
TIRANE – Federata Shqiptare e Futbollit firmos marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sporteve të Tiranës. Kjo marrëveshje e lidhur mes dy prej institucioneve më të rëndësishme të sportit në vend, ka si objekt bashkëpunimin e palëve në aktivitetet sportive dhe veprimtaritë kualifikuese dhe trajnuese të organizuara nga FSHF dhe UST, duke kontribuar me të gjithë kapacitetin infrastrukturor, bazën materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme.
FSHF jo vetëm do të bashkëpunojë me stafin akademik në trajnime dhe kualifikime të ndryshme, por do të organizojë edhe praktika profesionale për studentët, në bazë të propozimeve të Universitetit. Gjithashtu, në bashkëpunim me UST-në, do të realizohen investime të përbashkëta në terrene sportive, si dhe do të pasqyrohen të dhënat e Federatës dhe mundësitë për trajnime apo punësime pranë organizatës së futbollit.
Të pranishëm në ceremoninë që u zhvillua sot në ambientet e stadiumit kombëtar “Air Albania” ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Rektori i UST-së, Agron Kasa, përfaqësues të Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit.
Duke marrë fjalën në nisje të aktivitetit, presidenti Duka tha se kjo marrëveshje është fryt i një pune, apo i iniciativës së vetë Rektorit Kasa dhe foli për një projekt të ri, që mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike.
B.T (Dosja.al)