AktualitetSociale

Grabitje masive në Fier/ ‘Maskat’ e armatosura vjedhin bagëtitë, fermerët: Kemi frikë, s’dalim dot nga shtëpia

Grabitje masive në Fier. Prej më shumë se dy javësh një grup i armatosur grabit bagëtitë gjatë natës. Për të mbrojtur bagëtitë, fermerat gjithashtu janë janë organizuar vetë me njëri-tjetrin duke krijuar grupe për të mbojtur bagëtitë e tyre.

FIER– Prej më shumë se dy javësh banorët e Bishanit, Poros, Pishës dhe Martinës në njësinë administrative Levan të Fierit kanë rënë pre e grabitjeve në masë.

Një grup i madh personash të armatosur u grabisin bagëtitë gjatë natës fermerëve duke e kthyer këtë në një fenomen që vijon edhe pse është denoncuar vazhdimisht nga banorët.

Meqënëse policia nuk ka ndërmarrë asnjë masë për kapjen e autorëve të grabitjeve në masë, banorët janë organizuar vetë me njëri-tjetrin duke krijuar grupe për të mbojtur bagëtitë e tyre.

Qytetar: Në fshat jemi nja 50-60. Kemi një muaj e gjysëm që vidhen viç, lopë, çfarë u del më para. Kemi ngritur grupe vetë për t’u ruajtur. Thonë që janë më armë. Nuk dihet se kur vijnë. Mua nuk më kanë sulmuar akoma. Kam shpëtuar se po rrijmë zgjuar.

Qytetar: Mua nuk më kanë vjedhur. Bashkëfshatëve të mi u kanë vjedhur bagëti. Si mund të flemë rehat kur bëhet kjo e keqe?

Qytetar: Jemi të rënduar nga hajdutët, nuk dalim dot nga shtëpia që të çojmë bagëtinë në kullotë se t’i marrin ata. Janë të armatosur, t’i marrin dhe të vrasin. Marrin çfarë të gjenjnë. Janë grup i madh. Janë të fshatrave të tjera dhe jo të Bishanit. Kapën nja 3-4 veta pastaj thanë se nuk janë ata. Ne nuk dalim dot nga shtëpia. Jam fermer, me letra. I përgjigjem shtetit, por shteti nuk më përgjigjet mua. Gjatë verës ne i largojmë bagëtitë, i lëmë në terren të hapur. Edhe qentë i helmojnë. Jemi të frikësuar se janë grup i madh. Kishin ardhur para një dite dhe kontrollojnë. Shkojnë në çdo fshat. S’kemi siguri. Edhe qentë kanë frikë nga ata. Thonë që është bërë një grabitje në banesë. Dje ishin dhe kishin hapur një gardh por pronari kishte gjuajtur armë gjahu dhe ishin larguar. Se armët e gjahut janë me leje.

Deri më tani, Policia ka shoqëruar në Komisariat disa persona të dyshuar, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Në zonë ka shkuar kryedemokrati i Fierit, Luan Baçi, i cili i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliut dhe drejtorit të Policisë së Fierit që ta ndjekin rastin dhe t’i ofrojnë qytetarëve siguri dhe mbrojtje.

Bujqërit bëjnë apel që shteti të marrë masa për parandalimin e këtij fenomeni duke paralajmëruar edhe protesta pasi sipas tyre jeta e tyre është në rrezik nga “maskat”.

(k.m & a.s/dosja.al)

Shto Koment