Bota

Greqia i kërkon Turqisë të zbatojë marrëveshjen për migrantët

Por, Ankaraja kundërshton shifrat e BE-së, duke pretenduar se vetëm 3.6 miliardë euro janë shpenzuar për sirianët. Turqia mban rreth 3.7 milionë sirianë në tokën e saj.
Featured image of article: Greqia i kërkon Turqisë të zbatojë marrëveshjen për migrantët Foto ilustruese

Ministri i Migracionit në Greqi, Notis Mitarachi, i bëri thirrje Turqisë të marrë mbrapa 1.450 migrantë. Ky veprim, sipas tij, do të tregonte gatishmërinë e Ankarasë për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian në kuadër të marrëveshjes së vitit 2016.

“Ne i kemi propozuar Turqisë që të rifillojë kthimet e atyre që nuk kanë të drejtë për të fituar mbrojtje”, i tha Mitarachi agjencisë AFP. Marrëveshja Turqi-BE obligonte shtetin turk të mbajë azilkërkuesit, kryesisht nga Siria, në këmbim të një pagese prej 6 miliardë eurosh nga ana e BE-së. Sipas Komisionit Evropian, 4.1 miliardë euro tashmë janë transferuar në Turqi dhe dy miliardat e mbetura janë kontraktuar në projekte për të mbështetur refugjatët.

Por, Ankaraja kundërshton shifrat e BE-së, duke pretenduar se vetëm 3.6 miliardë euro janë shpenzuar për sirianët. Turqia mban rreth 3.7 milionë sirianë në tokën e saj.

“Turqia ka ndërmarrë përgjegjësi të caktuara, sikurse ka bërë BE-ja. Të dyja palët duhet të përmbushin këto detyrime”, tha ministri grek.

Rezultatet finale të zgjedhjeve në kohë reale dhe të përditësuara nga burimi zyrtar KQZ këtë vit do të mund ti ndiqni në Dosja.al. Kliko për të parë platformën.

Që nga arritja e marrëveshjes ka rënë ndjeshëm numri i migrantëve dhe refugjatëve në Greqi. Në kulmin e krizës në vitin 2015, Detin Egje e kaluan 856.000 migrantë. Kjo shifër ra në 173.000 vitin e ardhshëm, dhe në vetëm 30.000 më 2017. Mbase për shkak të pandemisë, në vitin 2020 kjo shifër ishte vetëm 10.000.

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, disa herë ka kërcënuar me prishje të marrëveshjes. Ai dëshiron përparim në procesin e integrimit të Ankarasë në Bashkimin Evropian. Ankaraja gjithashtu dëshiron që Brukseli të bashkëpunojë me Turqinë në krizën e Sirisë, për të përgatitur rrugën që refugjatët të kthehen në atdheun e tyre të shkatërruar nga lufta.

Shtetet anëtare të BE-së do të diskutojnë në lidhje me Turqinë në samitin e tyre të ardhshëm më 25 dhe 26 mars.

Marrë nga REL 

Etiketa:

Shto Koment