Dikur

Gazetari Agim Xhafka tregon historinë me bojaxhiun në Tiranë: Sherri që pati me Ferdinant Dedën

E njoha tek shtëpia e Llaqit, shokut tim . Shkova një mbasdite atje dhe derën ma hapi një grua që më trembi. E bardhë nga koka te këmbët. Ishte nëna e Llaqit. E kishte lyer Fatja se pompën nuk ia drejtoi murit
Featured image of article: Gazetari Agim Xhafka tregon historinë me bojaxhiun në Tiranë: Sherri që pati me Ferdinant Dedën Agim Xhafka

TIRANË- Gazetari Agim Xhafka tregon historinë me bojaxhiun në Tiranë: Sherri që pati me Ferdinant Dedën

Kështu e njohin te Tirana e Re. E quajnë Fatmir,por shkurt Fate. Bojaxhi gjithë jetën . E kam njohur kur ishte djalë i ri,fringo fare. Simpatik,elegant,flokëdredhur dhe i qeshur 24 orë. Nisej për punë që në mëngjes e kthehej i “vdekur” afër mesnatës se lyente shtëpitë e shokëve dhe të miqve. Para shumë vitesh ishte kokëçarrje e madhe një guxim për të lyer muret. Nuk gjeje bojaxhi,nuk kishte pigmente,shpesh pompat nuk funksiononin,duhej një thes me gazeta e tallash se gëlqerja binte si shi vere,me furi. Por ne kishim Faten dhe vinim festen mënjanë.

E njoha tek shtëpia e Llaqit, shokut tim . Shkova një mbasdite atje dhe derën ma hapi një grua që më trembi. E bardhë nga koka te këmbët. Ishte nëna e Llaqit. E kishte lyer Fatja se pompën nuk ia drejtoi murit. Ndodhte kështu se ai  nga që nuk merrte lekë kishte plot të drejta për  ca gota raki. Ndodhte shpesh që e tepronte,por e donin dhe e falnin. Kur ishte çakërrqejf bënte edhe sherre. Një herë u grind me Ferdinand Dedën.

-Jam artist i popullit-iu mburr ai.

-Dhe unë jam bojaxhi i popullit,-ia plasi Fatja.

Mbaj mend kur mora shtëpi dhe Fatja erdhi ta lyente. Me duar në xhepa.

-Shko merr ca gëlqere te pallati përballë që po ndërtohet ,-më tha.

Më vonë kërkoi tenxhere,legena e nga xhepi nxori ca pigmente.

-Atë kazanin e plehrave aty jashtë zbraze dhe sille lart!

-Pse?

-Ta përdorim si shkallë,-më tha.

Ishte komik mbi kazan,por puna ecte.

Pasi mbaroi tavanet më kërkoi një kanotiere.

-Më duhet për qoshet e mureve se nuk kam furçë të vogël. Mbështolli me të dy gishtat e parë,i ngjyente në bojë e fësht mbi cepat e murit.

Atë natë fjetēm mbi gazeta,mbi dysheme. Rakia na rehatoi.

Fatja ishte dhe shoku ynë. Nuk patëm gëzim që nuk e thirrëm. Siç në dasmën e tij ishte gjithë lagja.

Kisha vite pa e takuar. Rastësisht e ndesha mbi biçikletë. I bërtita me emër,ktheu kokën më ngriti dorën e iku. Nuk ndaloi. U çudita. Më vonë mësova se jeta e kishte shkundur. Me zanatin e tij mezi po mbante familjen. Gruan ia pushuan nga puna dhe para ca vitesh djali i  iku në Gjermani për punë.

-Nuk takon asnjë nga shokët,-më tha Llaqi-Na rri larg se nuk duron kur i ofrojmë diçka si ndihmë. E quan lëmoshë, mëshirë.

I miri Fate që na u gjende të gjithëve na prano të paktën të pijmë  një gotë me ty,të kujtojmë atë dashuri të pastër e të qeshim me çapkëllëqet e tua. Kaq ia kemi borxh njëri tjetrit,o bojaxhi i popullit! Mos më largo nga kujtimet e mira, miku e shoku im!

(Dosja.al)

Shto Koment