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por politika po përpiqet ta kapë sërish, thotë zonja Meta, sepse ka vendosur disa kritere, që pengojnë çdo qytetar me integritet për të konkurruar për ato poste.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Përsëri politika po tenton ta kapë KQZ-në, sepse kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve në të gjithë nivelet e strukturës së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk janë aspak transparente, janë shumë hileqare për faktin se kanë vënë një klauzolë të tillë se kandidati duhet të jetë një ish-përfaqësues i një institucioni, ish-funksionar, ish-drejtues i lartë, apo ish-drejtues i një ojq-je, apo ish-gjyqtar apo ish-funksionar në sistemine drejtësisë” – thotë zonja Meta.

Mbetet për t’u parë nëse kanë hyrë ende në fuqi ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut dhe si do të ecet me akte të tjera nënligjore, thotë zonja Meta, për të nisur një garë zgjedhore të ndershme dhe ligjore. Sipas saj, situata politike nuk është aspak e qetë, edhe pse në dukje ka një heshtje të sforcuar artificialisht, dhe është e ngarkuar me surpriza të paparashikuara.

“Gjatë gjithë këtij viti kemi diskutuar për reformën zgjedhore, një reformë nuk u shpalos në thelbin e saj, si një reformë gjithëpërfshirëse, duke prekur gjithë interesat e palëve aty. Por përkundrazi përfundoi në një marrëveshje nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, që pati edhe rezerva edhe nga vet aktorët e politikës. Sapo u firmos marrëveshja, sërish kampet u ndanë, erdhën sjellje të reja të politikës si ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut me koalicionet zgjedhore, votat e emigrantëve dhe listat e hapura, që janë pikëpyetje, ku nuk dihet se si do të vendosin këta politikanë” – tha zonja Meta.

Forcat politike shqiptare e kanë bërë traditë kundërshtimin e rezultateve zgjedhore, dhe zvarritjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit edhe pas skadimit të afateve ligjore, të cilat shpesh rivendosen në kohë.

E tillë ishte marrëveshja e janarit se reforma zgjedhore do të kryhej brenda marsit, shtryrja sërish e angazhimeve deri brenda majit, gjë që u përmbyll me një marrëveshje në ditët e para të qershorit me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë dhe europianë.

Marrë nga VOA

Shto Koment