Politike

Videoja e Lefter Allës/ Strazimiri: Rama mbron nga arrestimi kryebashkiakun që merr drogë

PD akuzon kryeministrin Edi Rama se po pengon drejtësinë që të hetojë dhe arrestojë kryebashkiakun Lefter Alla, i cili u filmua duke marrë drogë. Gent Strazimiri tha se kryeministri refuzon të bëjë testin e drogës, dhe se zgjidhja është largimi i qeverisë.
Featured image of article: Videoja e Lefter Allës/ Strazimiri: Rama mbron nga arrestimi kryebashkiakun që merr drogë Lefter Alla dhe Gent Strazimiri

TIRANE– Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po mbron nga arrestimi dhe nga hetimi kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla. Gent Strazimiri tha se edhe pse u filmua duke marrë drogë, kapja e drejtësisë nga kryeministrin, po pengon hetimin e Allës.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, që përkon me lajmin se SPAK nisi hetimin për Allën, Strazimiri tha se zgjidhja është largimi i kryeministrit Edi Rama.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, GENT STRAZIMIRI

Video e kryebashkiakut ilegjitim të Bulqizës, që konsumon kokainë në një mjedis publik është pasqyra e shtetit që ka ndërtuar Edi Rama. Një i droguar, i lidhur me krimin dhe që nuk ndal së vjedhuri në krye të qeverisë. Një i droguar në krye të bashkisë. Një hajdut në krye të një ministrie. Një shërbëtor bandash në krye të një drejtorie dhe një shërbëtor në krye të organeve të reja të drejtësisë. Të vetmit që nuk janë skandalizuar nga video e publikuar nga televizioni Abc News, me bashkëpunimin e gazetarit Artan Hoxha, janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës. Ata e dinë se në atë pozicion, fare mirë, mund të ishte filmuar kryeministri i vendit, i cili refuzon në mënyrë të përsëritur testin e drogës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës duhej të ishte shkarkuar sot nga Edi Rama. Drejtësia duhet të kishte vepruar duke nisur ndaj tij ndjekjen penale për moskallëzim krimi, pasi është faktuar se kryetari i bashkisë bashkëpunon me individë apo grupe që tregtojnë kokainë. Asnjëra nuk ka ndodhur nga këto të dyja, sepse Edi Rama i Bulqizës ka mbrojtjen e Edi Ramës së Tiranës. Kandidimi në 30 Qershor i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar është strategjia e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin.

Edi Rama i Bulqizës nuk është arrestuar ende, sepse Edi Rama i Tiranës e ka kapur drejtësinë. Prokurori që duhet të vepronte pret vettingun nga e motra e Belinda Ballukut, pret emërimin nga kunati i Mimi Kodhelit dhe i trembet inspektimit nga vëllai i Eglantina Gjermenit! Të tre, në pozicionet më të rëndësishme të sistemit, të emëruar në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme nga Edi Rama i Tiranës.

Kapja e drejtësisë dhe shndërrimi i Partisë Socialiste në një strehë për horrat dhe banditët janë dy prej plagëve më të mëdha që Edi Rama i ka shkaktuar vendit. Kura e vetme është ndarja e politikës nga krimi! Shqiptarët kanë të drejtë të mos qeverisen nga narkomanë të korruptuar dhe banditë. Largimi i Edi Ramës së Tiranës, i Edi Ramës së Bulqizës edhe i çdo Edi Rame nga zyrat e shtetit është emergjencë kombëtare!

Ditën e djeshmegazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar videon e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla duke konsumuar ‘kokainë’. Pas publikimit të pamjeve, një reagim i menjëherëshëm ka ardhur nga Alla, i cili e ka cilësuar videon si montazh duke pretenduar se i është bërë edhe presion nga grupet kriminale, që sipas tij veprojnë në Bulqizë për interesa biznesi, ndërkohë që PD kërkon largimin e tij. Socialistët e kanë marë deri më tani në mbrojtje Allën, ku Xhemal Gjunkshi dhe Rovena Voda, kanë mbështetur versionin e Allës se videoja mund të jetë montazh. Në fakt, konsumimi i lëndëve narkotike nuk e pengon Allën të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut, por vlen të theksojmë një nga kërkesat e hershme të opozitës për të përfshirë testin e drogës, bashkëngjitur formularit të dekriminalizimit. Lëndët narkotike, të cilit do lloj qofshin ato, janë substanca psikotrope, e si të tilla, ato kanë ndikim mbi Sistemin Nervor Qendror.

(F.g./dosja.al)

Shto Koment