Aktualitet

“Fluturonin” në rrugë, policia pezullon 34 patenta, gjobiten edhe qindra të tjerë për shkelje të ndryshme

Policia ka pezulluar 34 patenta për tejkalim shpejtësie si dhe ka vendosur qindra gjoba për shkelje të ndryshme si përdorim celulari gjatë udhëtimit, kryerje e manovrave të gabuara dhe mosvënien e rripit të sigurimit.
Featured image of article: “Fluturonin” në rrugë, policia pezullon 34 patenta, gjobiten edhe qindra të tjerë për shkelje të ndryshme Monitorimet e policisë

TIRANË-Policia ka vijuar monitorimet në akset kombëtare, ku përparësi kanë ato pranë zonave bregdetare. Si rezultat janë pezulluar 34 patenta për tejkalim shpejtësie. Po ashtu janë gjobitur dhe 154 shoferë, për parakalime dhe manovra të gabuara.

Njëkohësisht gjashtë shoferë janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Për shkelje të ndryshme si mosvendosja e rripit dhe përdorimi i celularit gjatë udhëtimit, janë vendosur edhe 99 gjoba.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit

Prej orës 16:00 ka filluar kthimi nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës, i pushuesve që lëvizin në fundjavë dhe deri në këto momente nuk ka patur asnjë problematikë në asnjë aks rrugor.

Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve me uniformë në rrugë, por edhe të shërbimeve civile në patrullim, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore që shkaktohen si pasojë e shpejtësisë apo e parakalimeve të gabuara.

Në të gjitha akset rrugore nacionale janë duke monitoruar shpejtësinë 6 radarë. Deri në këto momente në akset Lezhë-Thumanë, Vlorë-Fier, Durrës-Tiranë dhe Lezhë-Morinë, janë evidentuar 34 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, në të gjitha akset rrugore nacionale, 154 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u bërë shkak për aksident rrugor.

Njëkohësisht, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore, kanë konstatuar lëvizje të çrregullta në rrugë apo manovra të rrezikshme dhe kanë ndaluar 31 drejtues mjetesh dhe motomjetesh.

Pas alkooltesteve ka rezultuar se 24 prej tyre drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me masa alkooli që varionin nga 0.22 mg/l deri në 0.39 mg/l, 6 drejtues kanë rezultuar në kufijtë e lejueshëm deri në 0.19 mg/l, ndërsa një 30-vjeçar në Durrës është arrestuar nga Policia Rrugore, pasi drejtonte një motomjet në gjendje të dehur në masën 1.26 mg/l dhe në testin e dytë 1.30 mg/l.

Po gjatë pasdites e deri në këto momente janë vendosur 99 masa për përdorim të celularit, 78 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 16 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Ndërkohë, nga Policia Rrugore e Durrësit, një drejtuesi mjeti i është bllokuar mjeti, pasi qarkullonte pa kontroll teknik dhe me 26 masa administrative të pashlyera.

Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, sinjalistikën orientuese dhe kufizuese, të mos kryejnë parakalime të gabuara duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, të zgjedhin dhe përdorin rrugë alternative në rast fluksi dhe të telefonojnë në 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital, për ata drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit, duke u kthyer në rrezik për aksidente rrugore.

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment