Aktualitet

“Hanin, pinin e këndonin si në dasma”, tregimi i papërsëritshëm i Petro Markos për tërmetet

Por për tërmetet ka shkruar dhe shkrimtari i njohur Petro Marko, në librin e tij "Intervistë me vetveten", në pjesën Retë dhe Gurët.
Featured image of article: “Hanin, pinin e këndonin si në dasma”, tregimi i papërsëritshëm i Petro Markos për tërmetet Dëmet e tërmetit dhe Petro Marko

TIRANË- Shqipëria ditët e fundit është tronditur nga tërmetet, pasi shumë shtëpi janë shpallur të pabanuara dhe 50 njerëz mbetën të vdekur. 

Por për tërmetet ka shkruar dhe shkrimtari i njohur Petro Marko, në librin e tij “Intervistë me vetveten”, në pjesën Retë dhe Gurët.

PJESË NGA TREGIMI

Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.

U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!

Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…

Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

– Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!

Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.

50 persona të vdekur, 900 të plagosur dhe 47 të shpëtuar, ky është bilanci i tërmetit. Kërkimet në Thumanë u mbyllën paraditen e djeshme, ndërsa në zonat e tjera u mbyllën pasdite. Trupi i fundit u nxorr pak pas mesnate në zonën e njohur si “2 Gjelat”. Toka vijon të dridhet ndërsa viktimat po përcillen një e nga një për në banesën e fundit.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment