Rajoni

Haradinaj dorëhiqet nga mandati i deputetit: Do të vazhdoj punën në mbrojtje të interesave të Kosovës

 Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se ai vendin e tij do ua lirojë kolegëve t ëtij, por shton se do i mbështes gjithmonë. 
Featured image of article: Haradinaj dorëhiqet nga mandati i deputetit: Do të vazhdoj punën në mbrojtje të interesave të Kosovës Ramush Haradinaj

KOSOVË- Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, duke i falënderuar 100 mijë votuesit e tij si kandidat për kryeministër tha se nuk do pranojë të jetë më deputet. Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se ai vendin e tij do ua lirojë kolegëve t ëtij, por shton se do i mbështes gjithmonë. 

Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pa ndalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis“, shkruan Haradinaj. 

POSTIMI I PLOTË

Tani që po përmbyllet ky cikël zgjedhor, dua që të shprehë mirënjohjen time të thellë për secilën nga mbi 100,000 votat e besuara nga Ju, për mua si kandidat për Kryeministër. Përjetësisht falënderues! Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi.

Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës. Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njëjtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor.

Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pa ndalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis. Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës. Përgjithmonë i juaji, sa herë kërkon vendi e populli.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment