Rajoni

Genocidi në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë që fajëson Serbinë për krimet e luftës

Parlamenti pritet të themelojë edhe një komision shtetëror që do ketë mision hulumtimin e genocidit gjatë luftës së fundit në Kosovë, që do të shërbente si bazë për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Featured image of article: Genocidi në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë që fajëson Serbinë për krimet e luftës Kuvendi i Kosovës

KOSOVË– Me 79 vota pro dhe asnjë kundër, parlamenti i Kosovës miratoi rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

“Në vitin 1999 forcat serbe kryen mbi 100 masakra në Kosovë madje në disa vende edhe i dogjën për së gjalli njerëzit, si në Breznik, Mitrovicë, Podujevë, Randobravë, Krushë e vogël dhe të madhe, Gjakovë, Matiqan, Izbicë, Llashticë e Gjilanit, Rrezallë. Gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë ushtruan dhunë seksuale ndaj 20 mijë personave. Gjatë këtyre viteve dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë duke konfiskuar çdo dokument zyrtarë në mënyrë që të zhduket çdo dëshmi”, tha duke paraqitur rezolutën, kryetari i komisionit për hartimin e saj, Bilall Sherifi.

Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës miratojnë një rezolutë të tillë, megjithëse për të është diskutuar që nga përfundimi i luftës.

Parlamenti pritet të themelojë edhe një komision shtetëror që do ketë mision hulumtimin e siç thuhet, gjenocidit gjatë luftës së fundit në Kosovë, që do të shërbente si bazë për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, një nismë kjo e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli.

Po ashtu në këtë seancë do të votohet edhe për ngritjen e një muzeu dhe një qendre përkujtimore për krimet e luftës.

Votimi i rezolutës pasoi një debat të gjatë të në parlamentin e Kosovës. Partitë politike shqiptare dhe ato të minoriteteve jo serbe i dhanë mbështetje nismës për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projekt rezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit, ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

“Sot e kemi tekstin e një rezolute që merret me krimin më të tmerrshëm që është bërë në Kosovë. Në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Teksti i referohet të gjitha raporteve ekzistuese ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krimet e gjenocidin”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ideja për themelimin e një gjykatë ndërkombëtare, ka ngjallur debate mbi vështirësitë dhe kushtet që kërkohen për themelimin e një institucioni të tillë. Ekspertët thonë se themelimi i një gjykate të tillë kërkon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Por, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot gjatë një vizite në qendrën për ruajtjen e eksponateve të rrobave të të vrarëve, se gjykata ndërkombëtare do të ndodh.

Është papërgjegjësi dhe do të jetë e pafalshme në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrahin iniciativën tonë për gjykatë ndërkombëtare. Do të përgjigjen edhe para Kosovës, por gjithsesi edhe gjykata ndërkombëtare jam shumë i sigurt se do të ndodh edhe drejtësia edhe gjykata për gjenocidin serb”, tha zoti Veseli.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë.

Ditën e sotme, teksa Kuvendi i Kosovës mbajti seancën plenare për votimin e rezolutës për genocidin serb, deputetja Flora Brovina ka paraqitur para medieve një dëshmi tronditëse.

Deputetja e PDK-së ka treguar një foto ku shihet se si ushtarët serbë përdhunojnë një femër në Kosovë, ndërsa sipas saj ky akt është kryer në sy të familjarëve.

Brovina ka treguar se fotografia është marrë nga aparati i humbur i një ushtari serb.

Marrë nga: VOA

(a.m/dosja.al)

  • 21:35

    “Krimet e luftës as nuk vjetërohen, as nuk amnistohen”/ Thaçi: E mirëpres rezolutën që dënon genocidin serb

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas votimit për rezolutën, e cila fajëson Serbinë për krimet e luftës në Kosovë.

    Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit të Kosovës, është shprehur se e mirëpret rezolutën, teksa ka shtuar se krimet e luftës as nuk vjetërohen dhe as nuk amnistohen.

    Nga ana tjetër i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të gjejnë mënyrën e duhur që drejtësia të dënojë të gjithë ata që kryen krime në gjatë luftës në Kosovë.

    Postimi i plotë i Hashim Thaçit:

    E mirëpres miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila dënon gjenocidin e shtetit serb në Kosovë. E para, rezoluta i quan me emrin e vërtetë: GJENOCID! – krimet e Serbisë në Kosovë. Dhe e dyta, rezoluta kërkon drejtësi për viktimat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Krimet e luftës as nuk vjetrohen dhe as nuk amnistohen. Tani që institucionet e drejtësisë janë në duart e kosovarëve, ne duhet ta gjejmë mënyrën e duhur që drejtësia të veprojë kundër të gjithë atyre që kanë kryer krime në Kosovë. HTH

Shto Koment