Blog

Unë dëshmoj puçin institucional dhe antikushtetues !!!

Kanë shkelur të gjitha procedurat ligjore sepse paraqitën në Kuvend një projektligj si të tyrin ndërkohë që nuk ishte me autorësinë e tyre. Pra gënjyen opinionin publik dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Featured image of article: Unë dëshmoj puçin institucional dhe antikushtetues !!! Artan Fuga, Akademik

TIRANË- Nuk e di se çfarë është bërë në fushat e tjera sepse këtu është fjala për ngjarje që kam qenë vetë i pranishëm dhe i kam parë me sytë e mi dhe i kam dëgjuar me veshët e mi! Detyra qytetare më bën t’i ridëshmoj përsëri publikisht: Po! Di të paktën tre raste kur janë dhunuar ligjet e repupblikës, kushtetuta dhe kompetencat dhe detyrat e Presidentit për të kapur institucione dhe kjo është bërë nga individë me përgjegjësira të larta publike!

1. Grupi i deputetëve që paraqitën projektiligjin për akademinë e shkencave me në krye raportuesen kryesore një deputete të ps.

Kanë shkelur të gjitha procedurat ligjore sepse paraqitën në Kuvend një projektligj si të tyrin ndërkohë që nuk ishte me autorësinë e tyre. Pra gënjyen opinionin publik dhe Kuvendin e Shqipërisë. E sollën në Kuvend atë projektligj pa bërë asnjë konsultim me aktorët socialë të interesuar. Dhe mbi të gjitha shkelën Kushtetutën sepse në atë ligj i hiqej de facto Presidentit kompetenca dhe detyra për t’a emëruar Kryetarin e Akademisë të Shkencave. Një goditje ndaj Kushtetutës me qëllim që të kapej nga qarqe të caktuara institucioni i Akademisë të Shkencave.

2. Komisioni i Kuvendit për Arësimi, Kulturë e Media, i cili pranoi të dërgojë në seancë plenare këtë projektligj me procedura të përshpejtuara – megjithë protestën e zonjës Fatjona Dhimitri – kryetare e këtij komisioni që protestoi për shkelje të ligjshmërisë dhe të Kushtetutës. Kushtetuta e Republikës të Shqipërisë kërkon me një nen të veçantë që cdo nismë ligjore që vjen nga deputetët duhet të ketë relacionin përcjellës dhe buxhetin, si edhe aprovimin e ekzekutivit për këtë buxhet. Dëshmoj që as kjo kërkesë e Kushtetutës nuk ngeli pa u bërë helaq, shkelmuar dhe bërë paçavure pikërisht nga deputetë të shumicës dhe deputetë të gjoja opozitës në atë komision. Asnjë relacion dhe ekspertizë financiare nuk u paraqit.

3. Në Akademinë e shkencave të Shqipërisë zgjedhjet për kryetarin e saj nisën me një ligj që në atë kohë ishte në fuqi, u përmbyllën me refuzimin e drejtë që i bëri Presidenti kandidaturës të paraqitur si e paligjshme dhe kështu procesi u përmbull. Në përdhosje të ligjit, ky proces u rihap me ligjin e ri ku Presidentin i hiqej e drejta për emërimin e kandidaturës të përzgjedhur nga Akademia e Shkencave. Zgjedhjet pra nisën me një kuadër ligjor dhe u përdhosën, u eliminuan si procedurë, nga një veprim antiligjor. Dhe ndodhi turpi i madh kushtetues, puçi i madh institucional, i paparë në asnjë akademi shkencash në botë kur një grup akademikësh, bazuar në një ligj antikushtetues, duke shkelur të gjitha principet e shtetit të së drejtës, votuan kundër dekretit të Presidentit, dhe bënë emërimin e paligjshëm të kryetarit të akademisë të shkencave.

Vetëm në një vend si Shqipëria kemi arritur në atë pikë ku një grusht akademikësh në pension mund të rrëzojnë, të bëjnë të pavlefshëm, të tallen me Kushtetutën, me shtetin e së drejtës, të luajnë me funksionet e Presidentit të Republikës si organ i lartë Kushtetues. Vetëm në një shtet si Shqipëria një institucion më i ulët mund të shkelmojë dekretet e një institucioni kushtetues të lartë si Presidentit të Republikës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Gjendja në institucion shumë e rëndë! Në vend që shteti ta abrogojë atë vendim, ta shpalli të paligjshëm, t’i presi të gjitha fondet akademisë të shkencave të paligjshme derisa ajo të kthehet në ligjshmëri, i jep asaj financime nga buxheti i shtetit!

Nuk mund të ketë Gjykatë Kushtetuese sapo të krijohet që t’a pranojë këtë absurditet, këtë perversitet ligjor, këtë komedi insitucionale mu në majën e shkencës shqiptare, këtë budallallik pikërisht atje ku duhej të mbretëronte arësyeja!

Kjo është uluritëse!

Unë kam pakënaqësinë time madje për vetë Presidentitn e Republikës, i cili do të duhej të reagonte fort në atë kohë dhe ta konsideronte puç institucional, pas alarmit si qytetar, akademik, kërkues shkencor që i kam transmetuar publikisht dhe në rrugë të tjera, duke e denoncuar uzurpimin e akademisë të shkencave të Shqipërisë pikërisht nëpërmjet një ligji antikushtetues dhe duke përdhosur detyrat dhe kompetencat e Presidentit të Republikës.

Unë i kërkoj si qytetar dhe akademik Presidentit të Republikës të bëjë detyrën e tij duke e paraqitur këtë shkelje të rëndë para Gjykatës Kushtetuese sapo të formohet!

Shto Koment