Dikur

Gjyqi i “puçistëve”, rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Çfarë ndodhi gjatë gjyqit me Enverin. Oferta që më bëri Kadri Hazbiu në qeli

Gjeneral Parllaku tregon se si shpëtoi i gjallë nga ky gjyq, duke marrë një dënim me 25 vite burg. Dëshpërimi i madh i gjeneralit pas kthimit në qeli, për shkak se kishte lënë tre shokët e tij nën një vendim të rëndë dhe të panjohur për të, por dhe urimet që ai mori nga oficerët e sigurimit që e ruanin 24 orë në qeli, për shkak se i shpëtoi ekzekutimit, rrëfehen me emocion në intervistën e tij marrë nga “Panorama” me rastin e 100 vjetorit të lindjes.
Featured image of article: Gjyqi i “puçistëve”, rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Çfarë ndodhi gjatë gjyqit me Enverin. Oferta që më bëri Kadri Hazbiu në qeli Gjeneralet-Beqir-Balluku, Petrit-Dume dhe Hito Cako

TIRANË- Në vijim të rrëfimit të tij, gjeneral lejtenant, Rahman Parllaku, tregon gjyqin që iu bë “puçistëve” të Ushtrisë, siç u quajtën, pas 11 muaj hetimesh në qelitë e burgut dhe nën masa jashtëzakonisht ekstreme sigurie.

Pasi ishin shpallur fillimisht nga Pleniumi i KQPPSH-së si armiq të popullit dhe Partisë nga vetë Enver Hoxha, Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, gjyqi ushtarak ishte një formalitet. Në një sallë të sajuar si sallë burgu, ku të pranishëm ishin vetëm oficerët e sigurisë dhe hetuesit e tyre, tre drejtuesit e lartë të Ushtrisë u dënuan me pushkatim, ekzekutim që u bë menjëherë pas gjyqit, pa pritur që vendimin për dënimin me vdekje ta jepte Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Gjeneral Parllaku tregon se si shpëtoi i gjallë nga ky gjyq, duke marrë një dënim me 25 vite burg. Dëshpërimi i madh i gjeneralit pas kthimit në qeli, për shkak se kishte lënë tre shokët e tij nën një vendim të rëndë dhe të panjohur për të, por dhe urimet që ai mori nga oficerët e sigurimit që e ruanin 24 orë në qeli, për shkak se i shpëtoi ekzekutimit, rrëfehen me emocion në intervistën e tij marrë nga “Panorama” me rastin e 100 vjetorit të lindjes.

Parllaku tregon dhe ofertën që i bëri në burg Kadri Hazbiu para hetuesit të çështjes që të pranonte tradhtinë që kishte bërë në shkëmbim të një dënimi më të butë, ofertë që u refuzua nga gjeneral Parllaku. Por nuk mungon dhe takimi i Parllakut pas viteve ’90 me prokurorin e çështjes Murat Kamani, që kërkoi 75 vjet burg për të në gjyq.

Si u zhvillua mbledhja e Plenumit të 6 të KQPPSH-së për çështjet e Ushtrisë?

Enveri e nisi me Petritin. Petriti iu përgjigj: “Nuk jam përgatitur për diskutim, sepse dje e mora vesh që jam shpallur armik, kam qenë anëtar i KQ PPSH, kandidat për në Byronë Politike, me përgjegjësi mbi 20-vjeçare në Shtabin e Përgjithshëm, prandaj dua të përgatitem. – S’ka nevojë të përgatitesh, si e keni organizuar puçin në Ushtri, këtë na u përgjigj?”, i tha Enveri. U ngritën dhe të tjerë dhe as i lanë mundësi Petritit që të fliste. Të gjithë duke na akuzuar si armiq. Enveri qëndronte gjatë gjithë kohës në këmbë. Pasi dëgjoi të tjerët, ai tha se kush ishte dakord që Petrit Dume të përjashtohet nga Byroja, nga KQ, nga partia dhe t’i jepet gjyqit. I vunë prangat dhe e morën. Të gjithë njëlloj si Petriti. Sadikun nuk e propozoi për burg, por vetëm përjashtim nga Partia dhe funksionet. Erdhi radha ime. “Na thuaj puçin”, më tha Enveri. Unë i thashë: “Edhe në varr të vini dhe të trokisni, nuk do të gjeni veprimtari armiqësore ndaj Partisë dhe popullit tim”. Dorëzova teserën e Partisë dhe na dërguan të treve në qelitë e burgut.

Sa zgjati kjo situatë?

Qëndruam kështu për 11 muaj derisa u bë hetimi nga hetuesia. U krijua një komandë më vete dhe nuk vareshim nga drejtori i burgut. Mehmeti mori Idriz Seitin, një ish-kapobandë që gjatë luftës italo-greke. Mehmeti e kishte të tijin nga fshati Çorrush i Mallakstrës. Ai ka qenë kryetar i degës së Punëve të Brendshme në Kukës dhe në Lezhë. E thirri Mehmeti dhe e bëri komandant, krijoi një komandë më vete, të përbërë nga rreth 30-40 veta, me njerëz që ruanin dhe oficerët që qëndronin në qeli se mos flisnin me ne, sepse e kishin të ndaluar komunikimin. Për ne kishte një regjim të veçantë trajtimi në burg.

Cili ishte hetuesi juaj?

Unë pata hetues Pirro Dautaj, djali i Esat Dautajt, një mësues i nderuar. Kur ka vdekur xha Esati, kam qëndruar në shtëpinë e tij duke pritur e përcjellë njerëzit bashkë me Kadriun. Koha e solli që djali i tij, të ishte hetuesi im. Ai do të bënte punën e tij për të cilën e kishin caktuar, por të paktën nuk pata ofendime prej tij. Vetëm njëherë u zemërua keq me mua, sepse më erdhi Kadri Hazbiu të më bindte që të pranoja se kishim bërë punë armiqësore në Ushtri.

Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me Kadri Hazbiun?

Me Kadriun nuk isha vetëm shok, por ishim bërë si pjesëtarë të familjes. Nuk kishte Vit të Ri që Kadriu dhe Shefqet Peçi të mos vinin të parët për vizitë në shtëpinë time. Me Kadriun ishim njohur që në Brigadën e 5-të sulmuese, e kishim mbajtur miqësinë, ishim dhe komshinj. Vjen Kadriu dhe më thotë: Rrahman, kështu si rrodhën gjërat, tregohu i arsyeshëm, ti ke qenë njeri i Partisë, Partisë duhet me i folur hapur, do të jetë po partia që do të vlerësojë qëndrimin tënd etj., si këto. Unë i thashë se po bëhen 10 muaj hetime dhe i jam përgjigjur çdo pyetjeje të hetuesit, dhe nuk kam ç’të them më tepër. Hetuesi u tërbua nga kjo përgjigje, sepse priste që unë t’i flisja ndryshe Kadriut. Babai i hetuesit, xha Esati ka qenë si tutori në familjen e Kadriut, se ishin kushërinj, Kadriu ishte rritur në familjen e tij.
Hetuesi, Pirro Dautaj, u mërzit shumë dhe më tha: Ti je me të vërtetë armik i popullit, të mos dëgjosh dhe Kadriun që e ke pasur shok që gjatë luftës!!! “O Pirro – i thashë, – çfarë kisha për të thënë, t’i kam thënë ty. Do të bëhet gjyqi dhe do të shohim të vërtetat. Do të dëgjohem dhe do të lirohem! – Ti vërtet e beson se do lirohesh? – më tha hetuesi. – Si mos e besoj, si mos të besoj te drejtësia e Partisë sime, – i thashë. – Po si mund ta besosh, kur me propozimin e Enver Hoxhës, ngritën dorën 140 vetë në Plenumin e Komitetit Qendror që ti të vish këtu si armik i Partisë dhe i popullit?! Unë si jurist kam detyrë që akuzat ndaj teje dhe shokëve të tu t’i hedh mbi baza juridike, se sa do të dënohesh nuk e di, por që do të dënohesh, kjo as që vihet në dyshim – më tha hetuesi.”

Marrë nga Panorama

(a.m/dosja.al)

Shto Koment