Aktualitet

Mediat u lanë jashtë Kuvendit, Unioni i Gazetarëve të Diasporës del në mbështetje të tyre:  Atentat kundër lirisë së shtypit!

Në një deklaratë për mediat, UGPSHD, thekson se veprimi i kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi është një atentat kundër lirisë së shtypit.
Featured image of article: Mediat u lanë jashtë Kuvendit, Unioni i Gazetarëve të Diasporës del në mbështetje të tyre:  Atentat kundër lirisë së shtypit! Gazetarët në protestë

TIRANË– Unioni i Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë të Diasporës, UGPSHD, ka dalë në mbëstetje të protestës së gazetarëve ditën e djeshme, të cilët dolën kundër vendimit të Kuvendit, që i lë ata jashtë seancave plenare.

Në një deklaratë për mediat, UGPSHD, thekson se veprimi i kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi është një atentat kundër lirisë së shtypit. Organizata del kundër veprimi për t’i përjashtuar gazetarët e mediave të padëshiruara nga mjediset e institucionet dhe nga e drejta për të pasqyruar veprimtarinë e institucionit, duke e cilësuar si censurim të së drejtës së gazetarëve.

Deklarata e plotë:

Veprimi i kreut të Kuvendit ndaj gazetarëve, një atentat i neodiktatures së sotme kundër lirisë së shtypit Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) po i ndjek me vëmendje dhe shqetësim të madh veprimet që e kufizojnë dhe e ndalojnë mbulimin e zhvillimeve në Kuvendin e Shqipërisë nga mediat të cilat nuk janë në shërbim të regjimit aktual. Këto veprime zënë fill nga një vendim famëkeq i datës 2 qershor 2021, i ndërmarrë nga kreu i Kuvendit në mënyrë të njëanshme dhe në fshehtësi të plotë, vendim i cili shkaktoi zemërimin dhe protestën e ligjshme të gazetarëve të përjashtuar nga e drejta për të qëndruar në mjediset e brendshme dhe për të pasqyruar veprimtarinë e institucionit. Pajtohemi plotësisht me shqetësimin e ngritur në letrën e protestës drejtuar Kuvendit ku gazetarët e përjashtuar denoncojnë me të drejtë se vendimi në fjalë i kreut të Kuvendit bie ndesh me parimet e lirisë së shtypit, pengon transparencën dhe krijon diskriminim mes mediave.

Asnjë nga gazetarët nënshkrues të letrës, të cilët prej vitesh janë të akredituar në Kuvend, nuk janë thirrur për shkëmbim mendimesh dhe për konsultim publik për këtë rregullore, e cila iu mohon atyre një të drejtë që, siç e theksojnë gazetarët protestues, ua garanton mediave Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

I bashkohemi shqetësimit të ligjshëm të gazetarëve të përjashtuar nga mbulimi i zhvillimeve në Kuvendin e Shqipërisë se ky sistem i krijuar prej regjimit “e bën informacionin të kontrolluar, të manipulueshëm, të pa plotë, dhe me rrezik real për censurë”. Kjo rregullore, theksojnë kolegët tanë në Tiranë, iu jep mediave qeveritare dhe proqeveritare hapësirë të pakufizuar për të lëvizur në mejdiset e Kuvendit, “në kundërshtim me legjislacionin shqiptar të barazisë dhe të mbrojtjes nga diskriminimi”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) e cilëson si një akt krejtësisht të papranueshëm rregulloren dhe të gjitha pasojat që vijnë prej saj, duke iu bashkuar me forcë kërkesës së gazetarëve protestues për “tërheqjen e vendimit të Byrosë së parlamentit nisjen e menjëhershme të një negociate publike të Kuvendit dhe reporterëve të akredituar në institucion si dhe organizimave të tjerë të interesuar.

Veprimet e kreut të Kuvendit për t’i përjashtuar gazetarët e mediave të padëshiruara nga mjediset e institucionet dhe nga e drejta për të pasqyruar veprimtarinë e institucionit, po ndërmerren në kuadrin e një morie veprimesh që e çojnë Shqipërinë jo drejt Evropës dhe Perëndimit, por drejt Lindjes, drejt autokracive dhe diktaturave të reja të cilat po bëhen gjithnjë e më kërcënuese për demokracinë dhe të ardhmen e rajonit.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) e dënon me vendosmëri përshkallëzimin antidemokratik që shënon rregullorja e re e Byrosë parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, përkrah fuqishëm kërkesat e gazetarëve të përjashtuar padrejtësisht nga e drejta për të mbuluar veprimtarinë e institucionit, mbështet plotësisht protestat e tyre dhe iu bën thirrje të gjithë faktorëve vendas, perëndimorë dhe ndërkombëtarë të mbrojtjes së fjalës së lirë, mendimit të lirë, gazetarisë së lirë e të pavarur që të ngrenë zërin e tyre dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre për të plotësuar kërkesat e drejta të gazetarëve dhe për t’i dhënë fund njëherë e mirë gjendjes së nderë e me perspektivë të errët që sundon mediat, vendin dhe shoqërinë në Shqipëri.

Reagimi i Organizatës  vjen pasi me vendim të brendshëm të Kuvendit të Shqipërisë gazetarët e politikës që janë të vendosur prej vitesh në këtë institucion, ndalohen që të bëjnë raportimin e tyre live dhe duke parë në çdo hap atë që ndodh në vendin ku hartohen ligjet për shqiptarët. Me firmën e vetë Gramoz Ruçit dhe me një vendim të Byrosë, që ende nuk është njoftuar se kur është mbledhur, vendimi është në mungesë totale të transparencës. Ditën e djeshme, gazetarët u mblodhwn në protestë kundër vendimit të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, që i lë ata jashtë seancave parlametare.

(kle.mu./dosja.al)

Shto Koment