Bota

Gjermania: Me katër etapa për të dalë nga kriza

Ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier me plane për të dalë nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Parakusht është që shifrat e infeksioneve të mbeten të ulëta.
Featured image of article: Gjermania: Me katër etapa për të dalë nga kriza Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier.

GJERMANI– Minus 6,3 përqind, këtë rënie nuk e ka parë deri më tani ekonomia gjermane. “Kemi pasur ditë më të bukura dhe perspektiva më optimiste“, tha ministri federal Altmaier të mërkurën në Berlin. Tregu i punës ka kohë që është nën presion, e ky presion sa vjen e rritet. Deri tani janë afro tre milionë njerëz që punojnë me orar të reduktuar dhe për vitin aktual pritet që numri i të punësuarve në Gjermani të zvogëlohet me 370 000 dhe papunësia të rritet me 5,7 për qind.

Ekonomia po përjeton shok si brenda ashtu edhe jashtë vendit, tha Altmaier. Oferta dhe kërkesa janë njësoj të prekura, sepse edhe ekonomia botërore ndodhet përpara një krize të thellë. Në të gjithë botën janë ndërprerë zinxhirët e furnizimit. Kërkesa për mallrat gjermane do të ulet edhe më tej dhe rritja do te jetë e ngadalshme, tha Altmaier.

Eksportet po bien

Për ekonominë gjermane, e cila varet shumë nga eksporti, një rënie prej 11,6 përqind, sikurse pritet të ndodhet këtë vit, është fatale. Por edhe ekonomia gjermane në përgjithësi do të bjerë, sepse konsumi privat do të ulet për shkak të mbylljes së restoranteve dhe ambienteve të kohës së lirë. 7,4 përqind pritet të jetë rënia e konsumit të brendshëm gjatë këtij viti.  Sipas parashikimit të prezantuar të mërkurën në Berlin nga qeveria gjermane, pika më e ulët pritet të jetë në qershor, me 89 për qind, në krahasim me qershorin e 2019-ës.

Prandaj edhe, sipas ministrit gjerman të Ekonomisë, ia vlen të mendohet që tani sesi mund të rimëkëmbet sërish ekonomia: Sa më shpejt që të ofrojmë një perspektivë konkrete, aq më shpejt do të marrë veten edhe ekonomia. Sipas parashikimit të qeverisë gjermane, nëse masat e marra do të jenë të duhurat, në vitin 2021 ekonomia mund të rritet sërish me 5 përqind.

Përshtatje e programeve ekzistuese të ndihmave 

Në vija të trasha, ministri Altmaier ka hartuar një plan me katër etapa, i cili do të konkretizohet në javët dhe muajt e ardhshëm. “Ne e dimë se pandemia do të marrë fund vetëm pasi të jetë gjetur vaksina, por ne kemi nevojë për një plan për rikthimin gradual të jetës ekonomike”.

Në nivelin e parë, në të cilin ndodhet Gjermania aktualisht, janë ndihmat financiare për  ekonominë. Programet ekzistuese të ndihmës duhet të përshtaten, duke filluar me ndihmën e menjëhershme për kompanitë më të vogla nëpërmjet kredive të Bankës Gjermane të Rindërtimit, KfW,  e deri te fondi i stabilizimit, i cili ka për qëllim të parandalojë që ekonomia të dëmtohet keq në pikat e rëndësishme strategjike. Por qeveria gjermane në këtë të fundit nuk mund të veprojë si të dojë. Një shembull:  Lufthansa. Për mënyrën se si mund të ndihmohet kompania e dëmtuar, nuk vendos  vetëm Berlini, por edhe Brukseli. “Kriteret duhet të koordinohen me BE-në”, thotë  Altmaier, pa dhënë shumë hollësi.

Miliarda të tjerë gati 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në fazën e dytë të planit të tij të shpëtimit për ekonominë gjermane, Qeveria Federale do të ndihmojë ato kompani që vetëm më vonë do të mund t’i fillojnë aktivitetet e tyre të biznesit. Këtu mund të përmenden  operatorët e panaireve dhe organizuesit e panaireve, turizmi apo sektori i kulturës. “Do të duhet shumë kohë derisa këto degë të ekonomisë të funksionojnë në nivel normal“ tha Altmaier. Deri atëherë mund të merren edhe hapa të ndërmjetme. “Shpresoj se në fund të majit do të fillojmë aktivitetin e hotelerive dhe restoranteve.”

Kusht eshte që sukseset e arritura deri më tani në mbajtjen e ulët të nivelit të pandemisë të vijojnë. “Plani supozon që gradualisht do të mësojmë të përballojmë këtë pandemi”, tha Altmaier. Vetëm atëherë mund të ekzistojë një “perspektivë shprese për një rritje ekonomike”.

Një vrapim i gjatë

Shifrat  e infektimeve në tre javët  e fundit shkuan “në drejtimin e duhur”. Në vend të 5000 infektimeve  të reja në ditë, aktualisht regjistrohen vetëm 1000 deri në 1300. Por askush nuk duhet ta harrojë, se rruga është e gjatë dhe duhet t’ia dalim me forcat tona.”

Gjermania është në muajin e dytë të  kufizimit të kontakteve. “Shumëkush ka përshtypjen subjektive që ka kjo është një kohë e gjatë,” thotë Altmaier, duke aluduar në faktin se shumë parti tani po bëjnë thirrje për më shumë lehtësime. “Ne do ta dimë brenda disa ditësh nëse infektimet do të vazhdojnë të ulen dhe nëse masat janë të sakta, prandaj unë mendoj se është e drejtë të presim dhe të shohim edhe disa ditë.”

Blerja e shpërblimeve për makina?

Nëse gjithçka shkon mirë, më vonë mund të vihen në lëvizje edhe nivelet 3 dhe 4 të planit të qeverisë. Ato parashikojnë një “program ekonomik të përshtatur me situatën dhe nevojat”. Kjo mund të përfshijë, për shembull,  primet për  blerje veturash. Industria e automobilave ka një rëndësi të madhe për mirëqenien ekonomike të Gjermanisë dhe është gjithashtu në një proces transformimi “pavarëisht nga korona”.

Bëhet fjalë për lëvizshmëri ekologjikisht të qëndrueshme dhe për uljen e ndjeshme të emetimeve të dioksidit të karbonit, thotë Altmaier. Në nivelin e katërt, Ministri Federal i Ekonomisë flet për një “program fitnesi” për ekonominë. Kjo ka të bëjë me strukturat, tha ai, pa dhënë detaje të tjera. Sidoqoftë, do të merren parasysh edhe zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar dhe tregjet. “Ne nuk duam që ekonomia globale të tansformohet në atë masë, saqë kushdo të mendojë se çdo gjë mund ta bëjë vetëm me forcat e veta.“

Marrë nga DW

Shto Koment