Aktualitet

HEC-et/ Shoqëria civile kërkon ndryshime në ligj: 61 ndërtime mbi zonat e mbrojtura

Eco Albania ka dërguar sugjerimet për ndryshimin e ligjit pranë komisioneve parlamentare.
Featured image of article: HEC-et/ Shoqëria civile kërkon ndryshime në ligj: 61 ndërtime mbi zonat e mbrojtura Foto ilustruese

TIRANË- Një nga shoqatat e shoqërisë civile ka zyrtarizuar nismën ku kërkohet ndryshimi i ligjit për dhënien e koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Eco Albania ka dërguar sugjerimet për ndryshimin e ligjit pranë komisioneve parlamentare. Në këtë kërkesë thuhet se në Shqipëri janë planifikuar të ndërtohen 54o hece, ndërkohë që 61 HEC-e janë parashikuar të ngrihen në zona të mbrojtura.

Kërkesa e plotë e EcoAlbania-s për ndryshimin e ligjit të koncesioneve për HEC-et:

EcoAlbania ka dërguar zyrtarisht kërkesën për ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” duke përcjellë zërin e disa organizatave mjedisore, ekspertëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe banorëve të prekur nga zhvillimi projekteve hidro-energjetike. Në shkresën drejtuar Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin si dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, EcoAlbania ka paraqitur shqetësimin dhe nevojën emergjente për ndërhyrje në paketën ligjore të koncesioneve kryeshisht lidhur me lejet e HEC-eve. Planet e zhvillimit të veprave hidro-energjetike tregojnë se 540 hidrocentrale janë planifikuar për t’u ndërtuar në gjithë territorin e Shqipërisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve në zona të mbrojtura (rreth 61) dhe zona me potencial të lartë natyror.

EcoAlbania ka ndërmarrë një analizë të thellë të planeve, strategjive dhe legjislacionit kombëtar të sektorëve të energjisë, turizmit, mjedisit dhe ujit, në frymën e përafrimit të tyre me legjislacionin e BE. “Nga vëzhgimi dhe studimi i zbatimit në praktikë të kornizës komplekse ligjore që rregullon procedurat koncesionare në sektorin hidroenergjetik, ka rezultuar prania e një sërë problemeve gjatë realizimit të këtyre procedurave nga autoritetet publike. Në rrënjë të shumicës së problemeve qëndrojnë shume boshllëqe dhe konflikte në kuadrin ligjor në fuqi që rregullon në tërësi procedurat për koncesionet hidro-energjetike”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekszekutiv i EcoAlbania.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kjo analizë është konkluduar me gjetje dhe rekomandime për ndryshime konkrete në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar si dhe ligjet e tjera që ndërveprojnë në fushën e koncesioneve hidroenergjetike. Konkretisht dokumenti përmban propozime për shtesa dhe ndryshime në ligjet:
1. Ligji nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar;
2. Ligji nr.10 440, datë 07.07.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”;
3. Ligji nr. 10 448, datë 14.07.2011 “Për lejet e mjedisit”;
4. Ligji nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar.

Gjetjet dhe rekomandimet për ndryshime janë konsultuar me komunitetet lokale, Organizatat e Shoqërisë Civile Mjedisore, institucionet lokale dhe aktorë të tjerë të interesuar gjatë forumeve lokale të organizuara nga EcoAlbania.

EcoAlbania dhe ekipi i ekspertëve synojnë diskutimin e tyre në Komisionet Parlamentare përkatëse dhe nxitjen e ndryshimeve ligjore në drejtim të përmirësimit të legjislacionit për koncesionet e HEC-eve në Shqipëri.

Në përputhje me misionin e saj EcoAlbania është angazhuar në nxitjen e nismës së shoqërisë civile për përmirësimin e legjislacionit për koncesionet e HEC-eve në Shqipëri. Ky angazhim synon të rrisë pjesëmarrjen aktive të publikut në vendimmarrje, në lidhje me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe është realizuar në kuadër të projektit AKTIV-II me mbështetjen financiare të LëvizAlbania.

Shto Koment