Sport

Hallaçi debuton në Superiore, me barazim: “Kjo është pika e kthesës!”

“Nga java në javë do t’i rregullojmë gjërat. Nuk dua të them ndonjë fjalë për justifikim. Kemi qenë në kontakte me trajnerin. Kemi marrë një pikë në transfertë ndaj Teutës dhe mendoj se kjo është pozitive”
Featured image of article: Hallaçi debuton në Superiore, me barazim: “Kjo është pika e kthesës!”

DURRES – Detyrën e trajnerit të Kukësit në sfidën me Teutën për javën e 3-të të Superiores, e kreu ndihmëstrajneri Rrahman Hallaçi, për shkak të infektimit të Skënder Gegës me koronavirus. Pas barazimit 0-0 në “Niko Dovana”, ish-kapiteni i verilindorëve, sot në rolin e një “trajneri debutues në Superiore”, do të shprehej për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport:

“Ishim mirë në mbrojtje dhe e pritëm Teutën në prapavijë, por nuk e kishim menduar kështu. E kishim përgatitur ndeshjen për të fituar, por duke parë kundërshtarin thamë të mos dilnim pa pikë nga kjo ndeshje. Besoj se kjo do të jetë pika e kthesës. Kemi insistuar fort te kjo skuadër. Gjatë ndeshjes isha në kontakt me trajnerin Gega. Profesori është mirë nga gjendja shëndetësore dhe shpresojmë ta kemi shumë shpejt.”

Kukësi, ende jo i plotë? “Kur t’i kemi të gjithë lojtarët, do të jemi më të plotë. Megjithatë ne i kemi marrë masat, që edhe kur të kemi dëmtime të kemi lojtarë në stol. Mendoj se ndeshja sot shkoi mirë. Ekipi i Teutës është ekip serioz që ka investuar, kemi bërë mirë deri diku, por nga java në javë do t’i rregullojmë gjërat. Nuk dua të them ndonjë fjalë për justifikim. Kemi qenë në kontakte me trajnerin. Kemi marrë një pikë në transfertë, ndaj Teutës dhe mendoj se është pozitive”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Mungesa e Gjicit? “Presidenti i nderit është gjithmonë me ne, por skuadra e Kukësit është një familje e madhe. Janë disa gjëra që na dalin para ndeshjes për të na shpërqendruar. Nuk kemi probleme financiare, këtu nuk ka asnjë problem. Skuadra nuk e ka bojkotuar stërvitjen, kemi qenë çdo ditë aty, në kompleks. Nëse skuadra nuk bën fitnes, nuk do të thotë se nuk del në stërvitje.”

B.T (Dosja.al)

Shto Koment