Opinione

Heqja dhe vendosja e gërmave të TK, kush janë të paligjshmit?

Një palë i hoqi dhe pala tjetër i vendosi sërish. Të dyja pa dokumentacione, pa mandat, pa i detyruar asnjë ligj, bënë akte që mund të quhen të paligjshme.
Featured image of article: Heqja dhe vendosja e gërmave të TK, kush janë të paligjshmit?

TIRANË- Një ditë më parë artistët u mblodhën dhe sfiduan institucionet për të rivendosur shkronjat në godinën e Teatrit Kombëtar, të cilat u hoqën natën e 26 prillit.

Artistët besonin dhe drejtuan gishtin drejt kryebashkiakut Erion Veliaj. Ata publikuan edhe foto ku rreth orës 04:30 shiheshin disa persona teksa hiqnin shkronjat nga godina ku shkruhej me gërma të mëdha emri i këtij institucioni kulturor.

Një palë i hoqi dhe pala tjetër i vendosi sërish. Të dyja pa dokumentacione, pa mandat, pa i detyruar asnjë ligj, bënë akte që mund të quhen të paligjshme.

Por kush janë të paligjshmit në këtë mes?

Ata që i heqin shkronjat natën apo ata që dalin në mes të ditës dhe sfidojnë çdo lloj institucioni për t’i rivendosur këto shkronja?

Pasditen e kaluar, artistët ftuan të gjithë njerëzit që të ishin prezentë në rivendosjen e shkronjave në godinën e Teatrit Kombëtar, dhe shumë qytetarë ishin dëshmitarë të aktit të tyre. Dhe fakti që policia nuk doli t’i pengonte, por vetëm në një moment pati një përplasje, tregon se ata nuk janë aspak të paligjshëm.

Të paligjshmit mbetet të jenë ata që i heqin shkronjat natën dhe fshehurazi.

Por a do të ndëshkohen të paligjshmit?

A ka nisur ndonjë hetim nga policia dhe Prokuroria? Çfarë ndodhi me padinë që katër prej aktivistëve të “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” kanë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës?

Para derës së Prokrurorisë së Tiranës Kastriot Çipi; Robert Budina, Martin Gjonaj dhe Edmond Budina kanë kërkuar rivendosjen e gërmave të hequra dhe ngritën një padi.

Nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur është sepse vetë shteti është i implikuar në këtë vepër të paligjshme.

Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një hajdutëri shtetërore, ku janë të përfshira: bashkia, policia dhe prokuroria.

Tashmë mbetët vetëm që të presim hetimet, nëse Prokuroria do ta bëjë një gjë të tillë. Tani presim që drejtësia të gjej të ligjshmit dhe të paligjshmit.

(Dosja.al)

Shto Koment