Politike

Opozita 90′ në Presidencë/ Meta e Basha ‘bashkë: Duam zgjedhje të parakohshme, qeveri kujdestare

  • Basha: Kemi gati draftin me propozime për 'Zgjedhoren'
  • Meta takon opozitën, Kryemadhi nuk shkon sërish, përfaqësohet nga Petrit Vasili
  • Zbardhet qëndrimi i Metës në takimin me opozitën: Duhen zgjedhje të parakohshme
  • Basha flet për takimin me Metën: Zgjedhje të parakohshme, qeveri kujdestare
  • Ilir Meta për 90 minuta ka pritur sot në një takim Lulzim Bashën dhe aleatët e tij. Takimi është fokusuar në dy çështje kryesore, zgjidhja e krizës politike dhe zgjidhja e ngërçit me Gjykatën Kushtetuese. Meta dhe Basha në dy deklarata të ndryshme pas takimit kanë qenë një një linjë, duke u shprehur se zgjidhja e krizës vjen nga zgjedhje e parakohshme. Në takim mungonte, Kryemadhi, Mediu dhe Idrizi.
    Përditësuar:

    TIRANË- Për gati 90 minuta Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Lulzim Bashën dhe aleatët e tij në lidhje me krizën politike dhe ngërçin me Gjykatën Kushtetuese.  Në këtë takim kanë qenë Lulzim Basha, Petrit Vasili, Mesila Doda nga PDIU, Vangjel Dule, Dashamir Shehi, Agron Duka, përfaqësues nga PR dhe nga Lëvizja Legaliteti. Në sinkronizim me njëri-tjetrin, presidenca njoftoi se Meta mbështet opozitën në kërkesën për zgjedhjet e parakohshme, ndërsa Basha doli paralelisht para mediave dhe tha se mbështet qëndrimin e presidentit për atë që PD e quan “kapje e Reformës në Drejtësi”.

    “Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.”-njoftoi Meta.

    Ndërkohë që Basha foli për një qeveri kujdestare dhe tha se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme. “S’ka asnjë shtyrje për zgjedhjet e parakohshme dhe qeveri kujdestare. Do të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshuar të opozitës.”-tha Basha.

    Ftesa u bë nga presidenti ditën e shtunë, ndërkohë që Basha dhe aleatët e pranuan menjëherë duke u treguar gati për t’u paraqitur në Presidencë.  Mbrëmjen e djeshme Basha ka zhvilluar një takim me aleatët për qëndrimin që do të mbajnë përpara Presidentit për zgjidhjen e krizës.

    Një nga temat më të nxehta të momentit është ngërçi me Gjykatën Kushtetuese.  Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta deklaroi se do të padisë në Prokurori, kreun e KED Ardian Dvoranin për ngërçin në Kushtetuese. Meta tha se Dvorani ka konsumuar dy vepra penale, shpërdorimin e detyrës dhe përvetësimin e titujve shtetëror. Kreu i Shtetit i cilësoi si mafioze veprimet e kreut të KED dhe të bëra qëllimisht që Presidenti të shkelte Kushtetutën. Meta iu përgjigj dhe akuzave të Ramës duke e quajtur të çmendur.  Dje presidenti shpalli non-grata në Presidencë, ambasadorin e OSBE-së. Presidenti ka paralajmëruar se do të publikojë edhe video që do të kenë sipas tij fakte tronditëse.

    (J.V. A.B. Dosja.al)

    • 11:41

      Basha flet për takimin me Metën: Zgjedhje të parakohshme, qeveri kujdestare, opozita do t'i drejtohet popullit

      Kryetari i PD mbështeti qëndrimin e Metës në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtuese, dhe tha se qeveria po kap këtë organ. Ai solli për krahasim dënimin e Saimir Tahirit me 3.4 vite shërbim prove, dhe tha se PD mbështet një reformë që bazohet në Kushtetutë. Më tej, ai përmendi kërkesat e opozitës dhe gatishmërinë e saj për të hartuar një Reformë Zgjedhore siç e kërkon Bundestagu gjerman. Basha tha se PD ka gati propozimet që do të bëhen publike para muajit dhjetor.

      Kryedemokrati foli edhe për kërkesën e palëkundur të opozitës që prej momentit të parë që nisi protestat, gati një vit më parë. Basha foli për zgjedhje të parakohshme dhe qeveri kujdestare, që siç tha, ashtu si në Maqedoninë e Veriut, edhe në Shqipëri do të garantojnë votën.

      Prononcimi i Lulzim Bashës pas takimit me Metën:

      U njohëm me ndërhyrjen flagrante të kryeministrit në Reformën Zgjedhore, si dhe në emërimin e gjyqtarëve të GJK. Provohet se qëllimi s’është zbatimi, por kapja e gjykatës Kushtetuese. PD dhe aleatët e kanë konsideruar që prej fillimit këtë një grusht kushtetues. Përtej kësaj, është edhe një provë më shumë se Reforma në Drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur, mbetet një iluzion. E pamë në rastin e Saimir Tahirit, në dosjet 184 dhe 339, e pamë edhe në varrosjen e aferave. PD dhe opozita janë për një Reformë në Drejtësi sipas Kushtetutës. Sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve të qeverisjes aktuale. Prej më shumë se tre muajsh kjo detyrë është shtruar nga Gjermania, përmes mocionit të përbashkët të Bundestagut. Është shtruar prej më shumë se 2 muajsh. Opozita ka 2 muaj që ka shprehur gatishmërinë për Reformën Zgjedhore. Prej 4 muajsh, Edi Rama ka refuzuar dialogun e ofruar nga ndërkombëtarët. Opozita nuk ofron dhe mbështet për kalendat greke, të Reformës Zgjedhore. Javën e ardhshme, opozita do të paraqesë të gjitha propozimet për këtë Reformë. Kemi patur vetëm refuzim dhe kushtëzim të dialogut. Ky është një film i parë e i stërparë. Qeveria përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës. Propozimet do të jenë gati para gjysmës së dhjetorit. S’ka asnjë shtyrje për zgjedhjet e parakohshme. S’i mungon Shqipërisë asgjë në krahasim me Maqedoninë e Veriut. Lidershipi atje, mori përgjegjësinë përsipër për të garantuar votën. Do të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshuar të opozitës. Do të marrim të gjitha hapat, do t’ju drejtohemi edhe shqiptarëve që janë shumicë pro zgjedhjeve të parakohshme, për të marrë të gjitha hapat përballë një qeverie autokrate.

    • 11:39

      ‘Do ndal puçin kushtetues’, zbardhet takimi i Metës me opozitën: Duhen zgjedhje të parakohshme

      Presidenti Ilir Meta ka zbardhur takimin 90 minutësh që ka zhvilluar ditën e sotme në Presidencë me kryedemokratin Lulzim Basha dhe me aleatët e PD-së. Në një reagim zyrtar pas takimit, Meta është shprehur se mbështet opozitën në zgjedhje të jashtëzakonshme.

      Pasi diskutoi me të gjithë të pranishmit situatën politike në vend, mësohet se presidenti theksoi se dotë ndërmerrte çdo veprim të asaj që ai e quajti puç kushtetues, duke iu referuar edhe ngërçit me ngritjen e Kushtetueses.

      “Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhoresi dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione,”-thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. 

      Meta takim me opozitën e bashkuar

      Në fund, tema e diskutimit u bë sërish çelja e negociatave me BE-në, ku Meta u shpreh se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut dhe anëtarsimi në union do të ishte zgjidhja e vetme për ndalimin e shpopullimit të vendit.

      REAGIMI I PLOTË

      Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha. Presidenti Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.

      Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës. Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.

      Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione. Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.

    • 11:20

      Meta takon opozitën, Kryemadhi nuk shkon sërish, përfaqësohet nga Petrit Vasili

       Opozita e bashkuar ka zhvilluar sot një takim me Presidentin Ilir Meta, ku është diskutuar në lidhje me krizën poltike që është përfshirë vendi dhe për ngërçin në Gjykatën Kushtetuese.

      Takimi ishte menduar që do ishte mes krerëve të partive dhe Presidentit Ilir Meta, por disa prej tyre kanë munguar. Monika Kryemadhi ka shmangur dhe njëherë tjetër takimin me Metën, duke dërguar në Presidencë nënkryetarin Petrit Vasili.

      Aleatët e PD duke dalë nga Presidenca

      Po ashtu sot mungonte dhe Shpëtim Idrizi, dhe PDIU u përfaqësua nga Mesila Doda. Po ashtu në takim mungonte dhe Famtir Mediu dhe kishte dërguar zyrtarë të tjerë të Partisë Republikane.

      Deri tani mësohet se mungesat e kryetarëve të partive nuk kanë qenë për çështje refuzimi ndaj Metës, por ka pasur përplasje axhendash.

    • 10:32

      Shehi pas takimit me Metën: Do dalim në deklaratë, mos të bëjmë rrëmujë dhe zhurma kot

      Pasi ka përfunduar takimi mes Ilir Metës dhe krerëve të opizitës, Dashamir Shehi teksa ishte duke dalë nga Presidenca, ka dhënë një deklaratë të shkurtër, por nuk tregoi detaje nga takimi. 

      Dashamir Shehi, kreu i LZHK

      Shehi u shprehet se ai nuk mund të fliste më shumë pasi vet Presidenca dhe Basha do të mbajnë një deklaratë, të cilat do të jenë zyrtare. 

      Presidenca do të dalë vetë më një deklaratë të saj. Kjo është punë e gjatë shumë.Edhe zoti Basha do të mbajë një deklaratë më vonë, pasi të mbarojë takimin me ministrin e Jashtëm të Suedisë. Më mirë me ato letrat zyrtare që të mos bëhet rrëmujë” tha Shehi.

    Shto Koment