
SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka marrë sot vendimin për t’i dhënë mandatin kreut të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetrit.
Në seancën e drejtuar nga gjyqtari Hasan Selimi ka qenë dhe vet i pranishëm, Pjetri i shoqëruar nga avokati i tij. Po ashtu i pranishëm në sallë ishte dhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Eridjan Salianji.
Tre ditë më parë, kjo gjykatë e shtyu vendimin për konfirmimin e mandatit të Valdrin Pjetrit, për tu njohur me provat e paraqitura nga Bashkia e Shkodrës, me kryetaren në ikje Voltana Ademi, që pretendonte parregullsi në procesin zgjedhor. Bashkia e Shkodrës u përfaqësua në këtë proces nga avokati Jordan Daci.
Valdrin Pjetri arriti që të fitonte garën me veten në 30 qershor, pasi PD nuk mori pjesë në zgjedhje. Për Pjetrin ky është mandati i parë i tij në krye të kësaj bashkie.
(A.B. Dosja.al)