Bota

Fushatë zgjedhore me gënjeshtra, por Trump-i mund ta fitojë fare mirë betejën

Tani që Donald Trumpi e pranoi edhe emërimin si kandidat për president, fillon me të vërtetë fushata zgjedhore me gënjeshtra, frikë dhe kaos. Në fund, fare mirë Trumpi mund të rizgjidhet, thotë Ines Pohl.
Featured image of article: Fushatë zgjedhore me gënjeshtra, por Trump-i mund ta fitojë fare mirë betejën Donald Trump

SHBA– Që partitë i zgjedhin kandidatët e tyre kryesorë në një kongres, kjo është praktikë e përhapur gjerësisht në demokraci. Megjithatë ngjarjet pompoze në SHBA, në të cilat republikanët dhe demokratët festojnë për disa ditë, janë tipike amerikane. Megjithëse dihet prej muajsh se kush i fitoi zgjedhjet preleminare, kandidatët përkatës e pranojnë emërimin me një gjest të madh dhe me shumë fjalë.

Sfiduesi e përdor forumin për të paraqitur vizionet e tij politike dhe për t’i shtyrë të votojnë mbështetës të bindur dhe të mundshëm në zgjedhje. Kur një mbajtës i postit ka kaluarin njërin nga dy mandatet që lejon ligji, ai përdor skenën dhe shenjat e pushtetit për të treguar atë që ka arritur tashmë- dhe atë që ende dëshiron të arrijë.

E gjithë kjo zakonisht shoqërohet me shumë duartrokitje dhe eufori, me shi me verë shkumake dhe me tullumbace. Por në këtë vit pandemik gjithçka është ndryshe.

Ngjarje të madhe nuk ka në vendin me nivelin e lartë të infeksionit korona. Të dyja ekipeve të fushatës zgjedhore iu desh të futen në hapësirën virtuale, në fazën e nxehtë të betejës për Shtëpinë e Bardhë.

Humbësi tashmë është i sigurt: populli amerikan

Ende nuk mund të thuhet se kush e ka kontrolluar më mirë këtë sfidë të paparë. Të dyja palët u përpoqën të bëjnë aktin e balancimit, nga njëra anë t’i shërbejnë klientelës bazë dhe në të njëjtën kohë të tërheqin në anën e tyre votuesit vendimtarë të pavendosur. Për ata kanë nevojë si demokratët, ashtu edhe republikanët, për të pasur presidentin e ardhshëm.

Edhe nëse nuk mund të përcaktohet një fitues pas këtyre shfaqjeve – humbësi është përcaktuar tashmë: ai është populli amerikan, që jeton në një shoqëri që nuk mund të bierë më dakord as për parametrat themelorë të të jetuarit së bashku. Një parametër i tillë është, për shembull, që pretendimet e bëra nga politikanët të kontrollohen. Ose se ka teza bazë shkencore, që vlejnë, të paktën derisa të vërtetohet e kundërta.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

E gjithë kjo është bërë e pavlefshme me Donald Trumpin. Kushdo që vë në dyshim gënjeshtrat dhe devijimet e tij – si gazetarë, ashtu edhe shkencëtarë – degradohet në nxitës. Ka një numër shumë të madh amerikanësh që besojnë vetëm atë që i përshtatet botëkuptimit të tyre. Shifrat ekonomike zbukurohen, teoricienët e teorive konspirative i shndërrojnë vendet e tjera në fuqi të rrezikshme që duan të marrin kontrollin në SHBA, rreziku i virusit vdekjeprurës minimizohet.

Shfaqje në vend të fakteve

Ines Pohl Kommentarbild App (DW/P. Böll)

Dy kongreset e partive sqaruan edhe një herë se sa të përçara janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe sa shpërbërës ka qenë efekti i politikës së gënjeshtrës të administratës Trump gjatë viteve të fundit. Tani nis faza e nxehtë e fushatës zgjedhore. Një betejë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Në të cilën faktet nuk luajnë më rol. Në të cilën nuk ka më një kuptim të përbashkët për realitetin, por në të cilën, një burrë e ka nën kontroll të fortë një pjesë të madhe të vendit, me shfaqjen e tij të realitetit.

Demokratët nuk kanë asnjë përgjigje për këtë. Përkundrazi, ata kanë çuar ujë në mullirin e armiqve të demokracisë duke mos arritur të mbledhin ekip të ri politik që nuk ka qenë pjesë përbërëse e elitës së Uashingtonit. Për shumë votues amerikanë, kjo është dëshmi se sistemi aktual është prishur dhe se ai kujdeset vetëm për mirëmbajtjen e tij.

Në javët e ardhshme ne do të vëzhgojmë se si ngrihen në këmbë forcat demokratike dhe si ato organe kontrolli që ekzistojnë akoma, do të përpiqen të rimarrin fuqinë për të përkufizuar faktet. Pas këtyre kongreseve të partisë dhe reagimeve ndaj tyre, duhet të shqetësohemi vërtet për këtë vend. Shtrohet pyetja, çfarë mund të thotë rizgjedhja e mundshme e një populisti për demokracitë e tjera? A është ky një hap paraprirës i zhvillimit të përbotshëm?

Ne jetojmë kohë, në të cilat shoqëritë e kanë gjithnjë më të vështirë të bien dakord për një realitet të përbashkët. SHBA po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një spektakli, që supozohet t’u japë pjesëmarrësve, qytetarëve, ndjenjën e të qenit heronj. Edhe kur kjo nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Marrë nga DW

Shto Koment