Politike

Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve, opozita e bashkuar del kundër: S’i bindemi Ramës

Në një deklaratë zyrtare, PD dhe aleatët janë shprehur se përgjegjësia për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit është vetëm e Edi Ramës. 
Featured image of article: Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve, opozita e bashkuar del kundër: S’i bindemi Ramës

TIRANË- Opozita e bashkuar ka dalë me qëndrim zyrtar pas miratimit të ndryshimeve të Kushtetutës në Komisionin e Ligjeve. Në një deklaratë zyrtare, PD dhe aleatët janë shprehur se përgjegjësia për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit është vetëm e Edi Ramës. 

Opozita shkruan se “ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit“. Më tej për Basha dhe aleatët shprehen se Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor duhet ta vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor

DEKLARATË E KOALICIONIT OPOZITAR

Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës.

Opozita e Bashkuar është e vendosur t’i shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri.

Maxhoranca dhe opozita e re kanë miratuar sot ndryshimet e Kushtetutës. Komisioni i Ligjeve me 100% të votave miratoi sot heqjen e koalicioneve, gjë që do të sanksionohet në Kushtetutë. Po ashtu është vendosur dhe hapja e listave, por nuk do të ketë një hapje të tërësore, por vetëm 1/3 e të gjithë listës shumëemërore. Po ashtu sot është vendosur dhe vendosja e pragut elektoral, që në qarqe do të jetë prag natyral, por shpërndarja e mandateve do të bëhet vetëm për partitë që do marrin 5% të votave në rang kombëtar.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment