Politike

Forcimi i shtetit ligjor/ Leyla Moses thirrje qeverisë shqiptare: Sigurohuni që ligjet që shkruani të zbatohen

Ndër të tjera zyrtarja amerikane theksoi se Amerika është e vendosur të ndihmojë në krijimin e kushteve për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse në Shqipëri.
Featured image of article: Forcimi i shtetit ligjor/ Leyla Moses thirrje qeverisë shqiptare: Sigurohuni që ligjet që shkruani të zbatohen Leyla Moses-Ones

TIRANË- “Amerika është e përkushtuar ta ndihmojë Shqipërinë në forcimin e shtetit ligjor dhe qeverisjes së saj”. Kështu është shprehur e Ngarkuara me Punë, Leyla Moses-Ones në një aktivitet për fuqizimin ekonomik e personave me aftësi të kufizuar.

Më tej e ngarkuara me punë e SHBA-ve i bëri thirrje qeverisë që të mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke tejkaluar linjat partiake, si dhe t’u sigurohen mundësi punësimi.

“Së pari, i bëj thirrje Qeverisë së Shqipërisë të sigurohet që legjislacioni i duhur të jetë i shkruar dhe i zbatueshëm. Mbrojtja e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është një përpjekje që duhet të tejkalojë linjat partiake dhe të bashkojë zyrtarët në një kauzë të përbashkët. Aftësia e kufizuar nuk diskriminon në bazë të përkatësisë politike dhe këtë nuk duhet ta bëjnë as ligjbërësit apo ligj zbatuesit: kjo është një çështje që i prek të gjithë.

Së dyti, ju bëj thirrje si individë të siguroheni që personave me aftësi të kufizuar t’iu jepen të njëjtat mundësi – në punë ose në kohën e lirë – si pjesa tjetër e shoqërisë. Jini proaktivë – shqyrtoni si mund t’i bëni bizneset dhe vendet tuaja të punës më të aksesueshme për njerëzit me aftësi të kufizuara. Mendoni se si praktikat tuaja të punësimit mund të përshtaten për t’iu dhënë personave me aftësi të kufizuara mundësi të barabarta për punësim dhe mundësi të barabarta për t’u trajnuar, për të mësuar dhe për të kontribuar në përparimin e Shqipërisë”, përfundoi Leyla Moses-Ones.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndër të tjera zyrtarja amerikane theksoi se Amerika është e vendosur të ndihmojë në krijimin e kushteve për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse në Shqipëri.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes USAID-it, mbështeti projektin EEPD sepse Amerika është e përkushtuar ta ndihmojë Shqipërinë në forcimin e shtetit ligjor dhe qeverisjes së saj, dhe Amerika është e vendosur të ndihmojë në krijimin e kushteve për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse në Shqipëri. Ky angazhim për Shqipërinë pasqyron gjithashtu disa ligje amerikane, të cilat urdhërojnë që personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të barabartë me anëtarët e tjerë të shoqërisë, në një mjedis të hapur dhe gjithëpërfshirës. Këto janë edhe të drejta themelore të njeriut, të cilat SHBA i përqafon dhe nxit dhe që Shqipëria i bashkëndan”. E Ngarkuara me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones në aktivitetin përmbyllës të projektit “Fuqizimi Ekonomik i Njerëzve me Aftësi të Kufizuara” i Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar”, thuhet në mesazhin e Leyla Moses-Ones, të cilin ambasada e ka publikuar në faqen e saj zyrtare në ‘Facebook’.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment