Editorial

Gënjeshtrat e bardha të Edi Ramës

Gënjeshtrat e Edi Ramës kemi vendosur t'i quajmë të bardha (nuk është ironi me të bardhën), sepse më ngjajnë me gënjeshtrat që një mjek mund t'i thotë pacientit për të mos e shqetësuar apo tronditur në momentet e fundit të jetës së tij.
Featured image of article: Gënjeshtrat e bardha të Edi Ramës Edi Rama

TIRANË- Të gjithë jemi gënjyer dhe gënjejmë çdo ditë. Gënjejmë shefin kur shkojmë në punë me vonesë, gënjejmë partneri xheloz kur nuk i përgjigjemi në kohë telefonatës, gënjejmë kur i themi fjalë të bukura dhe komplimenta dikujt vetëm për ta bërë të ndihet më mirë etj.

Por kur gënjeshtrat thuhen nga ata që kanë fuqi për të ndryshuar jetën tonë(për mirë ose për keq)…duhet të ndërgjegjësohesh dhe të kuptosh pse dhe si gënjen dikush që ka pushtet, sepse ndihmon në parandalimin e fatkeqësive për shkak të gënjeshtrave dhe mashtrimit.

Gënjeshtrat e Edi Ramës kemi vendosur t’i quajmë të bardha (nuk është ironi me të bardhën), sepse më ngjajnë me gënjeshtrat që një mjek mund t’i thotë pacientit për të mos e shqetësuar apo tronditur në momentet e fundit të jetës së tij.

Edhe gënjeshtrat e Edi Ramës duan të qetësojnë dhe të vënë në gjumë ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare, të cilës po i vdes çdo ditë e më shumë shpresa dhe dëshira për të jetuar në këtë vend.
Edi Rama jo vetëm që gënjen, por është i bindur që i ka gënjeshtrat më të bukura dhe më të sofistikuara se kundërshtarët e tij.

-Ai shpik terma të tipit “Shëndetësia falas”, e cila jo vetëm që nuk ishte falas, por i hapi rrugë korrupsionit në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm me receta e fatura fiktive, për të cilat nuk ka asnjë të dënuar. Shëndetësia falas i hapi rrugën ilaçeve false, të pasigurta dhe pa standarte. Shëndetësia falas nuk siguron dot as ilaçet për të sëmurët me kancer, ku familjarët duhet të bredhin farmaci më farmaci për t’i gjetur…vonesa të cilat ju kushtojnë edhe jetën. Shëndetësia falas ju ka kushtuar shqiptarëve rreht 400 milion euro koncesione për klientët e Ramës.

-Ai shpiku termin PPP për të treguar se nuk është si ata të tjerët, që jepnin tendera…Sepse është aq tinzar sa emri “Partneritet Publik Privat”, e sidomos ajo fjala “partneritet” është më e pranueshme për njerëzit, sa mund të mos e kuptojnë që paratë e tyre po vidhen me PPP.

-Ai krijoi Platformëm e Bashkëqeverisjes për t’ju thënë shqiptarëve se ky nuk është si ata të tjerët. Ky ështe kryeministër që i dëgjon hallet e tyre dhe i zgjidh me shkopin magjik. Ai përdor hallet e atyre që i shkruajnë platformës, në funksion të propagandës së tij, për të na treguar se ata që paguhen nga paratë tona(zyrat e hipotekës, drejtoritë arsimore, zyra e punës etj) nuk e bëjnë punën e tyre dhe hallet i zgjidh vetëm ky i mbinatyrshmi, kryeministri.

-Ai krijon sondazhe në televizionet që i shërbejnë pushtetit dhe nxjerr fituese opozitën, vetëm për t’ju mbushur mendjen atyre që të marrin pjesë në zgjedhje.

-Ai premton 12.000 vende pune në aeroportin e Kukësit, kur mjafton një kërkim në google për të parë se aeroporti i Rinasit(i cili është më i madh se i Kukësit) ka rreth 1077 të punësuar.

-Ai premton aeroport në Kukës, në Vlorë…që t’ju lehtësojë ardhjen turistëve, por nuk mundohet ta bëjë këtë vend të jetueshëm edhe të dashur pë shqiptarët, 60% e të cilëve duan të largohen nga vendi.

-Ai mbush rubrikat e ERTV me historinë e ndonjë mjeku që kthehet për të punuar në Shqipëri, por kurrë nuk flet dhe nuk shqetësohet për shifrat alarmante të largimit të mjekëve nga Shqipëria.

Ju i dini të gjitha këto dhe të gjithë e dimë që politikanët gënjejnë. Ndoshta dhe ne kemi rënë në kurthin e propagandës së tij dhe po i bëjmë nder Edi Ramës duke e trajtuar si personazh mediatik që thotë vetëm gënjeshtra, duke lënë pas dore gjërat më të rëndësishme. Raporti i Ramës me të vërtetën mund të jetë e keqja më e vogël, pasi vazhdon të marrë vota nga populli. Na shqetëson më shumë që Edi Rama nëpërmjet gënjeshtrave, batutave bajate dhe propagandës fsheh autoritarizmin, mungesën e vizionit, mungesën e ideve dhe paaftësinë për te ofruar zgjidhje.

Shto Koment