Politike

PD nxjerr faturat: 10 milionë dollarë nga qeveria për kompaninë e Edmond Begos, Rama e Balla, përgjegjës për gjobën e Arbitrazhit ndërkombëtar

VIDEO
Vokshi publikoi edhe faturat e listë-pagesës që kompanisë së Begos, “Inerte Ekspress” nga viti 2015 e deri më 2018, dhe e quajti këtë një shkelje pasi Bego është një ish-i dënuar.
Featured image of article: PD nxjerr faturat: 10 milionë dollarë nga qeveria për kompaninë e Edmond Begos, Rama e Balla, përgjegjës për gjobën e Arbitrazhit ndërkombëtar Albana Vokshi, PD

TIRANE- Partia Demokratike akuzon qeverinë se i ka dhënë në kundërshtim me ligjin, biznesmenit Edmond Bego një shumë prej 10 milionë dollarë, si nënkontraktor për përfundimin  e punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan. Në një deklaratë për mediat, Albana Vokshi nga PD, tha se SPAK duhet të hetojë këtë skemë, si dhe shtoi se kryeministri Edi Rama dhe Taulant Balla janë përgjegjës për gjobitjen e re 44 milionë dollarë  nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për Tiranë-Elbasan. Vokshi publikoi edhe faturat e listë-pagesës që kompanisë së Begos, “Inerte Ekspress” nga viti 2015 e deri më 2018, dhe e quajti këtë një shkelje pasi Bego është një ish-i dënuar.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Autostrada Tiranë-Elbasan është një nga modelet sesi veprat më të mëdha publike janë përdorur nga qeveria e Edi Ramës për të futur në xhepat e pushtetarëve miliona euro përmes nënkontraktorëve të diktuar nga qeveria. Trafikanti i drogës Edmond Bego është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontaktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën.

Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit. Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike. Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro. Për këtë drejtësia duhet të hetojë. SPAK dhe organet e tjera të hetimit duhet të verifikojnë të gjithë procedurën sesi i dënuari Edmond Bego ka marrë në shkelje të ligjit 10 milion euro nga qeveria shqiptare. Duke zbardhur këtë aferë, prokuroria do të bjerë në gjurmët e Taulant Ballës dhe të vetë Edi Ramës, duke i bërë vendit një shërbim të paçmuar në luftën e vërtetë kundër korrupsionit. Miku i gjithëpushtetshëm i Mond Begos, Taulant Balla, di shumë gjëra që SPAK-ut i interesojnë. U interesojnë edhe shqiptarëve, të cilët sot duhet të fillojnë e të paguajnë një më një 44 milion eurot, si dënim nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për sjelljen korruptive të qeverisë me autostradën Tiranë-Elbasan. Përgjegjës për këtë gjobë tjetër të madhe, që do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre, është Edi Rama dhe Taulant Balla. Është koha për t’i dhënë fund me votë plebishitare qeverisjes që paguan 10 milionë euro trafikantin e drogës dhe ngarkon qytetarët më të varfër të Europës me gjoba korrupsioni.

Denoncimi i Partisë Demokratike, vjen pas publikimit të shtunën ekskluzivisht në Dosja.al të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku shteti shqiptar humbi gjyqin me kompaninë greke “Aktor” e për rrjedhim duhet të paguajë një dëmshpërblim me vlerë 44 milionë dollarë. “Aktor” paditi qeverinë shqiptare se nuk e kishte paguar për punimet shtesë në austradën Tiranë-Elbasan, ndërsa punimet ishin kërkuar nga qeveria, por nuk ishin likujduar. Në përgjigjen e parë zyrtare, ministria e Infrastrukturës thotë se përgjegjësia është e parardhësve, duke nisur që nga viti 2012, epoka Berisha, e në vijim, referuar ministrave të LSI. Por, as LSI nuk qëndroi pa folur. Ish-ministri Edmond Haxhinasto i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku e informon për problematikat, dhe ky komunikim është zbardhur sot nga LSI.

(F.g./dosja.al)

Shto Koment