Ekonomi

Gjigandi i makinave hap filial në Fier, Rama: 4 mijë vende të reja pune, epokë e re për Shqipërinë

Shefi i qeverisë tha se nga sot Shqipëria hyn në një epokë të re. Kryeministri gjithashtu bëri me dije arsyet pse Yura Corporation erdhi në Shqipëri.

FIER– Kryeministri Edi Rama ka inaguruar sot investimin e kompanisë koreanojugore, Yura Corporation për të ndërtuar pjesë teknologjike makinash. Investimi që kap vlerën e 13 milionë eurove do të hapë 600 vende të reja pune në fazën e parë, 1100 në të dytën dhe 4000 në fazën e tretë. Shefi i qeverisë tha se nga sot Shqipëria hyn në një epokë të re.

“Sot kemi hyrë në epokë të re dhe falë pranisë së kësaj kompanie prestigjioze çelim siparin e një faze ku të tjera kompani në tregun e automobilave do shfaqen duke plotësuar dhe zhvilluar një mozaik që ka disa gurë të vegjël në Elbasan e Librazhd në disa filiale modeste, por premtuese dhe këtë gur të rëndësishëm siç është Yura, pas një procesi të gjatë pengesash dhe një procesi jo të shkurtër negocimi”.-tha Rama.

Kryeministri gjithashtu bëri me dije arsyet pse Yura Corporation erdhi në Shqipëri.

“Yura ka zgjedhur të çelë një filial në Poloni e Shqipëri mes shumë zgjedhjesh në Evropë. Kemi transformuar programin e Shqipërisë një euro, nga një program për falje uzinash, kapanonesh e pronash shtetërore të mbetura djerrë si rezultat i kontratave tërësisht të pambështetura në plane serioze e kompani serioze investimesh në një program real investimi që na sjell përmes Yurës 600 vende të reja pune dhe një fazë të dytë afro 1100, duke synuar që suksesi i këtyre dy fazave të para të na çojë te një fazë të tretë siç e parasheh kompania për të arritur në 4 mijë punonjës në rang vendi në Shqipëri,” tha Rama.

(F.g/dosja.al)

Një Koment në “Gjigandi i makinave hap filial në Fier, Rama: 4 mijë vende të reja pune, epokë e re për Shqipërinë

  1. Shyqyr qe dëgjojmë një lajm të mirë , bravo nga kudo që vjen , kur duan politikanët çdo gjë bëhet .

Shto Koment