Editorial

Haraçi i shqiptarëve për gjyqin e Ramës me gazetarin e BILD

Aty, në vendin ku Kancelarja jeton në një apartament mesatar dhe del në këmbë të bëjë pazarin, pa përdorur asnjë mjet shtetëror, Edi Rama ka vendosur të shpalosë shembullin shqiptar.
Featured image of article: Haraçi i shqiptarëve për gjyqin e Ramës me gazetarin e BILD
Përditësuar:

Gjyqi ndaj gazetarit të Bild është ndërkombëtarizim nga vetë Rama i mungesës së lirisë së shtypit. Delegacioni që u nis menjëherë në Shqipëri është treguesi. Mediat gjermane tani mund të shohin se kolegët e tyre përndiqen nga dy liderë bakllkanikë, Erdogan dhe Rama.

Por, ndërsa Erdogan, në luftën e tij me gazetarët turko-gjermanë, është institucional, përdor mjetet shtetërore për represion, Edi Rama përdor avokatë privatë, regjistrohet si klientë luksi në zyra të shtrenjta avokatie.

Nga cili xhep dalin milionat që do të paguajnë avokatin gjerman? Kjo është pyetja që akoma nuk ka marrë përgjigje nga Kryeministria.

Shqipëria, që njihet në Europë si një ndër 3 vendet më të varfra, nuk e ka luksin të paguajë një avokat të shtrenjtë për një çështje personale të Edi Ramës.

Aq më tepër të jetë kliente me të njëjtat shpenzime si kompanitë më të mëdha të Gjermanisë, që qarkullimin vjetor e kanë të paktën 10 herë sa Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë.

Edhe për një çështje jetike kombëtare do te ishte luks i tepruar, por kur bëhet për të shpëtuar pozitën politike të një njeriu, kushdo qoftë ai, atëherë duhet të sqarohet nga dalin paratë dhe me çfarë motivacioni.

Nëse paguhet nga buxheti i Shtetit, atëherë kemi të bëjmë me një abuzim të rëndë nga shefi i qeverisë, që për imazhin e tij përdor fondet publike, përdor taksat e shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë.

Kështu i bie që ata opozitarë që, prej 5 muajsh, janë në rrugë për dorëheqjen e kryeministrit, pas daljes së përgjimeve, të paguajnë që Rama të qëndrojë dhe përgjimet si provë legjitime e protestës së tyre, të bëhen nul.

Jo vetëm kaq. Kjo do të thotë që taksapaguesit të investojnë për krijimin e një imazhi të ngjashëm me vendet despotike të lindjes, kur gjithçka është në dispozicion të sunduesit, paratë, institucionet dhe imazhi. Shqipëria tani ka hyrë në rreshtin e vendeve që kanë alergji nga e vërteta dhe i ndjekin gazetarët këmba-këmbës, qofshin këta edhe në demokracitë e mëdha.

Nëse i paguan nga xhepi i tij, nuk është situatë më e mirë. Do të shkaktonte habi në Gjermani, fakti që Kryeministri i një vendi të varfër, që e ka filluar karrierën në funksione publike si njeri me të ardhura minimale, sot ka aq para sa të paguajë një avokat që vetëm kompanitë e mëdha ndërkombëtare mund ta përballojnë.

Aty, në vendin ku Kancelarja jeton në një apartament mesatar dhe del në këmbë të bëjë pazarin, pa përdorur asnjë mjet shtetëror, Edi Rama ka vendosur të shpalosë shembullin shqiptar.

Një kontrast të frikshëm. Kancelarja e ekonomisë më të madhe në Europë që bën një jetë të thjeshtë dhe kujdeset mos të shpërdorojë paratë e taksapaguesve dhe Kryeministri i njërit prej 3 vendeve më të varfra në Europë, që hap ekspozita luksi, me veshje luksi dhe shtëpi luksi, mund të krahasohen tani në të njëjtin shtet.

Kancelarja e vendit – lider të BE, që, megjithëse e ka në fuqi ligjin për shpifjen, e ka ngrirë zbatimin e tij, me Kryeministrin e njerit prej 3 vendeve të fundit në integrimin në BE, që, megjithëse nuk e ka në fuqi ligjin për shpifjen, po mundohet ta miratojë dhe po e zbaton pa e miratuar ende. Këto modele që deri dje ishin larg, sot kontrastojnë në Gjermani, që kur Edi Rama vendosi të eksportojë modelin e tij, me padinë për gazetarin Peter Tiede.

Shto Koment