Aktualitet

Fqinjët porositën vaksinën e koronavirusit, Shqipëria ende asnjë hap. Si mund ta marrim në kohë?

Por si mund ta marrë Shqipëria vaksinën në kohë, edhe pse nuk raportohet të këtë porositur deri më tani doza nga kompanitë farmaceutike që punojnë për prodhimin e saj?
Featured image of article: Fqinjët porositën vaksinën e koronavirusit, Shqipëria ende asnjë hap. Si mund ta marrim në kohë? Foto ilustruese

Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë duket se e ka përqendruar të gjithë vëmendjen tek vaksinat e gripit, vendet fqinje janë duke punuar për të siguruar dozat e para të vaksinës së koronavirusit në dhjetor ose në fund të vitit.

Qeveria shqiptare është e vetmja në rajon që nuk ka njoftuar ende porositjen e vaksinës së virusit të ri, edhe pse shumë kompani farmaceutike amerikane dhe europiane janë duke bashkëpunuar me vende në të gjithë botën për shpërndarjen e saj brenda një kohe të shkurtër. OBSH ka njoftuar një bashkëpunim botëror sapo të zbulohet vaksina, për prodhimin e saj në masë dhe shpërndarjen brenda një kohë të shkurtër, i ka nxitur shumë shtete të lidhen me kompani të ndryshme

Më gjashtë korrik, Kosova do të ishte ndër vendet e para që njoftoi se kishte nisur porositë e nevojshme për vaksinën kundër Covid-19, në përputhje me protokollet e Komisionit Europian dhe OBSH-së edhe pse nuk ka bërë publike emrin e kompanisë farmaceutike. Dhjetë ditë më vonë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftoi se vendi i tij do të siguronte dozat e para të vaksinës në fund të vitit.

Presidenti serb, tha se vendi i tij po zhvillon bisedime me një vend, që sipas tij ka përfunduar vaksinën kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi dhe që “ua jep atë popullatave të rrezikuara”.

“Shpresojmë se para fundit të vitit do të mund të kemi vaksinën. Do të ishte shpëtim për Serbinë dhe ekonominë tonë”, tha Vuçiç, por nuk dha detaje se për cilin vend bëhet fjalë.

“Së shpejti do të nënshkruajmë protokollin për bashkëpunim, por nuk mund t’ju them se cili vend është”, tha Vuçic, duke iu përgjigjur gazetarëve në Beograd.

“Keni për të parë që Serbia të jetë ndër 30 vendet e para që do ta marrë vaksinën”, shtoi ai.

Dhjetëra vaksina kundër Covid-19 janë në faza të ndryshme të testimit në gjithë botën. Firma bioteknike amerikane Moderna tha të martën se vaksina e saj eksperimentale kundër Covid-19, çoi në fitimin e imunit tek vullnetarët që morën pjesë në një studim të fazës së hershme.

Moderna Inc. dhe Pfizer Inc. filluan javën e kaluar testet që përfundimisht do të përfshijnë nga 30,000 vullnetarë secili; në muajt e ardhshëm do të ketë kërkesa po aq të mëdha për vullnetarë, për të testuar vaksinat e kompanive AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Novavax. Ndërkaq, disa vaksina të zhvilluara në Kinë janë në studime më të vogla të fazës së vonë në vendet e tjera.

Edhe pse nga Shqipëria nuk ka asnjë sinjal për vaksinën, Greqia fqinje është e bindur nga ana tjetër se nëse gjithçka shkon mirë, vaksina kundër koronavirusit mund të jetë e disponueshme në fillim të vitit 2021. Qeveri greke njoftoi disa ditë më parë se tashmë është krijuar një ekip nga Ministria e Shëndetësisë, qëllimi i të cilit është të ekzaminojë të dhënat e vaksinave më premtuese dhe të negociojë sasi dhe çmime me prodhuesit e tyre.

“Ne jemi në pritje të zhvillimeve,” thotë për “Ekathimerini” kryetari i Organizatës Greke të Barnave (EOF), Dimitrios Filippou. “Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, dhe unë theksoj nëse, në fillim të vitit 2021, ne mund të kemi një vaksinë për përdorim komercial.”

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Filippou thotë se sigurimi i vaksinave për secilin vend do të varet nga aftësia prodhuese e kompanive që i zhvillojnë ato dhe nëse ato rezultojnë të efektshme. Raportohet se një vaksinë e zhvilluar në Universitetin e Oksfordit ka një proces relativisht të lehtë prodhimi. Mali i Zi ka njoftuar po ashtu se po punon për porositjen e vaksinës.

Por si mund ta marrë Shqipëria vaksinën në kohë, edhe pse nuk raportohet të këtë porositur deri më tani doza nga kompanitë farmaceutike që punojnë për prodhimin e saj?

Një mundësi vjen nga Komisioni Europian, i cili prezantoi një strategji evropiane për të përshpejtuar prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19. Me këtë strategji, Komisioni do të mbështesë përpjekjet për të përshpejtuar shpërndarjen e vaksinave të sigurta dhe efektive në një afat kohor midis 12 dhe 18 muajsh. Sipas KE-së, vaksina do t’u shpërndahet fillimisht vendeve anëtare dhe popullsinë e tyre, për të vazhduar më pas me shtetet kandidate si Shqipëria dhe vendet e tjera të kontinentit të vjetër. Kjo do të thotë se vendi ynë dhe shtetet e tjera të rajonit, mund të sigurojnë dozat e para të vaksinës disa javë ose muaj me vonesë në krahasim me vendet e tjera europiane. Duke parë parashikimet e ekspertëve për përkeqësimin e epidemisë në vjeshtë dhe dimër, këto javë mund të rezultojnë katastrofike për përhapjen e virusit, duke u bashkuar me virozat sezonale dhe duke çuar kështu në mbingarkimin e sistemit shëndetësor.

Kjo është edhe arsyeja përse vende si Serbia janë lidhur drejtëpërdrejt me kompanitë prodhuese, duke shmangur radhën në derën e Bashkimit Europian apo edhe të OBSH-së.

Por edhe kur të sigurohet, si do të vendoset se cila kategori duhet ta marrë vaksinën e para? Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sugjerojnë së pari të vaksinohen punonjësit më të ekspozuar shëndetësorë, ata të sigurisë kombëtare dhe punonjës të tjerë thelbësorë. Më pas, njerëzit në rrezik të lartë nga koronavirusi: ata mbi 65 vjeç që strehohen në institucionet e kujdesit afatgjatë, ose ata të çdo moshe që kanë shëndet të dobët. Popullata e përgjithshme vjen më vonë në renditje.

Një tjetër përparësi do të ishin të varfërit e qyteteve që jetojnë në kushte të keqia me shumë njerëz dhe që kanë më pak mundësi për kujdes shëndetësor, apo që nuk mund të punojnë nga shtëpia.

Në përgatitje për atë që parashikohet të jetë një dimër i egër, shumë vende si Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Serbia janë lidhur më Kinën, duke marrë pajisje mjekësore dhe mjete mbrojtësë. Vetëm Kroacia ka marrë këtë verë 20 tonë pajisje mjekësore kineze.

Nga Lindja e Mesme, Emiratet e Bashkuara Arabe dërguan një aeroplan me 10 ton mjete mjekësore në Serbi në fund të qershorit, në përgjigje të apelit të Vuçiç. Transporti përfshin kostume mbrojtëse, doreza, , maska, sanitizues dhe ventilatorë.

Turqia, e cila ka lidhje të forta historike me rajonin, ka ofruar të mbështesë prokurimin e mallrave thelbësore dhe dërgoi kohët e fundit një aeroplan të ngarkuar me mjete mjekësore në Bosnje, Mal të Zi dhe Serbi.

Marrë nga Gazeta “Si”

Shto Koment