Aktualitet

ME VIDEO/ Publikohet harta e vendeve të vuajtjes së dënimit në Shqipërinë komuniste

Një video e realizuar nga fondacioni kujto.al me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung, që përmbledh në 16 minuta, hartën e mbjellë me burgje, kampe internimi dhe kampe pune të detyruar në 46 vite. "Kjo video, tha studiuesi Erald Kapri, tregon që Shqipëria në diktaturë ka qenë një skenë e madhe krimi".
Featured image of article: ME VIDEO/ Publikohet harta e vendeve të vuajtjes së dënimit në Shqipërinë komuniste Foto nga kampet
Përditësuar:

TIRANË– U prezantua sot në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Tiranë, videoja e vendeve të vuajtjes së dënimit në Shqipërinë komuniste. Një video e realizuar nga fondacioni kujto.al me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung, që përmbledh në 16 minuta, hartën e mbjellë me burgje, kampe internimi dhe kampe pune të detyruar në 46 vite. “Kjo video, tha studiuesi Erald Kapri, tregon që Shqipëria në diktaturë ka qenë një skenë e madhe krimi”.

“Është tepër e rëndësishme të kemi informacion për këto vende, ku janë kryer këto krime. Megjithëse Shqipëria është një vend i vogël, ne pamë në këtë dokumentar një listë të gjatë të vendeve të vuajtjes”, u shpreh drejtori i KAS Albania, Tobias Rüttershoff, pas video-prezantimit. “Kur shohim këtë video ku paraqiten burgjet dhe kampet e panumërta kuptohet sa punë mbetet për t’u bërë në zbulimin e këtyre krimeve. Dhe për ne, është një çështje e rëndësishme që dhe të rinjtë ta marrin këtë informacion që këto krime mos të ndodhin më”, shtoi drejtori i KAS.

Rëndësinë e prezantimit të vendeve të vuajtjes në një format modern, tërheqës për të rinjtë dhe studentët, si në këtë video, e theksoi edhe pedagogu i Departamentit të Historisë, Andi Pinari gjatë fjalës së tij.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Video-prezantimi i hartës së vendeve të vuajtjes, është një nga realizimet e fondacionit kujto.al, të themeluar nga Agron Shehaj para tre vitesh. “Kujto.al në nismën e saj, ka dashur të ketë publikun partner. Në më pak se tre vjet që nga themelimi, kujto.al ka mbledhur qindra dëshmi, ka krijuar një arkiv me mbi 40 mijë njerëz që kanë vuajtur, qindra familjarë na shkruajnë për të përditësuar profilet e të afërmëve të tyre”, tha Erald Kapri, pjesë e kujto.al.

Erald Kapri gjate fjalimit te tij pas video-prezantimit

Aktiviteti u zhvillua në 29-vjetorin e shembjes së shtatores së Enver Hoxhës në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, të organizuara nga KAS Albania dhe IDMC. Në të ishin të pranishëm, veç studentëve dhe përfaqësuesve të institucioneve që merren me të kaluarën komuniste, edhe princ Leka II  dhe shqiptaro-amerikani Marko Kepi, themelues i “Albanian Roots”. Të pranishmit ndanë idenë që Shqipëria është ende në hapat e parë të përballjes me të kaluarën, një kusht i domosdoshëm për një të ardhme më të mirë.

Marrë nga Kujto.al 

Shto Koment